Regjistroni domainin tuaj .al

Artet figurative në shek. XVI-XVIII. Piktura

Shkruar nga:  
Postuar më: 13 vite mĂ« parĂ«

Në shek. XVI në fushën e arteve figurative vazhdoi të zotëronte në Shqipëri ikonografia, që shënoi atëherë kulmin e saj. Në këtë periudhë u realizuan mjaft vepra pikture të kishave dhe ikona, të cilat sot janë nga kryeveprat e kësaj fushe.
Shek. XVI është në artet figurative shekulli i Onufrit (Onufër Neokastritit), mjeshtrit më të madh të ikonografisë shqiptare, i cili krijoi stilin e tij dhe ishte i pari që bëri kthesën në pikturën postbizantine në Shqipëri. Historianët i atribuojnë vitin 1500 si vit të lindjes dhe atë të vdekjes vitin 1578.
Onufri ka ushtruar veprimtarinë e tij kryesisht në kështjellën e Beratit, ku ka bërë afresket e kishës së Shën Todrit, gjithsej 13 afreske. Sipas mbishkrimit të datës 23 korrik 1547 realizoi 31 afreske në kishën e Apostujve në Kostur (sot Greqi). Më 1554 bëri afresket në kishën e Shën Marisë, në zonën e Shpatit (Elbasan), të Shën e Premtes në Valsh (Elbasan), në kishën e Shën Kollit në Shelcan, si dhe në kishën e shpërfytyrimit në Zërzë të Përlepit (sot Maqedoni) më 1535. Në Berat realizoi ikonat e famshme të ikonostasit të kishës së Evangjelizmos (në Kala), të cilat janë kryeveprat e këtij mjeshtri. Këto vepra janë të përkryera nga mjeshtëria e lartë në realizimin e figurave, nga pasuria e ngjyrave, pikturimi i veshjeve dhe i ndërtesave me shumë nuanca ngjyrash dhe portrete psikologjike. Figurat e tij shquhen për origjinalitetin e tyre.
Ikonografia e Onufrit paraqitet harmonike përsa u përket ngjyrave, shquhet nga një formë e përkryer e realizimit të imazhit. Ai krijon një raport koloristik në ikona me mbizotërim të ngjyrës së kuqe, që e përdor në një mënyrë mjaft mjeshtërore dhe tërheqëse, duke e organizuar atë në praninë e jeshiles në smerald, drejt një uniteti tekniko-artistik të paarritshëm nga ikonografët e tjerë.
Ikonografia e realizuar nga Onufri mbetet një nga veprat më të arrira të pikturës ikonografike bizantine të realizuar në territorin shqiptar. Në këto ikona vërehet mbështetja në traditën e vjetër bizantine, por edhe ndikimi i artit të Venedikut, si edhe tradita e pasur e piktorëve vendës të shek. XIII-XIV. Rol të veçantë në formimin e Onufrit luajti qyteti i Beratit me kulturën shekullore, me qendrat e njohura të antikitetit pranë Apolonisë dhe Ballshit, si dhe me artin e pikturës murale të shek. XIII-XIV
Shek. XVI i takon edhe artisti tjetër ikonograf Nikolla (i biri i Onufrit). Ai vazhdoi në krijimtarinë e tij ikonografinë e Onufrit, duke lënë mjaft afreske dhe ikona që dëshmojnë për një cilësi të lartë profesionale. Ka pikturuar në kishën e Vllahernës në kështjellën e Beratit, në Kurjan të Fierit e në Dhërmi. Vepra të Nikollës ndodhen dhe në Arbanas të Bullgarisë. Në krijimtarinë ikonografike të Nikollës ndihet mjaft vazhdimësia tipologjike e ikonografisë së Onufrit. Afresket e kishës së Shën Mërisë Vllaherne në Berat, të realizuara në vitin 1578, dhe në kishën e Shën Kollit në Kurjan të Fierit, së bashku me piktor Joanin si dhe ikonat që trashëgohen prej tij, përfaqësojnë vlera të shquara artistike në pasurinë tonë ikonografike kombëtare.
Onufri, së bashku me nxënësit e tij, Nikolla (i biri) dhe Onufër Qiprioti, përbënin elitën e artistëve më të shquar të ikonografëve të asaj kohe. Së bashku konverguan në një hapësirë të përbashkët artistike. Themeluan një traditë të qartë për pasardhësit e tyre. Krahas tipareve që çuan më tej dhe pasuruan ornamentikën, krijuan njëkohësisht variante dhe subjekte të reja, zgjedhje kompozicionale të traditës bizantine, duke i dhënë ikonografisë vendase një tipar të ri e mbi të gjitha themeluan shkollën e Beratit (të pikturës) ose e Onufrit, e cila u reflektua në ikonografinë artistike të ikonografëve deri në shek. XIX.
Një tjetër piktor ikonograf, i cili punoi pranë ateliesë së Onufrit të madh, është dhe Onufër Qiprioti. Më 1571, kur Qipro pushtohet nga turqit, shumë piktorë ikonografë u larguan nga vendi i tyre duke emigruar në disa vende të Ballkanit si dhe në Venedik. Një ndër ta është dhe Joani i Qipros ose Onufër Qiprioti i cili më 1591 realizoi afresket në kishën e Shën Kollit në kalanë e Beratit. Viti 1591 është viti ku ne marrim sinjalet e para të ushtrimit të veprimtarisë artistike të këtij autori. Duke iu referuar vitit 1571, vitit të pushtimit të Qipros, mendojmë se Onufër Qiprioti mundet të ketë emigruar në Shqipëri në moshën 20 vjeçare duke sjellë me vete influencat e shkollës së Venedikut, Qipros dhe të Kretës.
Qëndrimi i tij në Berat pranë Onufrit të madh, bëri që ai të konsolidohej plotësisht si ikonograf. I vendosur më vonë në rrethinat e Gjirokastrës realizon afresket e kishës së Vrahogoranxisë në Gjirokastër më 1622. Nga datimet del se ky ikonograf ushtroi krijimtarinë e tij në një shtrirje kohore 31-vjeçare. Qiprioti mori shumë nga Onufri. Miniaturën e përfituar prej tij ai e pasuroi më shumë. Elementi që huazoi më tepër prej tij është kaligrafia e shkrimit, e cila nuk dallohet nga Onufri. Ai mbetet piktori i parë deri në shek. XVI që shkruan emrin në ikona. Dha ndihmesë të madhe në formimin e shkollës së Beratit si dhe në përhapjen e kësaj shkolle në jug të Shqipërisë. Shumë vepra që mbajnë firmën e tij radhiten në krijimet më të mira të ikonografëve shqiptarë dhe formuan një traditë me vlerë, mbi të cilën u mbështetën piktorët e tjerë të shek. XVIII, si Konstandin Shpataraku, Konstandin dhe Athanas Zografi, Çetirët, Joan Athanasi dhe Konstandin Jeremonaku. Portretet e realizuara prej Qipriotit në afreske dhe në ikona, ndryshe nga të tjerët, janë të pikturuara me ngjyra të ngrohta me dritë dhe transparencë. Kurse me plastikën e tyre krijoi tipat individualë.
Në mesin e shek. XVII, duke filluar nga viti 1643 ushtroi krijimtarinë ikonografi Konstandin Jeremonaku, i cili shfaqet me një miniaturë e stil të veçantë, në paraqitjen e figurave. Veprat e tij janë ndikuar nga shkolla e Onufrit. Ai e ka ushtruar veprimtarinë në zonën e Korçës. Për këtë dëshmojnë ikonat e gjetura në kisha, siç janë ato të kishës së Shën Gjon Vladimirit-Elbasan. Rreth këtyre viteve mendohet të ketë bërë dhe disa ikona të cilat datojnë në vitin 1711 në kishën e manastirit të Shën Naumit (Ohër).
Në shek. XVIII vihet re një gjallërim në jetën ekonomike e kulturore të Shqipërisë, që u shoqërua me formimin e një shtrese të pasur shoqërore, e cila çoi përpara krijimtarinë artistike. Kjo ngritje ekonomike i dha dorë zhvillimit të kulturës e arsimit dhe depërtimit të ideve iluministe të botës perëndimore të asaj kohe. Filluan të ngriheshin një numër i konsiderueshëm bazilikash të mëdha në Voskopojë, Korçë, Fier, Gjirokastër. Ngritja e nivelit të zhvillimit kulturor në Korçë, që lidhej edhe me traditat e vjetra, krijoi premisa për lindjen e shkollës së Korçës nga artistë vendas. Themelues i kësaj shkolle konsiderohet David Selenica, i cili pasohet nga Konstandin e Athanas Zografi dhe të gjithë piktorët e mëvonshëm që dolën nga kjo zonë. Davidi njihet si artist i madh në artin kishtar lindor në përgjithësi gjatë shek. XVIII. Kur arti kishtar në Ballkan ishte gati në rënie të plotë Voskopoja e Vithkuqi patën një zhvillim ekonomik e kulturor. Ai shkëputet nga krijimtaria e piktorëve të kësaj periudhe duke rizgjuar artin e periudhës më të shkëlqyer të mbretërimit të paleologëve. Po në kohën e Davidit filloi veprimtarinë si piktor Konstandin Shpataraku.
David Selenica e ka realizuar ikonografinë e tij në kishën e Shën Kollit në Voskopojë. Mendohet se ai është formuar si ikonograf në Malin Athos, dhe ka pikturuar narteksin e Kapelës së Virgjëreshës në manastirin Laura e Madhe, si dhe afresket e kishës së Shën Prodhonit në Kostur (1727) dhe ato në kishën e Shën Mërisë së Madhe në Selanik. Vetëm në kishën e Shën Kollit numërohen rreth dy mijë figura të pikturuara prej tij.
Më 1722-1726 David Selenica punoi afresket e kishës së Shën Kollit në Voskopojë me ndihmën e Konstandinit. Skenat e realizuara në muret e Shën Kollit kanë një lirshmëri të figurave. Tek ai gjejmë tema të apokalipsit nga historia dhe jeta e shenjtorëve. David Selenica shkëputet shumë nga krijimtaria e piktorëve të kësaj periudhe. Qe i pari që guxoi të cenonte traditën qindravjeçare që ishte në fuqi deri në atë kohë dhe nuk ngurroi aspak të fuste elemente të reja që ishin në kundërshtim me këtë traditë shekullore e të ngurtë, e cila e kishte bërë, tanimë, punën e saj. Duke ruajtur zgjidhjen monumentale ashtu si dhe në ikonografinë e Qipriotit dhe të Jeremonakut, Davidi kërkon në artin e tij ta përjashtojë kufirin e dukshëm që hasim në ikonografinë e mëparshme midis personazheve hyjnore dhe atyre tokësore. Tipologjia kristiane e imazhit bizantin shfaqet nëpërmjet ikonografisë së Davidit më e kapshme dhe më e kuptueshme në sajë të një realizmi, i cili nuk vihej re më parë në ikonografinë pasbizantine në Shqipëri. Skenat e pikturuara prej tij fitojnë një sens laik, në ribashkimin dhe në njëjtësimin e njeriut dhe të shenjtit të paraqitur. Pavarësisht se temat ruajnë versionin liturgjik kristian, kjo nuk e ka penguar David Selenicën, që me mjeshtërinë profesionale të fusë natyrshëm detaje nga jeta reale, duke hedhur fillimet e humanizmit të artit ikonografik bizantin në vendin tonë. Duke u larguar nga rregullat e artit bizantin, por jo nga elementet më të qenësishme që përbëjnë temat liturgjike, themelon një krijimtari ikonografike që sa vjen e çlirohet nga dogma, duke sjellë një Rilindje të dukshme në ikonografinë shqiptare. Me sa duket, lidhjet e Voskopojës (në kishat e së cilës David Selenica pikturoi), me qendra të mëdha mjaft të zhvilluara dhe iluministe, si Vjena, Budapesti, Lajpcigu, Venediku, zgjeruan më shumë mundësitë që arti ikonografik të ndryshonte edhe nën ndikimin e rinovimit të madh që po kalonte arti evropian.
Në kohën e Davidit fillon veprimtarinë Konstandin Shpataraku me origjinë nga Shpati i Elbasanit, vendlindja e Onufrit, i cili realizon më 1744 ikonat e ikonostasit të kishës së manastirit të Ardenicës. Në ikonat e tij ka elementë të rinj artistikë dhe të frymëzuar nga realiteti i kësaj epoke. Njëra prej veprave të tij, është ajo e Shën Gjon Vladimirit në ikonostasin e kishës së manastirit të Ardenicës, ku ka pikturuar princin shqiptar Karl Topia (1359-1388). Krijimet e tij konsiderohen si vazhduese të shkollës së Onufrit sidomos në realizimin e miniaturës dhe të tipave të portreteve, pa përjashtuar dhe ndikimet e shkollës së Malit Athos.
Shek. XVIII përfaqëson periudhën kur bëhen mjaft afreske dhe ikona. Në Vithkuq pikturohen muret e kishës së Shën Pjetrit, të kishës së Shën Kollit dhe të Shën Mërisë, ku skenat marrin një hapësirë më të gjerë në zgjedhjet kompozicionale dhe në lirshmërinë e pikturimit. Kjo ndihmohet edhe nga hapësirat e mëdha të krijuara nga ndërtimi i bazilikave. Piktorët e këtij shekulli ndjekin traditën e shkollës së Korçës e pikërisht atë të David Selenicës. Krijimtaria e vëllezërve Konstandin e Athanas Zografi zhvillohet në mesin e shek. XVIII (1720-1764), kur ata realizuan ikonat dhe afresket e tyre. Krijimtaria e tyre si dhe e nipërve Terpo dhe Eftimiu shtrihet në zonën e rrethit të Korçës e deri në kishat e Myzeqesë. Ajo mbështetet mbi traditën e shkollës së Malit Athos, ku ata studiuan dhe punuan, si dhe nën ndikimin e pikturës së Davidit. Më 1720 realizuan afresket e kishës së Metropolisë së Korçës, më 1745 ato të manastirit të Ardenicës, hajatin e kishës së Shën Kollit ku pikturoi edhe David Selenica më 1750, si dhe mjaft afreske në Hungari e në Malin Athos. Krijimtaria e tyre është e pasur edhe në ikona. Karakteristikë e këtyre ikonografëve është prirja për t`i veshur shenjtorët me rroba kombëtare. Krijuan skena të rralla, nga tematika e tyre, në lidhje me Apokalipsin, ku janë paraqitur kafshë alegorike dhe një numër i madh figurash. Në afresket e manastirit të Ardenicës ata pasqyruan edhe kompozitorin e njohur të botës së Bizantit të shek. XII me origjinë nga Durrësi, Joan Kukuzeli.
Në fillimin e shek. XIX vazhdoi krijimtarinë i biri i Konstandinit, i cili punoi në kishën e Vodicës afër Beratit (më 1805), në kishën e Shën Premtes në Përmet (më 1808), në kishën e Shën Konstandinit në Drenovë afër Korçës, më 1810. Kurse djali i Athanasit (Zografit), në këtë periudhë ka realizuar vetëm ikona, të cilat dëshmojnë për një rënie të këtij arti kishtar në këtë periudhë.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe gjatë gjysmës së parë të shek. XIX zhvilluan veprimtarinë e tyre piktorët e familjes Çetiri nga Grabova. Krijimtaria e tyre shtrihet kryesisht në krahinën e Myzeqesë, në Vlorë, Berat, Fier e në Lushnjë ku shumë afreske dhe ikona mbajnë firmën e tyre, si në kishën e Shën Vlashit (Vlorë) më 1792, të Shën Kollit (Vanaj – Myzeqe) më 1795, në kishën e Shën Thanasit në Karavasta (më 1797) etj. Lanë një krijimtari mjaft të pasur dhe kanë realizuar qindra skena në mure e në ikona. Tematika dhe stili i këtyre ikonografëve janë të njëjtë me ato të vëllezërve korçarë Konstandin dhe Athanas Zografi, si edhe të Konstandin Shpatarakut
Në shek. XIX, kur arti ikonografik ishte në rënie, shquhen veprat e piktorit Mihal Anagnosti. Veprat e tij konsiderohen si shfaqje të fundit të këtij arti ikonografik në Shqipëri. Ndryshe nga veprat e paraardhësve, krijimet e tij shquhen për një stil që dallohej nga ai i traditës së Bizantit, duke u afruar më tepër me ato të Rilindjes italiane. Megjithatë portretet e tij ngjasojnë më tepër me portrete orientale. Veprat e tij (ikonat), i bëri kryesisht për ikonostasin e kishës së Katedrales në Elbasan. Ai realizoi gjithashtu afresket dhe ikonat e ikonostasit të kishës së manastirit të Bigorskit (sot Maqedoni). Ky ikonograf shfrytëzoi dhe mori nga piktura paraardhëse shumë elemente artistike. Në veprën e tij rrezatojnë Onufri, Qipiroti, Nikolla, Shpataraku, Zografët etj.
Arti ikonografik përbën një pasuri të madhe në kulturën shqiptare. Në veprat e tij pasqyrohet shpirti krijues i piktorëve dhe shfaqen, njëherazi, shpirti dhe realiteti i popullit shqiptar.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi