Regjistroni domainin tuaj .al

Të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve

Shkruar nga:  
Postuar më: 5 vite mĂ« parĂ«

Ky ndryshim rrënjësor nuk ndodh brenda një dite, por themelet janë hedhur dhe në mënyrë të qartë dhe të pakthyeshme po punohet drejt një administrate tatimore model. Partneriteti i ri me tatimpaguesin mundëson më shumë bashkëveprim, minimizon barrën administrative dhe kërkon njohje dhe zbatim me ndershmëri të të drejtave dhe detyrimeve nga të dyja palët.

Ligji për procedurat tatimore, i cila ka hyrë në fuqi në 25 qershor 2008, përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë mbi “Të Drejtat e Tatimpaguesit”.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë falas informacion për legjislacionin tatimor dhe ndihmë për zbatimin e tij, nga zyrat për shërbimin e tatimpaguesve.

    *Administrata tatimore ka për detyrë që të informojë publikun për përmbajtjen, rolin dhe rëndësinë e legjislacionit tatimor.
    *Ligjet dhe procedurat e reja tatimore bëhen publike nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike, si dhe përmes faqes zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, jo më vonë se 15 ditë nga data e hyrjes së tyre në fuqi.
    *Drejtoria e Shërbimit dhe Regjistrimit të Tatimpaguesve pranë çdo drejtorie tatimore në Shqipëri, ka rolin e informimit dhe të ndihmës për tatimpaguesit nëpërmjet materialeve informative dhe edukuese, duke përdorur të gjitha mjetet e komunikimit masiv dhe individual.
    * Komunikimi ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesit bëhet përmes standardeve të përcaktuara nga kjo administratë.
    *Komunikimi zyrtar me tatimpaguesin (vlerësimet, njoftimet, vendimet etj.) dërgohet në adresën e deklaruar prej tij dhe të shënuar në dosjen e tatimpaguesit nëpërmjet shërbimit postar rekomande dhe afati i marrjes dijeni për tatimpaguesit, është shtatë ditë kalendarike pas datës së dërgimit.
    *Data e dërgimit është data e pranimit të dokumentit nga shërbimi postar.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që të trajtohet në mënyrë të paanshme, profesionale dhe etike nga administrata tatimore.

    *Administrata tatimore dhe tatimpaguesit zbatojnë ligjin për procedurat tatimore bazuar në udhëzimin e përgjithshëm të Ministrit të Financave për këtë ligj.
    *Në rastet kur Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, në përgjigje të një kërkesë të tatimpaguesit, nxjerr vendim për qëndrimin zyrtar të administratës tatimore në zbatim të legjislacionit tatimor për rrethana specifike të tatimpaguesit, ky vendim është detyrues për administratën dhe tatimpaguesin, që ka bërë kërkesën. Vendimi publikohet brenda 5 ditëve kalendarike në faqen e internetit te DPT, duke ruajtur konfidencialitetin e të dhënave të biznesit të tatimpaguesit dhe merr fuqi zbatimi për të gjithë, për raste të tjera, të ngjashme.
    *Në rastet kur vendoset të kryhet një rikontroll tatimor, në grupin e ri te kontrollit nuk mund të marrin pjesë inspektorët tatimore të cilat kanë kryer kontrollin e mëparshëm.
    *Administrata tatimore angazhohet në mënyrë të vazhdueshme për trajnimin e punonjësve të saj dhe nxit zhvillimin e karrierës në bazë të vlerësimeve pozitive të punës së kryer. Po ashtu, DPT-ja merr masa për të gjithë ata punonjës tatimorë që shkelin ligjin me veprimet apo mosveprimet e tyre ndaj tatimpaguesve.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që t’i ruhet konfidencialiteti për të dhënat e veta tatimore.

    *Nëpunësit e administratës tatimore e kanë për detyrë të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave të tatimpaguesit. Ata i përdorin këto të dhëna brenda administratës tatimore dhe vetëm në masën e kërkuar për administrimin e tatimeve.
    *Shkëmbimi i informacionit ndërmjet administratës tatimore dhe institucioneve të tjera bëhet me kusht që të ruhet konfidencialiteti i informacionit tatimor të tatimpaguesve. Ky informacion u vihet në dispozicion vetëm autoriteteve të përcaktuara me ligj (gjyqtarëve, prokurorisë, kontrollit të lartë të shtetit etj.) pas depozitimit të një kërkese me shkrim dhe kur verifikohen rrethanat e përcaktuara me ligj.
    *Detyrimi i ruajtjes së konfidencialitetit përfundon në rastet kur tatimpaguesi heq dorë, me shkrim, nga kjo e drejtë dhe deri në masën e lejuar në deklarimin e tij.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë njoftim për aktet administrative, veprimet ose mosveprimet për mbledhjen e detyrimeve tatimore, të cilat prekin pasurinë e tij.

    *Administrata tatimore duhet t’i dërgojë tatimpaguesit, me postë rekomande, njoftimin e vlerësimit dhe kërkesën për pagesën e detyrimit tatimor, brenda 10 ditëve kalendarike nga data kur është bërë llogaritja e këtij vlerësimi.
    *Njoftimi i vlerësimit tatimor dhe kërkesa për pagesën e tatimit duhet të përmbajë: - informacion mbi të dhënat themelore identifikuese për tatimpaguesin, - datën e njoftimit, - çështjen për të cilën bëhet njoftimi dhe periudhën ose periudhat tatimore që ai mbulon, - shumën e tatimit të vlerësuar, - kamatëvonesën dhe gjobat, - kërkesën për pagesën e tatimit dhe afatin e pagesë, vendin dhe mënyrën e pagesës së tatimit, - shpjegimin e arsyes së vlerësimit dhe - citimin e të drejtës së tatimpaguesit për të ankimuar vlerësimin.
    *Procedura dhe elementet e përmbajtjes së njoftimit për tatimpaguesin janë të njëjta dhe kur administrata tatimore konstaton se ai nuk ka paguar detyrimet tatimore në vlerën dhe kohën e duhur si dhe për vendime të drejtorisë së apelimit tatimor pas vlerësimin tatimor në përgjigje të ankimit.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që t’i bëhen nga administrata tatimore, në zbatim të kompetencave të saj, kontrolle të arsyeshme, në kohë të arsyeshme, në vendin e duhur dhe brenda afateve ligjore. 

    *Caktimi i një tatimpaguesi si subjekt i kontrollit tatimor bëhet në bazë të analizës së riskut në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
    *Procedura e vendimmarrjes përfshin përcaktimin e bazën ligjore për kontrollin, detajimin e llojeve të tatimit që janë objekt i kontrollit, të periudhës ose periudhave tatimore për të cilat kryhet kontrolli tatimor, datën dhe orën kur ai fillon si dhe vendin ku do të zhvillohet. Ky informacion, së bashku me një përshkrim të të drejtave dhe të detyrave të tatimpaguesit gjatë kontrollit tatimor, përfshirë dhe të drejtën e ankimit të vlerësimit, si dhe kërkesën për vënien në dispozicion të informacionit specifik për këtë kontroll, me nënshkrimin e titullarit të zyrës, i vihet në dispozicion tatimpaguesit, subjekt të kontrollit tatimor, përmes një njoftimi të përgatitur nga administrata tatimore.
    *Raporti i kontrollit del brenda shtatë ditëve kalendarike nga data e përfundimit të tij dhe i dërgohet me postë tatimpaguesit.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë përgjigje me shkrim kur ka mosmarrëveshjeje për një vlerësim tatimor të kryer në lidhje me arsyet, mënyrën e vlerësimit dhe vendimin e marrë.

    *Me marrjen e vlerësimit, tatimpaguesi ka të drejtë të paraqesë me shkrim kundërshtimet e tij me argumentimin përkatës.
    *Në rastin e vlerësimit nga një kontroll tatimor, kundërshtimi i shprehur nga tatimpaguesi dhe arsyetimi i dhënë nga grupi i kontrollit për të, përfshihen në raportin përfundimtar të kontrollit.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që të marrë vërtetime nga administrata tatimore për të ardhurat e tatueshme, detyrimet tatimore të mbetura, si dhe për pagesat e kryera prej tij, pas një kërkese me shkrim, si dhe të kërkojë kopje të çertifikuara për çdo dokument në dosjen e tij tatimore, në rrugë elektronike apo shkresore.

    *Administrata tatimore krijon dhe përditëson dosjen tatimore, ku regjistrohen të gjitha detyrimet e tatimpaguesit, interesat, gjobat dhe pagesat të cilat bëhen dhe në mënyrë elektronike. Forma, mënyra dhe afati i ruajtjes së të dhënave të kësaj dosje përcaktohen me rregullore të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
    *Tatimpaguesi mund të shohë në dosjen e tij nëpërmjet internetit, si dhe mund të marrë të dhëna nga administrata tatimore në rrugë elektronike. Kur ai nuk e ka këtë mundësi, sipas kërkesës së tij me shkrim, administrata tatimore i vë në dispozicion kopje të dokumenteve të dosjes së tij.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që të emërojë një përfaqësues në marrëdhëniet me administratën tatimore.

    *“Përfaqësues i tatimpaguesit” është personi i autorizuar ligjërisht për të përfaqësuar tatimpaguesin në çështje tatimore.
    *Tatimpaguesi jorezident emëron një përfaqësues tatimor rezident i cili regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit kur kjo i kërkohet nga legjislacioni në fuqi.

Çdo tatimpagues ka të drejtë që të ankimohet, të parashtrojë argumentet e tij përpara marrjes së një vendimi nga administrata tatimore për të dhe pasurinë e tij, si dhe të ketë një shqyrtim të pavarur administrativ në rast ankimimi.

    *Tatimpaguesi ka të drejtë t’i kundërshtojë rezultatet e kontrollit tatimor nëpërmjet një arsyetimi me shkrim, brenda 5 ditëve kalendarike pas datës kur vlerësohet se raporti është marrë nga tatimpaguesi.
    *Tatimpaguesi mund të ankimojë kundër çdo njoftim vlerësimi, çdo vendimi që ndikon në detyrimin e tij tatimor, çdo mosplotësimi kërkese për rimbursim ose lehtësim tatimor, ose çdo akti ekzekutiv të posaçëm tatimor në lidhje me të.
    *Ankimi bëhet me shkrim dhe sipas udhëzimit të Ministrit të Financave. Ai dorëzohet në Drejtorinë e Apelimit Tatimor brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur vlerësimi ose vendimi i administratës tatimore është marrë ose vlerësohet të jetë marrë nga tatimpaguesi.
    *Drejtoria e Apelimit Tatimor shqyrton ankimin tatimor dhe merr vendim në bazë të provave dhe të argumenteve të paraqitura nga tatimpaguesi dhe administrata tatimore, si edhe duke kërkuar nga ta dokumentacion shtesë.
    *Drejtoria e apelimit, pas shqyrtimit të ankimit, vendos: a) lënien në fuqi të aktit, objekt ankimi dhe rrëzimin e ankimit; b) shfuqizimin/revokimin e aktit, objekt ankimi; c) ndryshimin e aktit, objekt ankimi, duke e pranuar pjesërisht ankimin.
    *Tatimpaguesi ka të drejtë ta paraqesë personalisht çështjen para drejtorisë së apelimit tatimor ose të caktojë një person për ta përfaqësuar para kësaj drejtorie.
    *Barra e provës për të vërtetuar se një vlerësim tatimor ose vendim është i pasaktë, bie mbi tatimpaguesin.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi