Kinemaja Shqiptare

Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-12. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Sallat e para të kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativë private pas Luftës I Botërore, në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat.
Filmat e parë u bënë nga të huajt; ata qenë kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike të Europës apo SHBA, si dhe nga amatorë.
Menjëherë pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave, importit, dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë dhe në maj 1948 u shfaq kinokronika e parë shqiptare. Në një vend me përqindje të lartë të analfabetizmit në vitet ‘40-’50, shteti i dha rëndësi shtimit të numrit të sallave dhe aparateve lëvizës, si dhe importit të filmave kryesisht nga vendet e Europës Lindore, Franca e Italia.
Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovietik Luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës). Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë Fëmijët e saj, film i shkurtër, punë diplome (1957, regj. H. Hakani), dhe Tana (1958, regj. K. Dhamo).
Vitet ’60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit, kryesisht me subjekte nga Lufta kundë pushtuesve fashistë e nazistë (1939-44) dhe nga reformat e viteve të para pas Luftës. Bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani.
Në vitet ’70, me shkurtimin drastik të importit, si rezultat i politikës së izolimit të ndjekur nga shteti në fushën e kulturës,u shenua një rritje të ndjeshme të prodhimit, nga 5-6 filma artsitikë në vit në fillim të periudhës, deri në 8-10, për të arritur në 14 në vitet ’80. U zgjerua gama e zhanreve; u bënë filmat e parë për fëmijë, ku u shqua regj. Xh. Keko, (ndër filmat e saj përmendim Beni ecën vetë, 1975); kinokomedia e parë Kapedani (1972, regj. F. Hoshafi e M. Fejzo); u bënë filma historikë e muzikorë; po zhanri më i pëlqyer mbeti filmi dramatik. Krahas të tjerëve bënë filma një brez i ri regjisorësh, R. Ljarja, S. Kumbaro, I. Muçaj, K. Mitro, E. Mysliu. Nisi prodhimin e filmave artistikë edhe TV Shqiptar ( Udha e shkronjave, 1978, regj. V. Prifti).
Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet ’80 filmi artsitik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe para Luftës II Botërore. Në ekran u afirmuan regjisorë të tjerë me filma si Ballë për ballë (1979, regj. K. Çashku e P. Milkani), Dora e ngrohtë (1983, regj. K. Çashku), Agimet e stinës së madhe (1981, regj. A. Minga), Kohë e largët (1983, regj. S. Pecani), Tela për violinë (1987, regj. B. Kapexhiu), etj. Në vitet ‘70-’80 prodhimi i filmave dokumentarë u stabilizua në rreth 20-40 në vit, dhe pati tipare të thella propagandistike, po edhe kulturore; lindi filmi vizatimor shqiptar me filmin Zana dhe Miri (1975, realizues V. Droboniku e T. Vaso), i cili arriti deri në 16 filma në vit.
Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në një kinostudio dhe në TV Shqiptar, qe fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, dhe industrisë kinematografike. Deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare. Në fund të viteve ’80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse. Por baza industriale e teknike në këtë periudhë erdhi duke u vjetëruar.
Në vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella.Kinostudioja e dikurshme u nda në disa studio, dhe filmat tani prodhohen kryesisht nga shtëpi filmike private (kryesisht regjisorë të kinostudios së mëparshme) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), të ngritur në mesin e viteve ’90, dhe me producentë të huaj. QKK është qendër e re e administrimit të filmit në Shqipëri, që ka dhënë tashmë rezultatet e para; aktualisht prodhimi kinematografik kryhet në bazë të Ligjit për Kinematografinë, mjaft i diskutuar nga kineastët.
Shkollimi i kineastëve shqiptarë nisi në vitet ’50 në vendet e Europës Lindore; më pas, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u bë më jashtë vendit, por brenda vendit, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, ose me specializime në Kinostudio.
Kritika dhe studimet për kinemanë u zhvilluan disi krahas rritjes së prodhimit, kryesisht nga vetë kineastët apo nga gazetarë. Revistë e posaçme ka qenë në vitet ’80 Skena dhe Ekrani, e cila pushoi së botuari në fillim të viteve ’90. Në Qendrën e Studimeve të Artit të Akademisë së Shkencave historia e kinemasë shqiptare studiohet në një departament të veçantë.
Deri në fillim të viteve ’90 kineastët kanë qenë të organizuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; më pas ata u veçuan dhe formuan Shoqatën e Kineastëve Shqiptarë.
Arkivi Shtetëror i Filmit, dikur departament i Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitet ’90 u bë institucion më vete. Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit.
Që prej vitit 1976 në Shqipëri janë organizuar Festivale Kombëtare të Filmit, në fillim një herë në dy vjet për të gjithë filmat, e më pas në mënyrë alternative, një vit për filmin artistik, e një vit për filmin dokumentar e vizatimor. Në vitet ’90 festivalet janë organizuar një herë në pesë vjet. I fundit, Festivali XI – prill 2000, mblodhi gjithë prodhimin e pesë vjetëve, 10 filma artistikë, 27 dokumentarë, 14 vizatimorë. Në prodhimin e viteve ’90 vazhdon të ndjehet tipari i thellë social, preokupimi i artistëve për problemet e shoqërisë, në veçanti të lidhura me dukuritë e reja të periudhës së tranzicionit. Një numër filmash kanë stigmatizuar totalitarizmin. Në këtë festival, për herë të parë u shfaqën prodhime të kineastëve shqiptarë nga trevat e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në dy festivalet e fundit (1995, 2000), përveç çmimeve të tjera, u dhanë edhe çmime të karierës, të cilat u fituan nga regjisorët Dh. Anagnosti e K. Dhamo, e nga aktorët K. Roshi e S. Pitarka.

Sot kinemaja shqiptare përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni e përshtatjeje me ekonominë e tregut. Përveç rënies së prodhimit ne sasi edhe rrjeti i sallave të kinemave ka zbritur ndjeshem, dhe vetëm kohët e fundit jane bere dhe po bëhen përpjekje për ngritje sallash të reja bashkëkohore si kinemaja “MILLENIUM” ne Tirane dhe nje tjeter ne Elbasan. Nga ana tjetër, forcat krijuese janë të shumta dhe entuziaste, të çliruara nga trysnia etatiste, totalitare, dhe ekonomike e përqendruar, si dhe me iniciativë private përherë në rritje. Mund te thuhet se kinemaja shqiptare sot ndodhet midis nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar në kushte të caktuara, dhe së ardhmes në ndërtim e sipër.


Abdurrahim Myftiu



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama