Kryengritja e vitit 1847 ne Shqiperine e Jugut

Në Shqipërinë e Jugut Porta e Lartë e shpalli me bujë Tanzimatin (dekretin e Gjylhanesë) më 1845, në një ceremoni të organizuar në Janinë. Por kishte vite që vendi po i ndiente pasojat shkatërrimtare të ekspeditave ushtarake dhe të arbitraritetit të nëpunësve grabitqarë osmanë. Në sanxhakun e Beratit, të formuar rishtazi, që përfshinte edhe krahinat e Vlorës, të Mallakastrës, të Skraparit e të Përmetit, u ngarkua me detyrën e mytesarifit Hysen pashë Vrioni, çifligari më i madh i atyre trevave. Forca të rëndësishme ushtarake, një pjesë e të cilave udhëhiqeshin nga Hysen pashë Vrioni, filluan të përshkonin vendin duke çarmatosur popullsinë dhe duke nxjerrë me forcë taksa e nizamë. Një dëshmitar i kohës, Demir agë Vlonjati, tregon se, sapo afroheshin ekspeditat turke, të gjithë njerëzit iknin nga shtëpitë “sikur të kishte rënë murtaja”. Zbatimi me dhunë e me vrazhdësi i reformave, ndonëse në krye u bë vetëm në disa krahina, e kishte shtuar së tepërmi urrejtjen e masave popullore ndaj sundimtarëve osmanë dhe kishte përgatitur truallin për një kryengritje të re.
Duke e ndier këtë rrezik, qeveritarët osmanë i ftuan krerët e Toskërisë në Manastir për t’i bindur që të hiqnin dorë nga qëndresa e të pranonin Tanzimatin. Të njëjtën gjë bënë në Janinë me rreth 800 agallarë e koxhabashë të fshatrave, si edhe me përfaqësues të parisë së qyteteve e të institucioneve fetare. Ata zyrtarisht u dhanë autoriteteve osmane përgjigje pozitive, por në të vërtetë, siç doli më vonë, shumica kishte vendosur ta kundërshtonte me të gjitha mjetet sistemin e ri.
Për organizimin më të mirë të qëndresës, krerët e Shqipërisë së Jugut mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës, në qershor 1847, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga mjaft krahina të Shqipërisë, kryesisht të asaj të Jugut. Shumicën dërrmuese në kuvend e përbënin përfaqësuesit e fshatarësisë. Kuvendi u shpreh kundër Tanzimatit dhe vendosi të mos jepeshin ushtarë, të mos paguheshin taksa të reja dhe të mos pranohej administrata e re osmane. Ai mori edhe vendime të tjera me rëndësi të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar, myslimanë e të krishterë, një dhe të pandarë, bëri thirrje që të gjithë, pa përjashtim, të hidheshin në luftë kundër sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që t’u sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja. Kuvendi porositi që forcat e armatosura shqiptare, të cilat do të mblidheshin në krahina të ndryshme, të mos i shkaktonin as dëmin më të vogël popullsisë dhe ushqimi i luftëtarëve të sigurohej nga taksat e vjetra që jepte vendi. Mbi këto baza u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut ose, siç u quajt, “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Lidhja formoi një komitet për drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake, në krye të të cilit u zgjodh Zenel agë Gjoleka nga Kurveleshi, i dëgjuar për trimërinë dhe për përvojën luftarake që kishte fituar në kryengritjet e viteve 30.
Kur në fillim të korrikut xhelepçinjtë erdhën në Kurvelesh për të mbledhur taksat e bagëtive, ata u pritën me armë nga popullsia. Zenel Gjoleka me 500 luftëtarë u drejtuan kundër Delvinës, qendër e administratës osmane, të cilën e çliruan. Kryengritja përfshiu gjithë Labërinë dhe brenda pak kohësh u përhap edhe në trevën e Çamërisë, të Përmetit dhe sidomos të Mallakastrës, ku fshatarët kryengritës zgjodhën si udhëheqës Rrapo Hekalin. Në të njëjtën kohë shpërthyen kryengritje në trevat veriore, në rrethet e Elbasanit, të Tiranës, të Matit, të Dibrës, të Plavës e të Gucisë.
Çifligarët vrionas mobilizuan të gjitha forcat e tyre dhe, të përkrahur nga reparte ushtarake turke, sulmuan Mallakastrën. Një betejë e ashpër që zgjati tri ditë u zhvillua në fshatin Greshicë. Kryengritësit, të cilëve u erdhën në ndihmë fshatarë nga Myzeqeja dhe nga krahina e Vlorës, i shpartalluan forcat armike dhe kapën të gjallë Isuf bej Vrionin me të vëllanë, që kryesonin ekspeditën; të dy i ekzekutuan në Qafën e Sinjës.
Pas kësaj fitoreje kryengritësit, rreth 1 000 veta, me Rrapo Hekalin në krye, iu drejtuan Beratit dhe e rrethuan. Pas disa ditë luftimesh qyteti ra në duart e tyre. Kryengritësit u përpoqën të merrnin kështjellën ku ishin strehuar qeveritarët turq e vendas, si edhe forcat turke, por u detyruan të tërhiqeshin nga zjarri i fortë i artilerisë. Për të mbajtur kalanë të rrethuar, në Berat u grumbulluan forca të reja të ardhura nga krahinat përreth, deri nga Dangëllia e Përmeti. Ndërkohë, forcat e shtuara të kryengritësve, të udhëhequra nga Zenel Gjoleka, po arrinin suksese të reja. Pasi shpartalluan një ushtri turke që vinte nga Janina, ata sulmuan Gjirokastrën dhe e rrethuan garnizonin në kala.
E shqetësuar nga këto humbje dhe nga përhapja e gjerë e kryengritjes, qeveria e Stambollit, e cila në fillim mendonte t’i bënte ballë kryengritjes me forcat që kishte në vend, mobilizoi trupa të reja, të cilat u përqendruan sidomos në Manastir e në Janinë për të asgjësuar vatrat më të rrezikshme të kryengritjes në jug. Qeveria turke zuri edhe brigjet detare, për të ndaluar ndihmën që mund t’u vinte kryengritësve nga Muhamet Aliu i Egjiptit. Për t’i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar në Gjirokastër, u dërgua nga Thesalia një ushtri prej 3 000 vetash nën komandën e një feudali shqiptar, Shahin bej Kosturit. Por, që në përpjekjet e para me kryengritësit në jug të Gjirokastrës, forcat turke u thyen nga forcat shqiptare të udhëhequra nga Zenel Gjoleka.
Fitoret e kryengritësve bënë bujë në Shqipëri dhe jashtë saj. Jehona e tyre u ndie edhe në Kosovë, ku filluan të dukeshin shenjat e një lëvizjeje të re. Nëpunësit turq braktisnin në panik postet sapo dëgjonin për afrimin e kryengritësve. Udhëtari anglez E. Spenser, që udhëtonte në këtë kohë nëpër Shqipëri, shkruante: “Heroi i ditës kudo është Gjoleka”.
Për të siguruar suksesin e plotë të kryengritjes, Komiteti i Lidhjes u përpoq të gjente edhe një aleat të jashtëm. Për këtë qëllim ai iu drejtua Greqisë, marrëdhëniet e së cilës me Stambollin në këtë kohë ishin acaruar. Qeveria greke tregoi interesim të veçantë për kryengritjen shqiptare, jo vetëm sepse përpiqej t’i shkaktonte vështirësi Turqisë duke nxitur shqiptarët, duke u premtuar edhe ndihma materiale e financiare, të vijonin luftën, por edhe sepse synonte që ta vinte kryengritjen shqiptare në shërbim të saj për të realizuar lakmitë territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, që ishin shpallur zyrtarisht qysh më 1844 me të ashtuquajturën Megali Idea (Idea e Madhe). Këto qëllime ishin shkaku që bisedimet ndërmjet Zenel Gjolekës dhe kryeministrit grek J. Koletis nuk patën sukses.
Bisedimet shqiptaro-greke dhe rreziku që mund t’i vinte nga një aleancë e mundshme ushtarake ndërmjet kryengritësve e Greqisë e shtynë Portën e Lartë të vepronte më me vendosmëri për ta nënshtruar sa më parë Toskërinë. Sulltani i shpalli “fermanllinj” Zenel Gjolekën e pasuesit e tij. Një ushtri prej 15 mijë vetash u nis nga Manastiri në drejtim të Beratit.
Zenel Gjoleka e Tahir Çapari, në krye të 1 500 kryengritësve, më 28 gusht 1847 i dolën përpara ushtrisë osmane prej 5 000 vetash, që ishte nisur nga Janina. Pas përleshjes që zhvilluan me të në fshatin Dholan, në verilindje të Janinës, i shkaktuan asaj disfatë. Me këtë fitore para kryengritësve u hap rruga për në Janinë, të cilën mund ta merrnin edhe për shkak se garnizoni i qytetit përbëhej në shumicë nga ushtarë shqiptarë. Por marshimi i mëtejshëm i kryengritësve drejt Janinës u ndal për shkak të lajmit se forcat e tjera ushtarake osmane po përparonin nga Manastiri drejt Beratit e Mallakastrës. Zenel Gjoleka u hodh në Labëri, ku ishin drejtuar forcat e shumta osmane.
Kryengritësit e udhëhequr nga Rrapo Hekali goditën forcat ushtarake të komandantit të Rumelisë gjatë rrugës drejt Beratit, në afërsi të këtij qyteti. Sapo ushtria turke iu afrua qytetit, garnizoni i rrethuar doli nga kalaja dhe sulmoi kryengritësit në qytet. Duke u ndodhur midis dy zjarresh dhe përballë fuqive shumë më të mëdha, kryengritësit u tërhoqën nga qyteti në rrethet e tij dhe vijuan luftën të ndarë në çeta më të vogla e me sulme të befasishme.
Nga Berati ushtria osmane u hodh në Vlorë për t’u bashkuar me pjesën tjetër që kishte ardhur nga deti dhe për të ndarë forcat kryengritëse të Rrapo Hekalit nga ato të Zenel Gjolekës. Prej andej ushtria u drejtua për në Labëri, ku nuk hyri dot nëpërmjet Grykës së Kuçit, sepse aty ishin përqendruar kryengritësit e Zenel Gjolekës, por nga ana e Mesaplikut. Ushtria osmane dogji fshatrat Bolenë, Kuç, Kallarat etj.
Reparte të tjera ushtarake osmane zbarkuan në Himarë për t’u rënë kryengritësve prapa krahëve. Në kushte të tilla edhe Zenel Gjoleka i ndau kryengritësit në çeta më të vogla. Njëra prej tyre u ndesh me forcat osmane në fshatin Palavli, në fushë të Delvinës. Ndonëse luftuan me trimëri, kryengritësit u thyen përballë ushtrive të shumta armike.
Me shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, trupat osmane përdorën gjerësisht terrorin mbi popullsinë, duke e vijuar ekspeditën ndëshkuese edhe gjatë dimrit 1847-1848. Ato mundën të shtinin në dorë udhëheqësit kryesorë të kryengritjes, si Rrapo Hekalin me të vëllanë Hamitin, Tahir Çaparin dhe mbi 1 000 luftëtarë të tjerë, të cilët i burgosën dhe i internuan. Rrapo dhe Hamit Hekali vdiqën në burg, ndërsa Zenel Gjoleka me një grup besnikësh u tërhoqën në Greqi, ku gjetën strehim. Ushtria turke arriti të shuante njërën pas tjetrës vatrat e qëndresës edhe në trevat e tjera. Qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë e Jugut.
Kryengritja e 1847-ës shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në drejtimin e saj. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, ashtu siç ishte vendosur në kuvendin e Mesaplikut. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes. Në një nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët “sos lëfton për vete, / por për gjithë vilajete” dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton “as për mua, as për ti, / po për gjithë Shqipëri”. Duke folur për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome.
Në folklor gjejmë mjaft të dhëna edhe për karakterin shoqëror të kësaj kryengritjeje të drejtuar, ashtu si edhe të tjerat, kundër grabitjes nga shteti osman dhe nga feudalët e mëdhenj vendas. “Nizam e xhelepe s’ka / është vendi fukara”, thuhet në një këngë. Dhe në një memorandum, të hartuar nga krerët e lëvizjes më 15 gusht 1847, kryengritësit vinin në dukje se nuk kishte kush të përkujdesej për “fakir fukaranë”.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama