Invalidet e shoqerise apo shoqeri invalide

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 3 vite më parë

Artan Lame
Invalidet e shoqerise apo shoqeri invalide

E keni parasysh atë anekdotën me Nastradinin që i shkurtonte gomarit përditë nga pak bar dhe, në fund kur kafsha e gjorë dha shpirt, ai tha: “Hej dreq, ku shkoj e ngordhi tani që u mësu me ndenjt pa hëngër!”. Mund të duket si humor i zi të kujtoj këtë anekdotë teksa shoh se si qeveria po u pakëson radhë pas radhe e hap pas hapi paratë invalidëve, por në fakt, i zi nuk është humori, por ajo që po bën shteti me ta. Të shohësh turmën e të verbërve, të invalidëve me karroca dhe të shumë të tjerëve si ata, që nën shi bërtisnin poshtë dritareve të qeverisë, është e turpshme për çdo vend me një minimum qytetërimi të çfarëdoshëm.

Në fakt, në të gjithë botën e qytetëruar, trajtimi human i nevojtarëve përgjithësisht nuk ka ardhur si rrjedhojë e luftës së vetë nevojtarëve, por si pasojë e avancimit të shoqërisë së shëndoshë në udhën e qytetarisë. Me këtë dua të them se kujdesi për jetimët apo për foshnjat e braktisura, llafi që bie, nuk ka ardhur si rrjedhojë e faktit që këto foshnja shkonin e bënin demonstrata poshtë penxhereve të Parlamentit të Londrës, apo Parisit, apo Berlinit, por sepse popujt e Londrës, Parisit e Berlinit, arritën atë shkallë zhvillimi që nuk mund t’i linin këto foshnje të vdisnin rrugëve. E njëjta gjë ka ndodhur me paralitikët, të gjymtuarit, të verbrit, të pagojët, ulokët, të sëmurët mendorë, e gjithfarë fatkeqësh të tjerë.

Të më ndjeni që përdor terma që tashmë nuk përdoren më, por po i quaj me emrin që thirreshin në mesjetë, pikërisht atëherë kur shoqëria filloi të kujdesej dhe të merrte përsipër barrën e kujdesit ndaj tyre. Është e padiskutueshme që feja në përgjithësi dhe morali i krishterë në veçanti, kanë një rol të madh e themeltar në krijimin e kësaj fryme përkujdesjeje. Azilet e para, qoftë për fëmijë e qoftë për pleq, kanë qenë pranë kishave, foshnjat braktiseshin në derë të kishës, bash sepse dihej se ajo do të kujdesej për ta, spitalet për të varfrit, e nevojtarët fizikë, edhe këto ishin e në shumë raste vazhdojnë të jenë në administrim të kishës edhe sot e gjithë ditën.

Me forcimin e shteteve të centralizuara përgjatë shekullit XVIII, e më pas veçanërisht përgjatë shekullit XIX, shoqëria tashmë e konsoliduar dhe me parime të forta të detyrimeve ndaj anëtarëve të saj, filloi ta quante detyrë të vetën përkujdesjen ndaj këtyre shtresave. Kështu, shteti i mori në dorë këto funksione, të cilat kohë pas kohe kanë vazhduar të thellohen e përmirësohen deri në ditët tona. Sot në Europë nuk flitet më për nevojën e trajtimit të tyre, pasi kjo është tashmë pjesë e padiskutueshme e funksioneve të shtetit, por për ta bërë sa më të lehtë fatkeqësinë e tyre. Flitet për pagesën me kohë të plotë të shoqëruesve të tyre, për shkolla qensh të financuara nga shteti, ku qentë stërviten si shoqërues të të verbërve; flitet për tejkalimin e barrierave arkitektonike, e për të tjera finesa këso dore.

Thelbi i gjithë këtij procesi, qëndron në parimin që një shoqëri sa më e avancuar të jetë, aq më shumë merr përsipër me vetë-ndërgjegjësim detyrime ndaj atyre që kanë nevojë. Por për fat të keq, ky është pikërisht thelbi që i mungon shoqërisë sonë. Nëse hyjmë të rreshtojmë pengesat mendore dhe zhvillimore të shoqërisë shqiptare, nuk do mbaronim dot as deri nesër, ndaj po i përmbledh në një frazë të vetme: shoqëri e prapambetur. Mjaft të kujtojmë se në Shqipëri, çmendina e parë është hapur në Vlorë në vitin 1916 nga ushtria italiane, ndërsa streha e parë vorfnore është hapur në Tiranë në vitin 1917, edhe kjo jo nga ne, por nga ushtria austriake, për të kuptuar stadin e prapambetjes shoqërore. Dhe për ta sjellë në kohë, ju kujtoj se kjo Strehë Vorfnore ka qenë ngjitur me Ministrinë e sotme të Çështjeve sociale, e cila duhet të merret pikërisht me këto punë dhe u prish tani në kohë të demokracisë për t’u bërë pallat. Deri atëherë, të sëmurët mendorë ishin subjekt i gallatës së fshatit, ulokët kishin përpara vetëm karrierën e lypësit, ndërsa jetimët kishin shans të mbijetonin vetëm falë mëshirës së ndonjë shpirt-buti. Nga një popull me parime morale shumë të përcipta, të fragmentuar e pa jetë urbane, nuk mund të pritej rezultat tjetër.

Europa e sotme është shumë e shumë e shuuumë përpara. Europa e sotme po harton konventa për të drejtat e kafshëve e për trajtimin dinjitoz të tyre dhe me të tilla hapa ajo shoqëri nuk u jep dinjitet kafshëve, por vetes në radhë të parë. Me llogjikën tonë, do të duhet që kafshët e gjora, shqiponja, arinj, kunadhe e kaproj, të vijnë e të bëjnë demonstratë poshtë dritareve të Jozefinës që ne të miratojmë ligje për mbrojtjen e tyre. Dhe meqë kjo nuk mund të ndodhë, kafshët do vazhdojnë të zhduken, në mos janë zhdukur ndërkaq nga pyjet tona, që edhe ato po zhduken. Ndërsa shoqëria jonë është ende në stadin e nevojës dhe të mbijetesës së më të fortit, ku nuk kanë vend e hapësirë ata më të dobëtit, e jo më pastaj ata që s’kanë gojë apo ata që kanë mangësi fizike.

Megjithatë, besonim se duke avancuar shoqëria, do të avanconin edhe këto principe dhe se duke formatuar jetën urbane, shteti do t’i quante të vetat këto parime. Për fat të keq, ajo çka po ndodh së fundmi me trajtimin e invalidëve, të para e tetraplegjikëve, dëshmoi se jemi ende larg e prapa me zhvillimin shoqëror. Në momentin kur masa e kujdesit ndaj nevojtarëve nuk lind nga vetë shoqëria, por vjen si pasojë e presionit të nevojtarëve, duhet të pranojmë se shoqëria jonë ende nuk ka arritur shkallën e qytetarisë e të dinjitetit europian. Është realisht e turpshme që të shohësh të demonstrojnë poshtë dyerve të qeverisë vetë invalidët, ndërsa njerëzit të kalojnë pranë tyre të qetë duke thënë me vete s’është puna ime, unë jam në rregull me këmbë e dorë. Nuk është thjesht çështje qeverie, pasi asaj ia kemi hequr vizën me kohë e vakt. Edhe qeveria, po të kishte frikë nga reagimi shoqëror, nuk do t’i linte në atë gjendje këta nevojtarë të shoqërisë. Por bash se nuk ka frikë nga reagimi i shoqërisë, qeverisja u thotë atyre vrafshi veten e aty mbetshi.

Mirëpo halli mbi hall që na ka zënë neve, është se edhe kur shoqëria shqiptare me njëmijë sforco ia del të bëjë përpara, e zë për këmbe ndonjë qeveri si puna e kësaj që na ka zënë e na mban me zor në vend. Të paktën në qytetet e mëdha, me shtresëzim urban disi të konsoliduar dhe të zhvilluar, me jetë sociale dhe mirëqenie normale, mund të themi se ndjeshmëria ndaj të tilla shtresave nevojtare tashmë ekziston dhe është e prekshme. Unë si Artan dhe jam i bindur se edhe shumica e bashkëqytetarëve të mi, e kemi arritur stadin e zhvillimit të nevojshëm për t’u zgjatur dorën e ndihmës atyre që janë në nevojë, edhe pa qenë nevoja që të vijnë ata e ta kërkojnë ndihmën duke demonstruar. E keqja është, se është shteti im që nuk e ka arritur këtë stad, apo e thënë ndryshe, ai është në dorë të atyre që nuk e kanë arritur këtë stad.

Jep nj mendim mbi kt tem:

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi