Gjuha ... Dhe nje pjese e gurmazit

Fati i gjuhës shqipe është për të qarë. Një degë e lisit indo-gjermanik, si shoqet e saj sanskritishtia, latinishtia, greqishtia e vjetër, persishtia, etj., dhe aq' e vjetër sa ato, - shqipia mbeti gjer më këtë ditë e njomë po pa fletë e pa lule, kur shoqet çuditnë botën me lulëzimin e tyre. Tani, ca elementet t' erëta në Shqipëri kanë zaptuar ministrin' e Mësimit dhe po përpiqen t'a majnë gjuhën fare. Mbase ca nga ata dëshërojnë të mbarojnë dhe u duket se po mbarojnë punë; po shumica, pa dyshim, janë armiq të gjuhës, dhe duan, duke përdredhur e duke shtypur organet e shqipes, t'a lënë sakate që të hiqet xvarrë e shtrembëruar.
Shikoni. Jaria nj'a tre'qint fjalë që munt të quhen internacionale, janë hequr ca nga gërqishtia e vjetër, ca nga latinishtia, dhe janë bërë malli i njerëzisë, se gjithë bota i di, i mer vesh gjithë bota. Munt të përdoret e të kuptohet lehtë fjala thjeshtë shqipe larkfolës (siç munt të thonë, dhe ca thonë, në Gjermani, Fernsprecher), në vent të telefonit: po nuk është nevojë; fjala telefon ësht'e përgjithëshme; s'ka nonjë fitim për gjuhën, për popullin, a për njeri, që të preferohet fjala nacionale larkfolës. Po armiqt' e fshehtë të gjuhës, s'pëlqejnë as fjalë të ra kur janë të mira, si larkfolës; dëshërojnë fjalë makaronike si togjer dhe bashki, se ashtu e do qëllimi prishës i tyre.

Një tjatër pun' e bukur që bëjnë, është të kthyerit e fjalëve nga kuptimi i tyre dhe të dhënët një kuptim të ri. Fjalës i paditur, i dhanë kuptimin i kallzuar për një faj; fjalës i pandehur, i dhanë kuptimin i dyshuar se ka bërë një faj; fjalën i aratisur e zgjothnë që të zërë vendin e fjalës firar, ndonëse i aratisur thohet për një që ka humbur udhën ose s'dihet se ku ndodhet në kurbet. (Është vërtet se Gegët kanë një fjalë i paditun, që ndofta ka lidhje me italishten bandito, me kuptimin i kallzuar; po trazimi me fjalën i paditur në kuptimin i pamësuar ësht' i domosdoshmë dhe përandaj përdorimi i të dy fjalëve nuk është praktik).
Sido që në qoftë, Torbeshët me ca dinakë të tjerë vendosnë që t'i japin shkelmin shqipes, dhe të fabrikojnë një gjuhë të re të themeluar mi shqipen. Na pëlqen a s'na pëlqen, kjo gjuh'e re po bëhet nënë sytë t'ona, dita me ditën, dhe jemi të shtrënguar t'a nxemë, se ndryshe pas pakë kohe s'do të marrim vesh dot se ç'thonë gazetat e Shqipërisë.
Për të stërvitur Vatranënt në gjuhë të re, kemi për të botuar nga nonjë herë ca mësime. Do të jenë pakë të rënda, si çdo gjë e re: po me kurajë dhe durim, do të bëni përparime.

Mësimi I
Toskua, me që ka parë shkolla të larta, ësht'i ditur; po me që e kërkon Gjykatoria, ësht'i paditur. Ashtu, Toskua ësht' edhe i ditur edhe i paditur.
Moskua, me që s'ka hapur kurrë një librë, nuk ësht'i ditur, po me që s'thotë as Policia as njeri se është fajtor, nuk është i paditur. Ashtu Moskua s'ësht'as i ditur as i paditur.
U-voth një kec në stan, dhe besojnë se Toskua është ay që e vodhi. Toskua është pra i pandehur. Fajtor ose i pafajshëm, Toskua mori malet i papandehur. Toskua është pra edhe i pandehur edhe i papandehur.
Dikush tha se kecin munt t' a kete vjedhur Moskua, po xhandaret u përgjiqnë që Moskua nuk ësht'i pandehur. N'ato e sipër hyri në polici Moskua; dhe me që e dijin se s'fshihej, s'hyri i papandehur. Moskua pra nuk është as i pandehur as i papandehur. .
Toskua, kur mori malet, u-bë i aratisur, se fshihej nga xhandarët; po duke qenë se i njeh me pëllëmbë udhët dhe shtigjet, nuk u-aratis as një minutë. Do më thënë, Toskua ësht'i aratisur po nuk ësht'i aratisur.

Moskua dolli për gjah dhe humbi udhën dhe ka dy ditë që po sillet vërdallë, i dëshpëruar, nga pyll në pyll; është pra i aratisur; po kanuni nuk e kërkon, dhe nuk ësht'i aratisur. Do më thënë edhe Moskua, si Toskua, ësht' i aratisur, po nuk ësht'i aratisur.
Me gjith' këtë, ndodhja e Moskos ndryshon fare nga e Toskos. Se Moskua dëshëron të dalë nga pylli, po s'di si të dalë; Toskua di si të dalë, po s'dëshëron. Moskos i vjen keq që nuk është si Toskua; dhe Toskua qan që nuk është si Moskua. Po sikur t'u thuash të çkëmbejnë ndodhjen e tyre, s'dëgjojnë. Se Moskua do që të mos jet' i aratisur, dhe nuk është po prapë është; Toskua nuk ësht' i aratisur, dhe do që të mos jetë po prape është.
Mësimi II
Profesorit Qelqmath i ngjau një e papëlqyer: Tek punonte në laboratuar të tij, hyjtin pesë xhandarë me pisqolla në grusht, dhe i britnë, "Ngre duart, se je i paditur". Profesori hapi gojën dhe ngriti duart, po si mblodhi pakë veten protestoj me zemërim, dhe u thotë xhandarëve, "Gënjeni, se mua tërë bota më njohin si të ditur". - "Vërtet, je i ditur", thanë xhandarët, "po nga që je i ditur, je i paditur", - "0 Perëndi!" briti Profesori "qenkan të prishur mënç!" - "Ja se si" thanë xhandarët; "është helmuar një pus, dhe shumë njerës që pinë nga ujët e tij vdiqnë. Helmi i përdorur është aq' i hollë sa s'ndjehet në shie. Policia mendon se vetëm një njeri i ditur në barërat munt t'a ketë bërë këtë faj. Përandaj, Profesor, ti, si i ditur që je, u-dekllarove i paditur, dhe ne erthmë të të zemë" - "Shikoni se ç'gjarpër i frikshëm!" ulërijti profesor Qelqmadhi. Xhandarët, të trembur, kthyen kokën të shohin, dhe Profesori me një herë u-hoth nga penxheria dhe mori me vrap udhën e pyllit. Xhandarët, kur kuptuan dinakërinë, j'u-sulnë pas duke zbrazur pisqolla, po më kot, se Qelqmadhi u-çduk në mes të druve.
N'ato sipër, u dolli mb'udhë xhandarëve nxënësi i Profesorit, dhe i qëndroj duke u britur: "Xhandarë! Zemëni, se pusin e helmova unë!" - "Ja tek qenka i pandehuri i vërtetë!" tha një xhandar. - "Dhe është fare i papandehur, se s'i shkonte njeriut mendia te ky çilimi" u-përgjigj një tjatër.
"Është një i pandehur i papandehur" dekllaroj një xhandar i tretë.
Pastaj, i thanë nxënësit: "Eja pra të të shpiem në burg, se je i paditur".
"Atje gënjen( tha djali "se jam nxënësi më i mirë i Profesorit Qelqmath. Nga ana tjatër, po të burgosni gjithë të paditurit, duhet tërë popullin shqipëtar t'a burgosni dhe të hyni ju të parët në të Tralos". - "Mos fol aqë shumë" urdhëruan xhandarët; "nukë thamë që s'je i ditur, po thamë që je i paditur. Tani, përpara!" Dhe xhandarët u-nisnë, me të diturin të paditur të pandehurin të papandehur në mes.
Udhës, nxënësi, me një zë që dridhej nga frika, i thotë një xhandari: "'Bobo ç'na gjeti! Ti paske kolerën, shoh në fytyrën tënde gjithë shenjat e sëmundjes." Xhandarit i ra të hollët nga dëshpërimi. Të tjerët u-përndanë, të kafshuar nga zegli i panikës. Nxënësi, pa humbur kohë, vrapoj dhe hyri në pyll, u-bashkua me Profesorin, uruan njëri tjatrin për ****** që kishin ngrehur, dhe muarnë të përpjetën nëpër shkëmbinjtë. Xhandaret, si kuptuan grackën, u-bashkuan dhe me një tërbim të math u-sulnë dhe ata në pyll, ku humpnë udhën, dhe, pas ca orësh kërkimi, arrijtin në funt të një shkëmbi dhe ranë mbë dhe, të dëshpëruar, - kur na dëgjojnë një të qeshur; shikojnë lart: Profesori me nxënësin e tij kanë ndenjur dhe po tallen me xhandarët duke mpshtetur dorën në majë të hundës. Dhe me një herë, ky fjalim nis në mes të dy palëve.
Xhandarët: - Profesor, s'je më i paditur.
Profesori: - Po ju qëpari më thatë se isha i paditur.
Xhandaret: - Ishe, po s'je më.
Profesori: - Bah! Aqë shpejt u-bëra i ditur?
Xhandarët: - Jo. Ishe i ditur po ishe dhe i paditur. Tani je vetëm i ditur, dhe i paditur është nxënësi yt.
Profesori: - Gënjeni. Nxënësi im është i ditur.
Xhandarët: - Jo. Ësht'i paditur, se e kërkon hetuesi.
Profesori: - Ah! Paskeni dhe një... si thatë?
Xhandarët: - Hetues.
Profesori: - Bisedim i papandehur.
Xhandarët: - Jo. Nxënësi yt ësht' i pandehur.
Profesori: - I pandehur çë?
Xhandarët: - I pandehur.
Profesori: - Aqë vetëm? S'ka bisht fjala?
Xhandarët: - I pandehur vetëm. Dhe në dëgjofshi këshillën t'onë, mos bëhuni t'aratisur.
Profesori: - Gënjeni. Ne t'aratisur s'jemi, dimë se ku ndodhemi, kemi ardhur dhe tjatër herë këtu për të mbledhur barëra t'egëra. T' aratisur jini ju, që kini humbur udhën. Do të vdisni nga uria dhe nga etja. Do t'ju vrasim me gurë. (Dhe Profesori hodhi një shpellë që t'i trembë.)
Xhandarët: - Duam të hamë. Kini një copë bukë?
Profesori: - Ka një burim të ftohtë këtu sipër, dhe vijnë shpesh dhi t'egëra të pinë ujë. Doni ca kakërdhi prej cjapi? (U hodhi një grusht.)
Kryetari i Xhandarëve (u flet shokëve). - Medet! Do të vdesim. Ç'na duhej të ndjekim gjer në thellësi të pyllit maznunet dhe muttehemet. Në djall mystendiku me gjith' ihzarin!
Profesori: - Pa dale, pa dale. Më duket se s'mereshim vesh. Mor mos doni të thoni se na kallzuan si fajtorë dhe kini urdhër të na shpini në burg?
Kryetari i Xhandarëve: - Po. Zoti Profesor. Kam një ihzar, dhe dua të ju shpie te mystendiku.
Profesori: - Ashtu? Dhe kujtojit se u-bëmë firar?
Kryetari i Xhandarëve: - Po, Zoti Profesor.
Profesori: - Ah mor t'uruar, ne ju muarmë për të çmendur dhe ikmë nga frika se mos na mbytni. Hajde të shkojmë në gjyq, se ne fajtorë s'jemi.
(Dhe zbriti me nxënësin).
Mb' udhë, vazhdoj bisedimi.
Profesori: - Nuk më thoni, pse s'përdorni fjalet firar, mystendik, ihzar, mutthem, maznun, arzuhall, mazbata, dava, etj. - po kini çpikur fjalë që s'i mer vesh njeri?
Kryetari i Xhandarëve: - Di dhe unë, Zoti Profesor? Thonë se duhet qëruar gjuha nga fjalët e huaja.
Profesori: - Duhet qëruar më parë truri i palaçove që e qelbnë gjuhën. Fjalë të huaja jane ato që s'kanë zënë rënjë në gjuhë. Ato që i honepsi gjuha dhe hyjtin gjer në kasolle të malësorit, ato fjalë u-nacionalizuan. E dini si i thonë gjykatësit n'Espanjë? I thone kali, - "Alcade" - nga arabishtia elkadi. S'munt të gjente tjatër fjalë hispanishtia? Ç'gjë më e lehtë? Në gjuhën hispanishte ka disa qindëra fjalë arabishte, më tepër fjalë administrative. Vallë Espanjollët i mbajnë ato fjalë nga dashuria që kanë për armiqt' e tyre Arabër? Apo mos i mbajnë se ato fjalë hyjtin në gjuhë dhe e quajne lajthim t'i hedhin? Turp, turp, djemt' e mij. Hiqni dorë. Është mëkat për gjuhën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama