"Lëkura e portokallit" është një problem shqetësues për 40 për qind të femrave, por këto të fundit në vend që të ndjekin një dietë dhe të kryejnë një aktivitet të rregullt fizik, preferojnë t‘i drejtohen kirurgjisë estetike. Celuliti që krijohet kryesisht te kofshët dhe të ndenjurat i detyrohet edhe pirjes së kontraceptivëve. Zakonisht janë gratë ato që preken më shumë nga celuliti. Ai fillon të shfaqet te vajzat rreth moshës 14-vjeçare. Celuliti formohet zakonisht te gratë pas lindjes dhe tek ato që marrin kontraceptivë oralë, sepse sistemi i eliminimit nuk mund të përballojë fluksin e madh të estrogjeneve në trup.
Kohët e fundit, celuliti është konsideruar një sëmundje. Faktori i parë që ndikon është raca dhe trashëgimia (zakonisht prek femrat e racës së bardhë, kryesisht ato mesdhetare). Faktori i dytë është jeta sedentare, mbipesha, stresi, mënyra e gabuar e të ndenjurit (qëndrimi i tepërt në këmbë ose këmbë përmbi këmbë), disa zakone të këqija (përdorimi i këpucëve me taka shumë të larta dhe veshjet e ngushta), etj. Zakonisht te faktorët e parë (raca dhe trashëgimia) nuk mund të ndërhyhet.
Mënyra më e mirë është të ushqehemi me produkte të trajtuara në avull ose me zierje, pasi janë plotësisht të asimilueshme dhe jo të dëmshme për organizmin. Gjatë humbjes së peshës, kërkohet ekuilibër në marrjen e ushqimit, përtypje e mirë, konsum i tre litrave ujë në ditë. Lënia e një vakti pa marrë ushqim është e dëmshme. Organizmi ka nevojë për ushqim, proteina, yndyrna etj. Për të humbur 1 kilogramë peshë trupore duhen harxhuar 7000 kalori energji. Mos prisni mrekulli kur bëhet fjalë për celulit. Por kombinimi i ushqyerjes dhe aktivitetit fizik të duhur, me eliminimin e stresit dhe trajtimet estetike, mund të rezultojë në zbutje të lëkurës. Rritja e qarkullimit të gjakut përmes masazhit padyshim që ndihmon në eliminimin e celulitit. Çelësi në parandalimin dhe luftimin e celulitit është pastrimi i trupit i kombinuar me aktivitet fizik, dietë të shëndetshme, reduktim të tensionit dhe përmirësim të qarkullimit të gjakut.
Zona problematike shfaqen në trajtën e edemës. Në këtë zonë ushtrohet masazh anticelulit me produktet specifike. Ky krem, në sajë të strukturës së tij me kokrriza, ndihmon në aktivizimin e ujërave dhe toksinave të mbetura, të cilat eliminohen dhe dalin jashtë përmes djersës ose rrugëve të jashtëqitjes. Më pas lëkura trajtohet me një serum i cili favorizon djersitjen. Kjo zonë e trajtuar lyhet me baltë, që ka në përbërjen e tij alga deti dhe parafinë. Është e domosdoshme të fashohet pjesa e trupit ku gjendet celuliti, në mënyrë që të realizohet më së miri efekti sauna dhe të ndihmojë në largimin e "lëkurës së portokallit".











