Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shkaterrimi i sistemit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shkaterrimi i sistemit

Këta paskan rrjedhur të gjithë, që kur kërkokan të nxjerrin nga lumi gurin që hodhi i marri, thashë me vehte, ndërsa dilja nga zyra e Fatmir Xhafës të enjten në mëngjes. Mbledhur aty një grup juristësh, po i jepnin dorën e fundit materialit ankimues për anulimin e Ligjit të Dosjeve. Ishin 29 faqe me argumente e kundërargumente, sqarime e përkujtesa, analiza e citate latinisht, që rreknin të sqarojnë të pasqarueshmin. E gjitha kjo, për t‘i kthyer mëndjen njeriut që me qëllim e bëri ligjin të atillë. Fund e krye nonsens, pasi të dyja palët flasin me gjuhë që si qasen gjëkund njëra-tjetrës.

E dini cila është shpikja e madhe e kohëve moderne për t‘u ruajtur nga diktatorët në vende të mëdha, apo nga diktatorucët në vende si biçim ky i yni? Copëzimi dhe kompleksiteti i sistemit apo, e thënë me gjuhën e tyre, "ndarja e pushteteve". Sa më i komplikuar të jetë një sistem, sa më shumë organizma, ku të pavarura, e ku të ndërlidhura me njëra-tjetrën, sa më shumë institucione që rrogën e marrin nga shteti, por i përgjigjen popullit, pra sa më shumë të jetë i tillë, aq më të vështirë do ta kishte një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të shkarë, që ta kontrollojnë të gjithin.

Ne shqiptarët, të mësuar denbabaden me njëshin, qoftë ky i pari i fshatit, i bajrakut apo i vëndit, vetëm tash po e kuptojmë se sa me vlerë është të ngremë një sistem të tillë. Shqiptari i fundit që nuk e ka kuptuar këtë, apo më keq akoma, që nuk po do ta kuptojë, mbetet Sali Berisha. Të gjithë e kujtojmë Saliun e parë që, i vetëm, i mbyllur në zyrën e Presidencës, përpiqej dhe, me thënë të drejtën, ia dilte ende të kontrollonte gjithçka. Kaluan vite që atëherë, Saliu u kthye sërish në pushtet, bota dhe vëndi shkuan përpara, ndërsa për të, vitet tutje ai tëhu. Sot është praktikisht e pamundur që, i vetëm apo me një grup njerëzish, ta kontrollosh të gjithë sistemin: gjykata, prokurori, Kuvend, qeveri, bashki, komisione, komuna, ente, President, këshilla, parti, aleanca, media, interesa, vullnete, ëndrra, shpresa, e sa e sa të tjera. Ca të zgjedhura me votë, ca të opozitës, këtë e ka filani, atë e ka fisteku, kjo i jep llogari këtij, e ajo atij, kjo me 2/3-at ajo me ½-ën, pa fund.

Në këtë moment, Berisha dalëngadalë dhe skandal pas skandali, ka filluar të kuptojë se diçka ka ndodhur në ato dhjetë vjet që ai nuk ishte më pjesë e sistemit, po sheh se nuk mund të kontrollohet më e gjitha njëherësh. Jam i bindur se, nëse këtë do ta kishte kuptuar që në fillim të qeverisjes, një pjesë të marrëzive që ka bërë nuk do t‘i kish bërë. Nuk do zhytej në atë farë feje në historirat e rrugës, në historitë e Fazliçit, të tregtisë së armëve, të kompjuterëve fals, të tokave në bregdet, të familjarëve që janë bërë herë hinkë e herë ulluk parásh, të tenderëve të energjisë, të tenderëve të pasaportave, të ARMO-s, e plot të tjerave. Do kish vjedhur e abuzuar me shtetin e pushtetin, por jo kaq. I bëri të gjitha se besonte se do të qe në gjendje sërish të kontrollonte gjithçka, po s‘ia doli.

Sot është vonë. Ka kuptuar që shqiptarët dhe Evropa dolën më të zotë dhe se nuk mund ta kontrollojë të gjithën, ndaj s‘ka javë të mos i plasë nga një e çarë në anijen e tij të shpartalluar. Sa arrin, ku me hir e ku me pahir, të mbyllë një të çarë, i plas një tjetër. Atëherë cila është zgjidhja? Si të gjithë diktatorucët e të gjitha kohërave që, në momentin e provës, vënë në kandar në njërën anë vendin e tyre e në tjetrën kokën e vet, edhe ai e ka gjetur zgjidhjen: të shkatërrojë sistemin. Pasi përpiqet ta blejë, ta trembë, ta korruptojë a ta vonojë, atë pjesë të sistemit që nuk i bindet, si mjet të fundit ka ta shkatërrojë. Këto 4 vjet dhe, veçanërisht viti i fundit, ka parë të shkatërrohen sa e sa mekanizma të sistemit që shqiptarët, me aq mund e djersë, po përpiqeshin t‘i ngrinin.

Ajo që po ndodh sot me Ligjin e turpshëm të Dosjeve, është kjo dhe vetëm kjo: Ai po përpiqet të shkatërrojë ato pjesë të sistemit që me mjete të tjera nuk i vuri dot nën hyqëm. Ne të tjerët që e shohim, mund të themi mos, po është gjynah, po na duhen këto institucione, po ligji, po pavarësia, ndërsa Ai është më i qarti nga të gjithë: Nëse nuk ia dal ta shkatërroj unë atë, do të më marrë lumi mua. Vetëm një logjikë e tillë darviniste, mund të të bëjë të flesh i qetë pasi ke detyruar të tredhurit e oborrit tënd të votojnë një ligj që shkel 28 nene të Kushtetutës. Për kë ia ka ngenë, po ia numëroj: shkelen nenet 3, 4, 7, 30, 34, 45, 49, 71, 81, 87, 90, 92, 98, 115, 116, 124, 127, 128, 131, 135, 137, 138, 139, 140, 145, 147, 149, 169 të Kushtetutës (!!!).

E kuptuat tani pse m‘u dukën ashtu ata juristët që ishin mbledhur kokë më kokë dhe mbushnin faqe me argumente për marrëzinë e këtij ligji. Më duket se e teprova. Ata juristë të nderuar nuk po shkruanin që t‘i mbushnin mëndjen Saliut, por Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit suprem në këtë vend që, edhe kjo është pjesë e asaj shpikjes së madhe moderne të sistemit të komplikuar.

I ndrittë shpirti kujt e shpiku!

SIKUR

Ah sikur të vijë në fuqi një Qeveri që do të ndalojë me dorë të hekurt ndërtimet pa leje dhe të bllokojë shkatërrimin e mjedisit, të anulojë licencat e shfrytëzimit të lumenjve dhe të guroreve, të ndalojë makinat të parkojnë në trotuar dhe parqet të mbushen me pallate, të ndalojë fshatarët të presin pyjet dhe qytetarët të djegin plehrat... Çdo të ndodhë pas kësaj? Asgjë, një Qeveri e tillë do të bjerë brenda 48 orëve.

Janë aq të shumtë shqiptarët që kanë dorë e pjesë në një nga këto zarare, jemi përfshirë e përzierë aq shumë me të keqen, bashkëjetojmë aq gjatë me qeveri që bëjnë pis, sa rrezikon që me një qeveri normale të mos ia dalim dot të bashkëjetojmë. Ndaj, edhe qeverive, u del më mirë hesapi të vazhdojnë udhën që kanë zënë, sesa te rrezikojnë nëpër monopatin e thepisur e gjithë rreziqe të reformave të thella dhe që, për sa kohë janë në zhvillim e sipër, duan punë.

Ky paradoks a mendim së prapi, mund të mblidhet me fjalët: Shqiptarët nuk duan një qeveri që mendon për popullin, por një qeveri që e do populli. Një qeveri që mendon për popullin, do të qe ajo që do ndërmerrte hapa që për momentin nuk të bëjnë popullor, por që kur u duken rezultatet, të gjithë do thonin hallall e pastë, ndërsa një qeveri që e do populli, është ajo që shkon me parimin bëni çfarë të doni, vetëm mua qeverinë më lini këtu në karrige të bëj edhe unë çfarë të dua.

Po në Zvicër a Holandë, a e do populli qeverinë. Natyrisht që e do, e megjithatë atje askush nuk pret pemët e as ngul tabela "Toka asht xanun". Meqë ra fjala, kushedi se si mund të përkthehet në holandisht kjo frazë? Nejse. Ditën e parë që shqiptarët do fillojnë të mendojnë për një qeverisje që nuk i do siç i ka dashur deri më sot "merrni por më lini të marr, ndoshta do të jetë edhe dita e parë e të përpjetës sonë drejt Zvicrës a Holandës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama