Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pleshtat e WikiLeaks-it

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Pleshtat e WikiLeaks-it

1. Pakti 10-pikësh opozitar “Për Shqipërinë si gjithë Europa”,  sapo mbushi 10 ditë jetë. Gjysmën e jetës së projektuar për të jetuar. I kanë mbetur edhe 10 të tjera deri më 12 tetor. Kaq. Në 10 ditët e para pakti u shpall të premten, iu prezantua Grupit Parlamentar socialist të hënën, u dorëzua zyrtarisht në Kuvend të enjten, u debatua gjerësisht në studiot televizive nga palë të treta gjatë javës. Në gjysmën tjetër të mbetur të jetës, pakti synohet të mbahet gjallë përmes një debati Rama-Berisha, i kërkuar publikisht nga i pari në editorialin e radhës më 2 tetor. Me apo pa debat, pakti do jetojë edhe 10 ditë. Përtej datës së vdekjes, ai do shërbejë si “litari jashtë varrit”.

2. I rrethuar dhe i mbushur me absurd, pakti gjithsesi përmban disa pika të arsyeshme. Pikat 1 dhe 2 – rregullore dhe reformë parlamentare; pika 3 – reformë zgjedhore; pika 6 – zgjedhja e Avokatit të Popullit; janë të kuptueshme e të bëshme. Këto pika perceptohen me probleme të vogla e të kapërcyeshme. Maxhoranca i ka ofruar me kohë në parim. Kësisoj s’bën kuptim të quhen kërkesa opozitare, kur janë dhënë paraprakisht nga pala tjetër. Mjafton pak qartësim, punë e përbashkët dhe tolerancë reciproke për nënçështje të caktuara. Ashtu siç ka filluar puna për reformën zgjedhore, mund të fillojë edhe për të tjerat.

3. Pikat 7 dhe 8 koncentrojnë një numër të madh çështjesh thelbësore, përkatësisht për ligjet me 3/5-tat dhe ndryshimet kushtetuese. Atmosfera politike, e mbarsur me konflikt e mosbesim, ysht për refuzim. Në mirëbesim, pika 7 duket mjaft e arsyeshme. Ligjet që miratohen me 3/5-tat reflektojnë reforma integruese. Përgatitja dhe miratimi i tyre mund të kalojë përmes dy llojeve të proceseve njësoj të kushtetueshme. Njeri proces është klasik e minimalist. Qeveria përgatit projektligjin dhe kërkon votat e opozitës në Kuvend përmes modifikimeve të mundshme të kërkuara nga opozita. Tjetri e përfshin opozitën që në fazat e hershme të diskutimit të ideve dhe opsioneve fillestare. I dyti është më i mirë se i pari. Ai rrit mundësitë për konsensus dhe cilësi të produktit, me po të njëjtin risk dështimi si edhe lloji i parë i procesit. Gjykata Administrative s’hyn këtu. I ka kaluar të gjitha testet. Duhet miratuar sa më parë.

4. Pika 8, edhe në mirëbesim është e paqartë, le më në keqbesim. Qartësimi dhe zbërthimi i detajuar i saj është i domosdoshëm. I takon opozitës ta qartësojë, me apo pa kërkesë nga maxhoranca, ndërsa kjo duhet të pyesë dhe jo ta hedhë tej me shikim të parë. Opozita duhet t’i përmbahet deklarimit të pak javëve më parë se rindryshimet kushtetuese nuk janë kusht i patjetërsueshëm. Ishte një qëndrim i mençur. Pakti nuk e jep më këtë frymë. Belbëzimet e ndrojtura të ndonjë eksponenti opozitar për negociueshmërinë e Paktit nuk janë bindëse.

5. Pika 10, lidhur me bordin dhe drejtorin e TVSH dhe Këshillin Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve, ndërsa shpreh një shqetësim më shumë se të drejtë, propozon një mekanizëm të dyshimtë. Kompozimi bipartizan, qoftë edhe i balancuar i organeve drejtuese, nuk është zgjidhja, siç nuk është as edhe për KQZ-në e zgjedhjeve dhe komisionet e tjera zgjedhore.

6. Pikat 4 dhe 5, përkatësisht për zgjedhjen e guvernatorit dhe Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë ca si shumë anapulla. Të kërkosh ta normosh paraprakisht Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë si organizëm bipartizan, është absurd i paparë në historinë e kësaj banke. Konsensusi paraprak i Kuvendit për çdo propozim të Presidentit për guvernator do ta bënte Kuvendin një miratues kokulur në thyerje të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parim i qartësuar edhe me vendime të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin e kryetarit të KLSH, ndryshe nga ai i guvernatorit, Presidentit i vihen parakushte. Për njërin po e për tjetrin jo. Inkoherencë. Ndërkaq, edhe për kryetarin e KLSH, Kuvendi duhet të aprovojë kokulur propozimin presidencial sipas paktit.

7. Por, ndërsa ka vend për politikë mbi të gjitha pikat e mësipërme të paktit, pika 9 e tij të lë pa mend. Absurdi tenton në infinit. Naiviteti dhe hileja. Gallata po ashtu. Letra për Kryeprokuroren, firmosur nga dy liderët dhe të gjithë të tjerët paskëtaj, qenkërka shkopi magjik i zgjidhjes së çështjeve të rënda penale të pretenduara reciprokisht me apo pa të drejtë. Kryeprokurorja të hetojë, me lejen dashamirëse e gatishmërinë për t’u vetësakrifikuar të të gjithë të paudhëve, për hir të Shqipërisë europiane dhe “.. nën dritën e publikimit të kabllogrameve të diplomacisë më të fuqishme të botës…”. Asaj amerikane. Publikuar nga WikiLeaks. Gjatë 10 ditëve nuk u shënua asnjë tërheqje opozitare, qoftë edhe e pjesshme, nga kjo pikë.

8. Ta kërkonin 141 gazetarë, edhe do kapërdihej. Të kërkosh që 140 burra e gra të Kuvendit të marrin mendtë e Atij jashtë Kuvendit e bashkë me të t’ia kërkojnë sa më sipër Kryeprokurores, do të thotë të legjitimosh WikiLeaks dhe zullumin e tij. Shqipëria do të ishte i pari vend, të paktën mes anëtarëve të NATO-s, që do të bënte këtë marrëzi. Pa diskutim dhe i fundit. Antiamerikanizëm. Nga budallallëku, hileja e trashë apo se “të ha lëkura nga pleshtat” e WikiLeaks, merreni vetë me mend. Kush e di se sa vullnet i është dashur ambasadorit Arvizu të mos shpërthejë kur e ka dëgjuar?! I shërbyen antiamerikanizmat mediatikë pas 21 janarit për stërvitje. Meritë e padiskutueshme e celulës. Jepini hakun!

9. Ta zëmë se u marrosën të tërë dhe nisin letrën. Kryeprokurorja, që edhe atë e zëmë se e lë mendja, fillon hetimin me pishtarin e WikiLeaks në dorë. Deri ku do shkojë? Do hapë faqen e WikiLeaks. Do marrë dokumentet. Do akuzojë dikë. Mbi ç’bazë? E ka thënë Amerika, pra! I akuzuari i mohon. Nevojitet ballafaqim me burimin. Ku gjendet burimi? Në Ambasadën Amerikane! Cilët do marrë në pyetje? Ambasadorin, ish-ambasadorin, diplomatët e tjerë e deri agjentët amerikanë të shërbimeve të sigurisë. Këta e kanë deklaruar që nuk flasin për çka është botuar nga WikiLeaks. Heshtin në rastin më të mirë. Ua përplasin derën në fytyrë prokuroreve në rastin më të keq.

10. Pengim i drejtësisë, apo jo?! Meritojnë të arrestohen. Ç’të bëjë Kryeprokurorja e ngratë? Do t’i kërkojë qeverisë shpalljen non grata apo do hyjë policia me forcë në ambasadë të sekuestrojë dokumentet e të arrestojë diplomatët? Marinsat do rezistojnë. Nis lufta me Amerikën. Mirë që mund edhe t’i pushtojmë, po ec e mbaji me bukë pastaj. Le që prokuroria jonë, si në çdo rast më parë, fillimisht do kërkojë asistencë amerikane për të hetuar mbi çështjet, përmes WikiLeaks, për të përfunduar bashkë me hetuesit amerikanë në dyert e Ambasadës Amerikane. Luftë civile amerikane. Grusht shteti më saktë. Cili qenka ai diplomati i huaj, jo amerikan natyrisht, që ta paska këshilluar aman?

11. Letra ka vlera gjithsesi! Të gjithë i thonë Kryeprokurores hetona! Rama si xha Beqo, i pari. Sa t’i dalë turpi a droja xha Sulo Berishës. Dihet që amerikanët do heshtin. Prokuroria pushon çështjet. Të gjithë dalin të larë me certifikatë prokurorie. Ama prokuroria e bëri të vetën. I thirri. Veç të thërrasë atë, djalin e Kadafit një herë. Mjafton kaq. Ndaj kërkohet leja nga babai. Ç’të bëjë Kryeprokurorja pa lejen e këtij?! As drita e diplomacisë amerikane s’bën punë pa lejen e Kadafit! Si historia e Abrahamit, që Zoti i kërkoi të sakrifikonte të birin. Në fund e ndërroi me një qengj. “Unë nuk ia ndërroj” – mendon në ëndërr paktofruesi.

12. Këtu merr fund pakti. Ëndrra vazhdon. Gjatë natës në gjumë me Julian Assange. Gjatë ditës me Assang-ët e shumtë shqiptarë përreth. Që s’lënë gjë pa nxjerrë e helm pa hedhur. Falë këtyre jemi vendi më transparent në botë. Edhe haletë i kemi transparente. Dhomë gjumi, në shtëpi a m(h)otel po ashtu. Se ç’ha e ç’pi, as që bëhet fjalë të mos t’i marrin vesh. E kur  t’i nxjerrin intimitetet, kruan kokën a gjësend tjetër. Kur fle a rri me qentë, do zësh pleshta. Zgjebe. Do kruhesh. Kërkon edhe debat publik, pale! Për WikiLeaks?! S’ke pranuar debat më parë, që nga 2003, kur debati është normë në çdo zgjedhje! Politika e re, ndërprerë në fillimvjeshtën 2009, rifilloi këtë fillimvjeshte me…… WikiLeaks.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama