Fan S. Noli

Fan S. Noli

Fan Noli është artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes. Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare. Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Thrakë, jo shumë larg nga Ederneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar nga shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashgoi një pronë tokë, nuk u muar me bujqësi, po shërbeu si psallt në kishëzën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur. Fanoli hoqi sëmundje të rënda, ndaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor.
Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belgjiane, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S'i eci mbarë. Studime nuk beri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punote atje, iu ngjall dëshira të merej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet" të Sami Frashërit.


Më 1906, i nxitur dhe i përkrahur nga patroitët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, që kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovenistëve grekë. Bëri punë krahu si punëtor në një fabrikë sharre, si pjatalarës etj. Megjihtëse nuk kishte bindje të forta fetare, u dorëzua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetare etj. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve shoveniste greke te shqiptarët me besim ortodoks. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federaten pan-shqiptare "Vatra". Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude).


Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga I. Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përseri shkoi në SHBA. "Vatra" e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë " Historia e Skënderbeut ". Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjërë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga A. Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, pas ngadhnjimit të të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Noli me shokë treguan butësi dhe ngathësi. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca te huaj. Më 24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mergimit politik dhe s'u kthye më në Shqipëri.


U vendos përkohësisht në Vjenë. Regjimi zogist e dënoi me vdekje në mungesë. Në periudhën 1925-1930, krahas veprimtarisë politike, zhvilloi një punë të dendur krijuese: shkroi vjersha, shqipëroi disa kryevepra të letërsisë botërore, me hyrje kritike, botoi artikuj të mprehtë për mbrojtjen e Revolucionit Demokratik të Qershorit, për denoncimin e regjimit zogist dhe të reaksionit ndërkombëtar. Pas vitit 1930, Noli u largua nga Evropa dhe u vendos përfundimisht në SHBA. Aty ushtronte funksionin e peshkopit të kishës ortodokse shqiptare. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri " Historisë së Skënderbeut", nxori në dritë një botim anglisht dhe më 1949 një variant të dytë shqip të saj: kurse më 1960 dha anglisht një " Autobiografi " të shkurtër mjaft tërheqëse. Vëllmin me vjersha "Album" u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjersha të fundit orgjinale dhe një tok shqipërime vjershash të poetëve të njohur. Më 20 nëntor vajti në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdel, mbylli sytë përjetë, më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.

 SHËNIME BIOGRAFIKE

6 janar 1882
Lindi në fshatin shqiptar të Ibrik-Tepesë (Qytezë) në Turqinë evropiane.

Fan Stilian NoliViti i hyrjes në gjimnazin grek të Edernesë. Në vjeshtën e vitit 1900 mbaron gjimnazin.

1900
Largohet për fare nga vëndlindja. Në Athinë nuk arrin të vazhdojë studimet e larta dhe për të jetuar detyrohet të punojë si karrocier trolejbuzi, kopist, sufler dhe aktor.

Mars 1903
Fillon si mësues në shkollën fillore greke të Shibin-el-Komit (Egjipt) ku njihet me Spiro Dinen, i cili e ve në kontakt me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për çlirim nga zgjedha osmane.

Korrik-gusht 1904
Boton skicat e para letrare në revistën demokratike greke "Numas" me emrin Theofan Mavromati.

Shtator 1905
Bashkëpunon me gazetën "Drita" të Shahin Kolonjës, ku boton artikuj me të cilët u përgjigjet sulmeve të shtypit shovenist grek.

Prill 1906
Me propozimin e Thanas Tashkos e Jani Vruhos shkon të organizojë ngritjen e shoqërive atdhetare në SHBA.

31 maj
Shkon në Bufalo, qendër e shoqërisë "Mall´ i mëmëdheut". Për ca kohë punon në një sharrë.

Korrik
Fillon punë si redaktor i gazetës "Kombi" ku punon deri në maj të vitit 1907. Në "Kombi", gazetë e parë shqiptare në SHBA, boton artikuj ku ngre probleme të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe para së gjithash çështjen e bashkimit të të gjitha forcave atdhetare përballë rreziqeve që i kanoseshin kombit.

1907
Boton dramën në tri akte "Israilitë dhe filistinë"

6 janar
Themelon në Boston shoqerinë atdhetare "Besa-Besën".

9 shkurt 1908
Merr përsipër misionin për themelimin e Kishës Shqiptare ortodokse në SHBA.

22 mars
Themelon Kishën ortodokse Shqiptare.

Dhjetor
Nis botimin e librave me karakter fetar, si "Shërbesat e javës së madhe" (Boston, 1908), "Libra e shërbesave të shenjta" (Bruksel,1909) , "Libra e të kremteve të mëdha" (Bruksel, 1911)

15 shkurt 1909
Boton numrin e parë të gazetës "Dielli" që e nxirrte shoqëria "Besa-Besën"

10 gusht
Viziton në disa vende të Evropës kolonitë shqiptare të Kishinievit e të Odesës, të Bukureshtit e të Brailës, si dhe të Sofjes dhe mban meshë në gjuhën shqipe.

31 mars 1912
Me punën e pandërprerë të Nolit themelohet në Boston Federata Panshqiptare "Vatra" që luajti një rol të shquar për mbrojtjen e interesave e të pavarësisë së Shqipërisë.

Qershor
Mbaron Universitetin e Harvardit.

Nëntor
Duke parë rrezikun që i kërcënohej Shqipërisë nga vazhdimi i Luftës Ballkanike, "Vatra" e nis me mision Nolin në Evropë.

Pranvëre 1913
Zhvillon një veprimtari të dëndur politike në Londër për një Shqipëri të pavarur brenda kufijve të saj etnike. I dërgon memorandume Ministrisë së Punëve të Jashtme të Anglisë për këtë çështje e boton disa artikuj në shtypin londinez.

2 mars
Noli shfrytëzon tribunën e Kongresit të Triestes ­ kundër copëtimit të Shqipërisë nga ana e Fuqive të Mëdha të mbledhura në aeropagun e Londrës.

Korrik
Viziton për herë të parë Shqipërinë, ku pritet nxehtësisht në Vlorë dhe Durrës. Në atdhe has në kundërshtime për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Maj 1915
Pasi qëndron më se dy vjet në Evropë, kthehet në SHBA. Gjatë kësaj kohe Fan Noli zhvilloi një veprimtari të dendur politike e propagandistike, si dhe për themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare në Shqipëri.

Korrik
Zgjidhet kryetar u Federatës Pan-shqiptare "Vatra".

8 shkurt 1916
Boton në "Dielli" artikullin "Shqiptari i shkelmuar" ku akuzon Fuqitë e Mëdha për copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Londrës.

Korrik
Në emër të Kuvendit të "Vatrës" proteston pranë Fuqive të Mëdha kundër synimit për të vendosur protektoratin italian mbi Shqipërinë.

15 mars 1918
Fan Noli në emër të "Vatrës" u drejton një deklaratë disa personaliteteve politike dhe shtetërore amerikane duke përfshirë edhe presidentin Vilson, kundër ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha në problemin shqiptar.

Shtator
Me iniciativën e Nolit e nën drejtimin e tij, botohet numri i parë i "Revistës Adriatiku" (The Adriatic Review) në mbrojtje të interesave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

26 korrik 1919
Zhvillohet ceremonia për zgjedhjen e Fan S. Nolit peshkop.

10 Shtator
Botohet në "Dielli" intervista e Fan Nolit dhënë gazetës amerikane "Dejli Telegraf", në të cilën denonconte Traktatin e fshehtë të Londrës për copëtimin e Shqipërisë.

Nëntor 1920
Rrethet demokratike përshëndesin lajmet mbi ardhjen e Nolit në Shqipëri. Qeveria shqiptare e emëron kryetar të delegacionit të saj në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Dhjetor
Më 17 dhjetor Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve. Noli e ka cilësuar këtë akt si suksesin më të madh të arritur perj tij në karrierën diplomatike.

1921
Nën kujdesin e shoqërisë "Arsimi" botohet në Boston "Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastrioti) mbretit të Shqipërisë, 1412-1468" prej peshkopit Theofan (Fan S. Noli).

Prill
Noli zgjidhet kryetar i Partisë Popullore, e para "parti" politike parlamentare në Shqipëri.

Gusht 1922
Me përpjekjet e vazhdueshme të Fan Nolit themelohet në Berat Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare që mënjanonte Patriarkanën të ndërhynte në çështjet kishtare.

Nëntor 1923
Në kishën e Shën Gjergjit në Korcë bëhet dorëzimi dhe fronësimi i Fan Nolit si peshkop I durrësit, Gorës dhe Shpatit.


Dhjetor
Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, Noli zgjidhet deputet i Korcës, e cila e kishte bërë edhe qytetar të saj. Opozita demokratike mundi të siguronte vetëm 1/3 e vendeve në Asamble.

1 Maj 1924
Noli merr pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, që u kthye në një manifestim të madh politik e mban një fjalim të zjarrtë përpara trupit të tij. Fjalimi e përshkojnë notat e revolucionit të afërm.

Maj
Në gjendjen revolucionare të krijuar, në Vlorë formohet Komisioni Politik Administrativ, i kryesuar nga Fan Noli, për drejtimin e lëvizjes kryengritëse që kishin shpërthyer forcat e Bajram Currit, të shoqërisë "Bashkimi" e të garnizoneve ushtarake të Shkodrës, Përmetit, etj.

10 qershor
Triumfon Revolucioni Demokratiko-borgjez. Noli ngarkohet të formojë qeverinë e re.

17 qershor
Fan Noli, në emër të qeverisë së re, shpall programin prej 20 pikash, që përbën një shprehje të aspiratave të shtresave të gjera të popullsisë.

10 shtator
Flet në seancën e 14-të plenare të Asmablesë së Lidhjes së Kombeve. Fjalimi u cilësua nga shtypi i huaj si "bomba e peshkopit shqiptar" dhe "një nga fjalimet që bënë më tepër bujë". Ai demaskoi veprimtarinë e Lidhjes së Kombeve se gjoja mbronte paqen apo synonte të zgjidhte çështjen e çarmatimit.

Dhjetor
Me anën e një proklamate, kryeministri Fan Noli, i drejtohet me një thirrje popullit shqiptar që të rrëmbejë armët për të mbrojtur fitoret e revolucionit nga ndërhyrja e bandave të armatosura të Ahmet Zogut, të ndihmuar materialisht e me trupa vrangeliste nga qeveria jugosllave.

24 dhejtor
Me gjithë rezistencën spontane të ushtrisë kombëtare e të forcave vullnetare, forcat e Ahmet Zogut hyjnë në Tiranë. Fan Noli e udhëheqës të tjerë u detyruan të largohen nga atdheu.

25 mars 1925
Forcat demokratike ­ revolucionare në emigracion themelojnë Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) e zgjedhin në krye të tij Fan Nolin.

1926
Boton në Bruksel në përkthim shqip veprat madhore të Shekspirit "Hamlet", "Makbethi", "Jul Qezari" dhe të H. Ibsenit "Armiku i popoullit" dhe "Zonja Ingra e Ostrotit", të pajisura secila me një analizë kritike.

28 nëntor
Në "Lirija Kombëtare" boton tri nga poezitë politike më të njohura të tij:

"Hymni i Flamurit"
"Syrgjynvdekur" (Elegji për L.Gurakuqin)
"Shpell´ e Dragobisë"(Elegji për B.Currin)


8 dhjetor
Denoncon paktin italo-shqiptare, të ashtuquajturin Pakti i parë i Tiranës dhe e quan atë si preludin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

1927
Boton në Vjenë (1926) versionin e parë të "Rubairave" të Omar Khajamit dhe në Bruksel versionin e plotë të pajisur me një analizë kritike dhe me shënime.

15 janar
Në gazetën e Nju-Jorkut "Herald Tribjun" u bën thirrje njerëzve paqedashës të mbarë botës për të ndaluar katastrofën që i kërcënohej Shqipërisë nga intrigat e fshehta të diplomacisë angleze e italiane për të ndezur zjarrin në Evropën Juglindore.

Prill
Zgjidhet kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional. Noli është ndër të parët që propagandon idenë për ta lidhur luftën e popullit shqiptar me atë të popujve të tjerë të shtypur të Ballkanit e të Evropës.

24 prill
Merr pjesë në hartimin e Deklaratës së përbashkët të Komitetit të Çlirimit Nacional e të Komitetit të Çlirimit të Kosovës.

1927-1928
Boton poezitë "Marshi i Barabajt" e "Kënga e Monarkisë".

1929
Merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar Antifashist që zhvillohet në Berlin.

Janar-shkurt 1930
Boton poezitë e mirënjohura "Moisiu në mal" dhe "Shën Pjetri në mangall". Afërsisht të kësaj kohe mund të jene¨edhe poezitë "Marshi i Krishtit", "Krishti me kamçikun", "Marshi i kryeqësimit", "Kirenari" dhe "Kryqësimi".

Prill-maj
Shkruan dy poezitë më të fuqishme të tij:

"Rent, or marathonomak"
"Anës së lumenjve"

Maj
Kthehet përsëri në SHBA, Ministri i Zogut në Uashington , Faik Konica, përpiqet ta bindë Nolin të heqë dorë nga rruga revolucionare.

1 nëntor
Fillon të botojë në Boston gazetën "Republika", me program që i përmbahej në vija të përgjithshme atij të KNÇ: Republikë, demokraci, pavarësi dhe kufi etnikë. Vazhdoi të dalë deri më 1933.

Mars-shtator 1932
Noli qëndron në Gjermani në pritje të vizës për t´u kthyer përfundimisht në SHBA.

Tetor-dhjetor
Kthehet në SHBA. Sëmuret rëndë nga pleumonia. Detyrohet të shtrohet në spital për t´u mjekuar.

1932-1933
Boton pjesën e parë të romanit "Don Kishoti" të Servantesit në pesë vëllime të shoqëruar me një analizë kritike.

1934
Sëmundja e rëndë, vetmia, braktisja e disa miqve e shokëve, si dhe perspektiva e paqartë dhe e zymtë e çuan Fan Nolin në një dëshpërim të thellë. Në këto çaste kaq të rënda psikologjike ai shkroi:

"S´kam më as nge, as qejf, as takat, për politikën… këllëçi im politik është varur në muze dhe nuk del s´andejmi kurrë".

1935
Kalon një jetë të vetmuar. Merret me studime nga më të ndryshmet dhe fillon mësimet në moshën 53-vjeçare në konservatorin e muzikës të Nju-Inglendit në Boston.

1936
Boton pjesë muzikore liturgjike nën titullin "Hymnore".

1937
Mbaron konservatorin e Muzikës.

28 qershor
Noli i jep një intervistë gazetës "Boston Post", ku ndërmjet të tjerash theksonte se ai nuk do të kthehej kurrë në Shqipëri, përderisa do të ishte në fuqi Zogu.


14 korrik
Gazeta "Dielli" boton një artikull që kritikon ashpër këtë intervistë të Nolit. Ne, theksonte gazeta, kishim mendimin se ai "kishte hequr dorë nga ngatërresat politike" dhe se kishte kuptuar më në fund "rëndësinë e tij si predikonjës i fjalës së perëndisë dhe, paskëtaj, nuk do të merrte më pjesë kundër mbretit as me fjalë tërthori, as me goditje drejtpërdrejt, as me rromuze në shtyp të huaj".

15 korrik
Përpara këtyre sulmeve, Noli u mjaftua të jepte një deklaratë të thatë dhe evazive se intervista e tij nuk ndiqte qëllime politike.

Prill 1939
Ndjek me shqetësim të madh lajmet tronditëse mbi përgatitjen për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Me fillimin e Luftës II Botërore humbi çdo lidhje me Atdheun.

Maj 1943
Noli hodhi poshtë propozimin e Zogut për ta vënë atë në krye të një qeverie mbretërore në mergim, por u shfaq i gatshëm të ishte eventualisht këshilltar i saj.

Dhejtor 1944
Me anën e një telegrami që i drejton kryeministrit të Britanisë së Madhe, Uinston Çërçill, kërkon njohjen e qeverisë demokratike provizore shqiptare.

1945
Në moshën 63 vjeçare, Noli merr titullin doktor në filozofi nga universiteti i Bostonit për disertacionin "Gjergj Kastrioti ­ Skënderbeu, 1405-1468" (George Castrioti Scanderbeg) që botohet më 1947.

Tetor
Konferenca e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e zgjedh Nolin kryetar nderi të saj për "kontributin e madh që ai kishte dhënë në fushën e kulturës dhe të letrave shqipe".

Janar 1947
Bashkatdhetarët festojnë 40- vjetorin e ardhjes së Fan Nolit në SHBA, koincidon me vënien në qarkullim të veprës "Bethoveni dhe revolucioni francez" ("Beethowen and the French Revolution").

1950
Noli boton veprën "Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1405-1468)", variant i ri i botimit të vitit 1921.

Shkurt 1959
Noli shkruan "Dhjatën" apo testamentin. Një nga kërkesat e tij themelore ishte që të thjesht e pa shpenzime.

1960
Botohet "Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare (1908-1958) nga Metropoliti Fan S. Noli".

Tetor-nëntor 1964
Shtrohet në një spital të Bostonit dhe më 2 nëntor operohet pa asnjë shpresë shpëtimi.

13 mars 1965
Pas një sëmundjeje të rëndë vdes në Florida në moshën 83-vjeçare
.

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi