Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ndërrimi i udhëheqësve

Shkruar nga: Eduard Zaloshnja  
Botuar më: 14 vite më parë

Eduard Zaloshnja
Ndërrimi i udhëheqësve

Sipas disa opinionistëve shqiptarë, një opozitë dhe një shoqëri civile reale nuk duhet të sulmojnë njerëzit, që janë në pushtet,por sistemin politiko-ekonomik që ka hedhur rrënjë në Shqipëri. Sepse, edhe kur udhëheqësit ndërrohen, argumentojnë ata, simbioza e oligarkëve të biznesit me politikanët e fuqishëm mund të ndryshojë pak në formë, por mbetet e njëjtë në thelb. Dhe,në fakt, përvoja e 20 vjetëve të fundit i sjell ujë të bollshëm këtij mulliri arsyetimi.
Por historia e zhvillimit të një vendi ofron gjithnjë një ‘por’ pas argumenteve të tilla. Dhe “por-i” ka të bëjë me faktin se 20 vjetët e fundit na japin edhe shembuj,që tregojnë se ndërrimi i udhëheqësve sjell një hap sasior e cilësor në zhvillim, pavarësisht se sistemi nuk është ndryshuar rrënjësisht. Kështu,vërtet që korrupsioni, klientelizmi dhe lidhjet e errëta të biznesit me politikën nuk u zhdukën me ngjitjen e Ilir Metës në karrigen e kryeministrit, por Shqipëria njohu një rritje ekonomike të admirueshme atëherë, ndërkohë që rrugët moderne filluan të shtriheshin shumë përtej urës së Limuthit, vendit ku kishin ngecur deri në vitin 2000.
Gjithashtu, ardhja e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës nuk e bëri atë qytetin më të pakorruptuar në Europë, por i hapi rrugën për një bum të fortë ekonomik. Dhe së fundi, ndryshe nga ç’mendojnë disa opinionistë, ikja e Nanos dhe ardhja e Berishës në fuqi nuk ishte thjesht një vazhdim i status kousë.
Meqë ardhja e Berishës në pushtet është më aktuale, le të merremi pak më gjatë me të. Pavarësisht nga simbioza politikë-biznes që vazhdon të mbijetojë nën hijen e Berishës, gjërat nuk janë njëlloj si në kohën kur qeveriste Nano.
Kështu, gjatë qeverisjes së Berishës, rritja e të ardhurave nga doganat dhe tatimet, dy burimet kryesore për mbushjen e arkës së shtetit, është më e madhe në përqindje se rritja e Produktit të Përgjithshëm Bruto. Kjo arritje tregon se biznesmenët nuk e kanë më aq të lehtë t’i fshehin mallrat apo fitimet e tyre. Në fakt, në pesë vjetët e fundit, zhdoganimi i mallrave të akcizës (karburant, cigare, kafe etj.) pothuajse është dyfishuar si tonazh në krahasim me pesë vjetët paraardhës. Kjo, jo sepse konsumi i tyre është dyfishuar, por sepse sistemi doganor po funksionon më mirë.
Por a duhet të kënaqemi me sukseset e pjesshme të Metës, Ramës e Berishës, ndërkohë që oktapodi politikë-biznes vazhdon të majmet nën hijen e tyre? Mendja ta do se shumica e shqiptarëve do të dëshironte një sistem politiko-ekonomik të bazuar vetëm në meritokraci. Por, e keqja është se historia ka treguar që rruga drejt një sistemi të tillë është shumë e gjatë dhe me shumë kthesa.
Po të gërmosh në arkivat e gazetave amerikane të shekullit XIX, mund të gjesh skandale shumë të shpeshta korrupsioni të elitës politiko-ekonomike të atëhershme. Vetë fuqizimi marramendës i Rokfelerit, Morganit, Stanfordit, Karnegit, Hopkinsit e të tjerë miliarderëve të atij shekulli (të cilëve iu vu nofka “baronë plaçkitës”) i pati rrënjët në favorizime të pamerituara nga politika. Ndërsa, po ta hedhësh vështrimin më afër në kohë dhe në hapësirë, në Italinë fqinje, 60 vjetët e fundit sjellin shembuj të panumërt të një oktapodi politikë-biznes që mbajnë në kurriz të publikut, ndërkohë që vendi vazhdon rrugën graduale të zhvillimit (Italia ka kohë që është pjesë e G7-ës, grupit të vendeve më të zhvilluara të botës).
Duke u kthyer në Shqipëri, shtrohet pyetja nëse simbioza politikë-biznes apo mungesa e ndërrimit më të shpeshtë të udhëheqësve është e keqja më e madhe për ne. Bazuar në shembujt e mësipërm dhe të atyre që vijojnë më poshtë, duket se e keqja më e madhe për Shqipërinë, në fakt, është kjo e dyta.
Në historinë e demokracisë moderne, Xhorxh Uashingtoni krijoi precedentin e kufizimit kohor të karrierës politike të një udhëheqësi, kur deklaroi se nuk kishte luftuar kundër një mbreti për t’u bërë vetë mbret. Kur i tha këto fjalë, ai kishte qeverisur me sukses për tetë vjet rresht SHBA-në dhe, në qoftë se do të kishte rikandiduar, do ta kishte fituar fare lehtë një mandat tjetër katërvjeçar. Por ai zgjodhi tërheqjen në jetën private...
Precedenti që krijoi Uashingtoni u ndoq në mënyrë vullnetare për një shekull e gjysmë në SHBA, deri kur Ruzvelti u rizgjodh president për një mandat të tretë, në vitin 1941. Dhe disa vite pas prishjes së atij precedenti, në kushtetutën amerikane u sanksionua që një president nuk mund të qeverisë për më shumë se dy mandate katërvjeçare.
Në mënyrë të shkruar ose të pashkruar, precedenti i krijuar nga Uashingtoni është ndjekur nga shumica dërrmuese e udhëheqësve politikë në botën demokratike. Koha e udhëheqësve të pazëvendësueshëm ka mbaruar tashmë në pjesën demokratike të globit. Të panumërta janë rastet kur udhëheqës partish të rëndësishme kanë dhënë dorëheqjen pasi partitë e tyre kanë dështuar në zgjedhje, ose thjesht kanë arritur një rezultat më të dobët se në zgjedhjet paraardhëse. Duke bërë këtë akt, ata i kanë hapur rrugën udhëheqësve të tjerë me ide e energji të reja.
Dhe historia e demokracisë ka treguar se qarkullimi i lidershipit, pavarësisht nga ngadalësia si e breshkës me të cilën e purifikon sistemin, arrin në finish më shpejt se lepuri i shpejtë i stabilitetit të lidershipit, të cilin, në garën proverbiale me breshkën, e zë gjumi herë pas here në ndonjë hije peme


(G.SH/ BalkanWeb)

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama