Qendresa antiosmane ne Shqiperi

Pas pushtimit të kështjellave të viseve perëndimore shqiptare në fillim të shek. XV, osmanët vendosën edhe në këtë rajon të Shqipërisë administratën e tyre pushtuese. Nëpërmjet regjistrimeve të herëpashershme të banorëve e të tokës dhe të ndarjes së saj në prona të vogla feudale (timare), pushtuesit vendosën sistemin feudal ushtarak osman të timareve, që ishte i ngjashëm me sistemin e pronies bizantine. Kjo lloj prone ishte në shpërbërje të plotë në prag të pushtimit osman dhe shoqëria shqiptare ndodhej në fazën e zhvilluar të feudalizmit, ku prona tokësore shitej e blihej lirisht. Nëpërmjet këtyre regjistrimeve osmanët i zhveshën fisnikët shqiptarë nga pronat e mëdha tokësore dhe nga pozitat e tyre drejtuese. Përveç kësaj, sulmet e njëpasnjëshme të ushtrive osmane për pushtimin e trojeve shqiptare, të shoqëruara me dhunë të egër e me shkatërrime masive, me rrëmbim të fëmijëve për të mbushur repartet e jeniçerëve si dhe me rrëmbimin e të rriturve për t`i shitur si skllevër, e dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit dhe shkaktuan një pakënaqësi të thellë në të gjitha shtresat shoqërore, duke i bashkuar e duke i ngritur këta në luftë kundër armikut të përbashkët, pushtuesit të huaj osman. Qëndresa dhe lufta e shqiptarëve shpërtheu kudo në forma të ndryshme deri në kryengritje të fuqishme.
Përballë një pushtuesi shumë të fuqishëm e të organizuar mirë, siç ishte Perandoria Osmane, një pjesë e shqiptarëve braktisnin përkohësisht vendbanimet e veta, duke u strehuar në vise të thella e malore, ku mund të përballohej më lehtë dhuna e pushtuesve. Të tjerë morën rrugën e mërgimit dhe u vendosën në Itali e në vende të tjera të huaja.
Braktisja e fshatrave nga banorët u bë një dukuri e përhapur në rajonet ku zhvilloheshin luftime ose që gjendeshin pranë rrugëve nga kalonin ushtritë pushtuese. Kjo dukuri është pasqyruar në regjistrin kadastral osman të vitit 835 h. (1431-1432), në të cilin janë shënuar me dhjetëra fshatra e qendërbanime të braktisura plotësisht e toka buke të bëra djerrina, që gjendeshin në rajonet pranë qendrave ushtarako-administrative, si Gjirokastra, Kanina, Berati, Kruja etj.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë shfaqej në forma të ndryshme. Shumë familje përpiqeshin t`u shmangeshin regjistrimeve kadastrale që administrata osmane ndërmerrte herë pas here. Gjatë regjistrimeve ato largoheshin përkohësisht nga vendbanimet e tyre e fshiheshin. Spahinjtë, nga ana e tyre, përpiqeshin t`i zbulonin familjet e fshatrat e fshehura dhe të vilnin prej tyre rentën. Në regjistrin kadastral të vitit 835 h. (1431-1432) gjenden mjaft shënime për zbulimin e familjeve, e deri të fshatrave të tëra, që ishin fshehur e kishin mbetur të paregjistruara. Kështu, p.sh., në krahinën e Korçës e të Përmetit vetëm dy spahinj (Sunkurxhe Beu dhe Abdullahu) kishin zbuluar dhe regjistruar për herë të parë 212 familje.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë shpërthente edhe në forma më të ashpra. Masa të tëra fshatarësh nuk pranonin të shkonin para komisioneve të regjistrimit dhe me armë në dorë i kundërshtonin ato, duke krijuar situata të rrezikshme për jetën e personave që duhej të shkelnin nëpër fshatra për të kryer regjistrimin e banorëve e të tokave. Përballë një qëndrimi të tillë, në shumë raste zyrtarët e kryenin regjistrimin formalisht e në kundërshtim me ligjet e tyre, pa shkuar në fshatrat përkatëse. Kështu p.sh. gjatë regjistrimit të lartpërmendur, për një numër të madh fshatrash të krahinave të Këlcyrës, të Kurveleshit etj. ai u bë formalisht, sipas të dhënave që ishin shënuar në regjistrat e mëparshëm. Kurse shumica e fshatrave, që gjendeshin në krahinat ndërmjet lumenjve Shkumbin dhe Erzen, u regjistruan sipas deklarimit gojor të spahinjve të tyre. Me dhjetëra e dhjetëra fshatra të tjera nëpër krahina të ndryshme nuk iu dhanë menjëherë spahinjve, por u shënuan nëpër regjistra si mevkuf (të bllokuar) për t`ua shpërndarë atyre më vonë. Numri i familjeve të fshehura arrinte në qindra.
Sanxhakbejlerët dhe funksionarët e tjerë osmanë përdorën gjerësisht e vazhdimisht forcat e tyre ushtarake për të zbatuar sistemin e timarit. Ata ndërmerrnin sulme të herëpashershme mbi fshatrat e pabindura dhe i shndërronin ato në gërmadha. Dhunës së tyre shqiptarët iu përgjigjën me luftë të armatosur, duke vepruar në bazë fshati, madje edhe banorët e disa fshatrave bashkëvepronin kundër pushtuesve. Në regjistrin e vitit 835 h. (1431-1432) ka shënime që cilësojnë fshatra apo timare të formuara me disa fshatra si "çerdhe qafirësh", "të hedhur në revoltë" etj. Për fshatin Luzat të Kurveleshit është vënë shënimi se "është fshat tradhtar, tre-katër herë dërguan njerëz, por nuk u kthyen".
Objekt i luftës së fshatarësisë u bënë edhe feudalët spahinj. Shënimet e regjistrit të vitit 835 h. (1431-1432) përmendin mjaft raste të vrasjes së spahinjve dhe të zhdukjes së tyre pa lënë gjurmë. Në rrethana të tilla shumë spahinj osmanë i braktisën timaret. Rrjedhimisht pushteti osman detyrohej t`i zëvendësonte spahinjtë me persona të tjerë. Kështu p.sh. në vilajetin e Pavël Kurtikut, të Çartallozit, të Tomoricës, të Këlcyrës etj., gjatë regjistrimit të vitit 835 h. (1431-1432), asnjë timar nuk ishte më nën zotërimin e spahinjve me origjinë të huaj, që kishin qenë gjatë regjistrimit të mëparshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama