Gigi Buffon, çfarë ju ndodhi?
Ishte vërtet një periudhë e tmerrshme. Kjo sepse unë jam një njeri i qeshur, optimist dhe shumë i dashur. Por kur jeton diçka të tillë, nuk do mend që këto cilësi janë të rëndësishme dhe veçanërisht një lloj bekimi.
Ju keni shkruar: "Më dukej sikur koka ime ishte e një tjetri. Më dukej sikur jetoja gjetiu"...
Duhet të bashkëjetosh me një Gigi që nuk e sheh dhe deri sa diçka e tillë nuk të ndodh, nuk e kupton rëndësinë e situatës. Është për t‘u çuditur sepse kur isha fëmijë, me pafajësinë time pyesja veten se si ia bënin njerëzit e pasur, ose normalë kur binin në depresion.
Sigurisht që paratë dhe fama nuk ju mungonin...
Në fakt, vetëm atëherë e kupton se të gjitha komentet janë të pavlera dhe sipërfaqësore, sepse mund të jenë mijëra motive dhe nuk është e rëndësishme nëse je i pasur apo jo. Ajo që vlen është finalja, që unë isha "rob i depresionit".
Pse ratë në depresion?
Ndoshta e kupton se nuk arrin të gjesh gruan e duhur, nuk arrin të fitosh Kupën e Kampionëve, nuk arrin të vlerësosh atë që ke. Atëherë fillon të zhytesh në mendime dhe dyshime. Është e sigurt se për një minutë bie në depresion. Ka qenë me të vërtetë një periudhë e tmerrshme.
Çfarë mendonit?
Më kujtohet se thosha me vete: "Po ç‘më duhet se jam Buffon?". Fundja as njerëzve dhe as tifozëve nuk u intereson gjendja jote. Nga të gjithë shihesh si portier, idhull, por asnjë nuk të thotë: "Hej mik, si je?".
Ndiqeshit nga çmenduria dhe ishit vetëm...
Të gjithë të thonë të njëjtat gjëra: jepi, forca Gigi, kujdes ndeshjet që kemi të mërkurën dhe të dielën. E di, të pashë te "Paperissima". Por asnjë nuk thoshte: "Më fal, por ç‘të ka ndodhur?".
Kush ju shpëtoi?
Nëse ke një familje dhe lidhje të rëndësishme, (për fat të mirë unë i kam), janë të vetmet që mund të të japin një ndihmë.
Keni shkuar edhe te psikologia, apo jo?
Po, është e vërtetë, madje gjatë asaj kohe vlerësova dhe diçka tjetër. Mendoja se psikologët ishin "figura" që u zhvatnin para njerëzve të cilët nuk kishin besim te vetja. Në fakt, janë persona që të shërbejnë, sepse nëse gjen një të aftë, nuk ke frikë më pas të ballafaqohesh me figurën që ke përballë. Flet për gjithçka, hapesh, pa ndrojtje dhe ta bësh këtë, më besoni, është shumë e vështirë.
A keni menduar ndonjëherë ta braktisni fushën e futbollit?
E di ç‘mendon në ato momente? "Dreqi ta hajë, po pse jam Gigi Buffon, portieri i njohur?". Ndonjëherë bëhesh skllav i figurës tënde, i asaj që je. Nëse Buffon thotë: "Do të largohem dy muaj për të dalë nga depresioni", kjo ka marrë fund. Pas çdo here që gabon, në një ndeshje për shembull, do ta kujtosh gjithmonë këtë gjë. Atëherë është e kotë që të largohesh tre muaj për t‘u kuruar.
Marilyn Monroe thoshte: "Më mirë të vajtosh mbi një ‘Rolls Royce‘, se sa mbi një tramvaj të populluar nga mijëra njerëz"...
Ndryshe nga ajo që ka cituar ish-aktorja e famshme, unë udhëtoj me një "Fiat 500", që nuk është as e imja, por e Juves. Dua të them se nga ana materiale nuk më mungon asgjë, por më vonë e kupton se përveç materializmit, ato që kanë me të vërtetë rëndësi janë vlerat morale, emocionale dhe fetare. Kur të mungojnë, rrezikon.
Ndonjë histori e zezë që duhet fshirë nga kujtesa?
Parathënie: të gjitha fatkeqësitë që kam pasur, disa i kam kërkuar me vetëdije, jam përpjekur t‘i ruaj në kujtesë, me ose pa dëshirë. Por dua të fshij vetëm njërën prej tyre, atë të diplomës së blerë. Ishte një veprim i pahijshëm karshi të tjerëve, sepse zakonisht unë jam shumë besnik. Dëshiroj t‘u kërkoj të falur edhe prindërve të mi, të cilët janë profesorë: një fëmijë që blen diplomë, nuk është maksimumi për ta.
A ka diçka që nuk është shkruar në libër?
Shqetësimet e hershme në shkollë dhe kur shoh të gjithë këtë rrëmujë më vjen për të qeshur, sepse edhe unë kam qenë student e më kujtohet se si shkonin gjërat: 10 për qind kishin një ideal, ndërsa të tjerët ishin dele që ndiqnin masën. Vitin e fundit nuk e frekuentoja shumë shkollën dhe mezi prisja çastin që dikush të thoshte: "Djem, do bëjmë grevë". Isha i pari që u thosha të gjithëve të dilnin.
Bëheshit pjesë e grevave në 90 për qind të rasteve?
Po. Të tjerët më ndiqnin me dëshirë. Mbrëmjeve shkoja për të fjetur në shkollë, hynim brenda me motoçikletë, punonim si të çmendur. Atëherë thosha me vete: është e drejtë t‘i dëgjojmë këta djem? Por nuk duhet të harrojmë se shumë njerëz përfitonin. Një prej tyre isha dhe unë.
A ju vjen turp nga ndonjë gjë?
Jo, sepse kam ardhur shpejt në botën e futbollit, kur isha vetëm 17 vjeç dhe mendoj se i kam të gjitha të drejtat për t‘u rritur e për të bërë gabime. Natyrisht, ndryshe nga djemtë e tjerë, historitë e mia përfundonin menjëherë nëpër gazeta. Do të isha budalla nëse do të thosha se kjo më ka pëlqyer, por gjithsesi nuk ndihem në faj. Kam ëndërruar që fëmijërinë time ta jetoja ashtu si më pëlqente mua.











