Struktura ekonomike dhe shoqerore e viseve shqiptare ne vitet 30-40

Në çerekun e dytë të shek. XIX viset shqiptare, me gjithë përparimin që ishte dukur në zhvillimin e ekonomisë në periudhën e mëparshme, karakterizoheshin ende nga prapambetja e theksuar dhe ruanin gjithnjë tiparet e një vendi agrar të prapambetur. Shumica dërrmuese e popullsisë merrej, si edhe më parë, me bujqësi e blegtori. Në fshat banonin, ku më shumë e ku më pak, rreth 87% të banorëve të këtyre viseve.
Shqipëria ishte e begatë nga natyra, kishte mjaft toka pjellore, siç ishin: fusha e Zadrimës, tokat e Rrafshit të Dukagjinit, të Fushë-Kosovës, të Gjilanit, trevat bregdetare fushore midis Shkodrës e Durrësit që bashkëkohësit i quanin “të shkëlqyera, të vaditura nga shumë rryma uji”, fushat midis Tiranës dhe Elbasanit etj. Në juglindje shtrihej fusha pjellore e Korçës. Toka pjellore gjendeshin edhe në pellgun Strugë-Ohër-Resnjë. Për pjellorinë e tyre shquheshin edhe fushat e Delvinës, të Pargës, të Paramithisë, të Margëllëçit, të Filatit etj. Pjelloria e luginës së Dropullit kishte tërhequr vëmendjen e agjentëve konsullorë e ushtarakë anglezë, francezë dhe austriakë. Në trevën e Çamërisë dhe në ndonjë vend tjetër merreshin dy prodhime në vit. Toka të përshtatshme për bujqësi kishte edhe në trevat malore në Guci, në luginat e Mirditës, në Malin e Sharrit, në viset kodrinore të Drenicës, të Podgorit, të Pejës, në Lugun e Drinit në viset malore midis Lezhës, Krujës, Durrësit dhe Elbasanit, që në mjaft raste ishin punuar më mirë se në viset fushore.
Megjithatë ekonomia bujqësore karakterizohej nga një prapambetje e theksuar. Në viset e Shqipërisë së Ulët Bregdetare sipërfaqe të mëdha tokash qëndronin të përmbytura nga ujërat. Por edhe në fushat jomoçalore sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore, ndonëse mjaft pjellore, rrinin të papunuara, pasi, për shkak të zotërimit të pronave të mëdha çifligare, popullsia fshatare në këto fusha ishte shumë e pakët. Përqindja më e madhe e popullsisë fshatare ishte përqendruar në viset e brendshme.
Kudo toka punohej kryesisht me parmendën e drunjtë të pajisur me një plor hekuri dhe të tërhequr nga penda e qeve ose e buajve. Parmenda me rrota përdorej aty-këtu vetëm në zonën e Shkodrës. Si në Ballkan, ashtu edhe në Shqipëri plehërimi sistematik i tokave ende nuk njihej. Tokat plehëroheshin vetëm rastësisht me pleh organik. Sipërfaqen më të madhe nën kulturë për çdo ekonomi agrare e kishte Kosova. Rendimentet në bujqësi ishin shumë të ulëta. Rendimentet më të larta siguroheshin nga misri, i cili zinte në gjithë Perandorinë Osmane vendin e parë në kulturat bujqësore. Si drithëra buke pas misrit vinin gruri, thekra dhe elbi. Orizi kultivohej në disa vise të Shqipërisë së Ulët Bregdetare (në fushat e Tiranës, të Ishmit, të Shkumbinit, të Kavajës e të Shkodrës). Ndër bimët industriale vendin e parë e zinte duhani, i cili kultivohej kudo; liri, kërpi dhe meli mbilleshin në sasira të kufizuara; pambuku kultivohej vetëm në trevën e Tiranës, të Maliqit e të Devollit. Në Shqipërinë Bregdetare kishte ullinj me shumicë, aq sa vaji së bashku me duhanin zinin vendin e parë ndër artikujt bujqësorë që eksportoheshin nga Shqipëria. Vreshtaria ishte mjaft e përhapur si në fushë, ashtu dhe në malësi. Në Shqipëri njiheshin në përgjithësi të gjitha perimet që kultivoheshin në Perandorinë Osmane. Më të përhapurat ishin fasulja, thierza, qepa, lakra, preshi e kungulli. Fshatarët kudo merreshin me rritjen e bletëve, në disa vise gjithashtu me kulturën e mëndafshit.
Krahas bujqësisë një vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit zinte, si edhe më parë, blegtoria. Madje në disa vende ajo ishte dega kryesore e ekonomisë. Blegtoria përbëhej kryesisht nga dhentë e dhitë dhe më pak nga bagëtitë e trasha. Një pjesë e mirë e fushave të Shqipërisë, si ajo e Ulqinit, Zadrima dhe Bregu i Matit, shfrytëzoheshin më shumë si kullota dimërore sesa si toka bujqësore. Bjeshkët kryesore të Kosovës, si Podgori, Rugova, Juniku, Jezeri e sidomos Sharri, të pasura me kullota e me lirishte pyjore, ushqenin një numër të madh bagëtish të imëta, kurse fushat e Kosovës e të Pollogut dalloheshin për numrin e madh të tufave të bagëtive. Udhëtarëve të huaj u kishte tërhequr vëmendjen pasuria e madhe në bagëti të imëta e të trasha e fushës së Myzeqesë. Treva midis Strugës, Pogradecit, Voskopojës, Korçës, Kolonjës, Konicës, si edhe krahina e Labërisë shquheshin gjithashtu për zhvillimin e blegtorisë. Në Shqipëri ishte zhvilluar edhe rritja e shpendëve, një pjesë e të cilëve eksportohej në viset më të ngrohta; në vendet ku mbillej mani rritej krimbi i mëndafshit.
Nuk kishte pothuajse asnjë ekonomi fshatare pa ekonominë ndihmëse blegtore. Madje, në disa vise malore, mjaft familje fshatare të ardhurat kryesore i siguronin nga blegtoria. Në blegtori, ashtu si edhe në bujqësi përdoreshin mjete e metoda të prapambetura.
Sikurse fshati, edhe qyteti nuk ishte shkëputur ende nga prapambetja ekonomike. Përqindja e ulët e popullsisë qytetare (rreth 13% e popullsisë së vendit) pasqyronte shthurjen me ritme të ngadalshme të ekonomisë natyrore në fshat dhe sundimin e plotë të prodhimit zejtar në qytet. Në fund të viteve 30 qytetet më të rëndësishme në trevën e katër vilajeteve? ishin Manastiri (35 000 banorë), Shkodra (25 000 banorë), Janina (25 000 banorë), Prizreni (20 000 banorë) dhe Shkupi (15 000 banorë). Vinin pastaj Gjirokastra (10 000 banorë), Peja (10 000 banorë), Prishtina (10 000 banorë), Elbasani (8 000 banorë), Berati (8 000 banorë), Ohri (8 000 banorë), Tirana (7 000 banorë), Gjakova (7 000 banorë), Tetova (5 000 banorë), Korça (5 000 banorë), Dibra (4 000 banorë), Kruja (4 000 banorë), Preveza (4 000 banorë) etj. Në të gjitha qytetet zotëronte ekonomia e vogël zejtare. Edhe tregtia zhvillohej me vështirësi për shkak të rrjetit të prapambetur të komunikacionit. Në këto vise edhe rrugët e karrove e të qerreve nuk ishin të mjaftueshme. Transporti i brendshëm kryhej kryesisht me kafshë barre. Në Janinë, në Shkodër, në Prizren, në Manastir, në Berat e gjetkë ishin shfaqur prej disa dhjetëvjeçarësh më parë punishte të tipit manifakturor, por ato ende nuk ishin çliruar nga normat tradicionale esnafore.
Edhe përsa i përket strukturës shoqërore të popullsisë, viset shqiptare ruanin ende tiparet e shoqërisë feudale, ndonëse tashmë në shthurje të shpejtë. Grupimin kryesor shoqëror në ekonomi e formonin, si edhe më parë, feudalët çifligarë së bashku me funksionarët e lartë të aparatit burokratik dhe shtresat e sipërme të klerit, të cilët përfaqësonin rreth 0,2% të popullsisë së vendit. Veç kësaj, edhe pse sistemi i timareve u hoq në fillim të viteve 30, një pjesë e feudalëve i ruante ende pozitat ekonomike të mëparshme. Krahas bejlerëve çifligarë, të cilët zotëronin sipërfaqe të mëdha tokash të punueshme e të papunueshme, sundonin ende feudalët derebej, spahinjtë e timareve dhe bajraktarët e malësive.
Në radhët e prodhuesve të fshatit zotëronin gjithashtu shtresat e mëparshme - fshatarët pronarë, të cilët formonin gjithnjë shumicën dërrmuese të popullsisë agrare (84-86%). Por, sado që zyrtarisht ishin çliruar nga sistemi i timareve, ata ndodheshin gjithnjë nën varësinë e derebejve, të spahinjve ose të bajraktarëve. Pjesën tjetër të popullsisë agrare (14-16%) e përbënin fshatarët pa tokë, bujq e argatë, të cilët vazhdonin të mbeteshin nën varësinë ekonomike të bejlerëve çifligarë.
Në katet e larta të popullsisë qytetare qëndronin, si edhe në shekullin e kaluar, krerët e esnafëve dhe reshperët e mëdhenj së bashku me aparatin burokratik dhe me ulematë. Pjesën dërrmuese (afërsisht 76-80%) të popullsisë qytetare e formonin zejtarët e thjeshtë dhe tregtarët e vegjël. Pjesën tjetër (afërsisht 20-24%) e përbënin shtresat e ulëta, të zhveshura nga çdo lloj pasurie, të cilat formonin vegjëlinë qytetare (kallfët, çirakët, shegertët, muratorët, druvarët dhe punëtorët e ndryshëm të krahut).
Politika obskurantiste që Perandoria Osmane kishte ndjekur për katër shekuj me radhë, jo vetëm e kishte lënë vendin me një rrjet arsimor shtetëror të prapambetur, por kishte krijuar një situatë mbytëse edhe për ngritjen e shkollave private të arsimit të përgjithshëm. Porta e Lartë kishte nxitur vetëm zhvillimin e arsimit fetar (islamik në turqisht, ortodoks në greqisht dhe katolik në italisht). Megjithatë edhe numri i shkollave fillore e fetare turke (mektebeve dhe medreseve) ishte shumë i kufizuar, kurse ai i shkollave fetare të krishtera edhe më i pakët. Brenda katër vilajeteve, ku bënin pjesë viset shqiptare, kishte vetëm një shkollë të mesme të arsimit të përgjithshëm - gjimnazi greqisht “Zosimea” në Janinë. Si rrjedhim, në vitet 40 gati 98% e popullsisë ishte analfabete. Madje në shumicën dërrmuese të fshatrave nuk kishte asnjë njeri të shkolluar, qoftë edhe me arsim të ulët, fillor.
Shkaktare kryesore e kësaj prapambetjeje të përgjithshme ishte vetë Perandoria Osmane, e cila me regjimin e saj feudal-ushtarak kishte penguar për shekuj me radhë zhvillimin e lirë ekonomik e kulturor të vendit. Ndonëse gjatë njëqind vjetëve të fundit ekonomia natyrore kishte hyrë në rrugën e shthurjes dhe vendin e saj po e zinte ekonomia e tregut, qarqet sunduese osmane vazhdonin të ruanin regjimin e vjetruar politik feudal, absolutizmin sulltanor me karakter teokratik mesjetar, që nuk u përshtatej kushteve të reja historike. Jeta politike në Shqipëri ndodhej ende nën zgjedhën e derebejve, të funksionarëve parazitarë dhe të ulemave fanatikë, të cilët, ndryshe nga feudalët çifligarë, ishin të shkëputur nga sfera e prodhimit dhe e shkëmbimit. Ata i nxirrnin të ardhurat e tyre kryesisht duke grabitur popullsinë me anën e dhunës ose arkën e shtetit me anën e posteve qeveritare. Si rrjedhim i dhunës, i grabitjes, i arbitraritetit e i pasigurisë, ekonomia e viseve shqiptare ndodhej në një amulli të theksuar. Për këtë arsye, punishtet e para manifakturore që kishin filluar të lindnin nëpër qytete qysh në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVIII mbetën në hapat fillestarë nuk u kthyen në industri të mirëfillta kapitaliste. Edhe pronësia tokësore çifligare, e cila gjithashtu ishte rritur qysh në shek. XVIII, në vend që të përvetësonte, siç ishte e natyrshme, format e ekonomisë së tregut, ishte gozhduar në qerthullin e marrëdhënieve feudale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama