Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Opozita 'PO FITON' shembjen e imazhit te qeverise

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 10 vite më parë

Aleksandër Çipa
Opozita 'PO FITON' shembjen e imazhit te qeverise

Avioni me pilot italianin Riformato që u ul dhe u rrëzua njëkohësisht, në Divjakë, pas humbjes së rrotës, po shndërrohet në pretekst politik për ish-kryeministrin Berisha dhe njëherazi pas tij edhe për opozitën zyrtare të vendit. Është një arsye që ka realisht “peshën” politike sa të charter-it modest, por që dukshëm opozita po e ngre në arsye me dimensione të një rrezikshmërie politike kombëtare.

Opozita natyrshëm gjen shkakun për ta përdorur politikisht dhe për të shkaktuar një rezonancë e pse jo edhe inkandeshencë, në raport me militantët dhe sidomos opozitarizmin e djathtë në vend. Mirëpo raporti i saj me arsyen kapitale, pra përputhshmërinë e arsyes për largimin e kësaj qeverie është ende i papeshuar dhe i padëshmuar prej vullnetit qytetar. Kjo është një qeveri e cila përfaqëson një shumicë të lartë numerike në Parlament dhe në popull dhe që sipas perceptimit dhe propagandës, vjen duke e bjerrë këtë mbështetje masive.

Mirëpo momenti i sipërmarrjes së re opozitare, për shkak të faktit të zbuluar nga avioni i rrëzuar në Divjakë, ka ende shumë elemente të pazbuluara dhe disa të panjohura apo më saktë, disa pamjaftueshmëri. Duket se opozita, por sidomos ish-kryeministri Berisha, ka dijeni më shumë se pala e akuzuar, pra qeveria për rastin dhe sidomos trafikun e pretenduar përmes linjave ajrore. Ish-kryeministri rezulton të jetë politikani që jo vetëm e njeh realitetin e trafikut të drogës, por ka kurajën dhe shpall edhe profecinë të parathotë atë që e mohojnë kundërshtarët e tij në qeverisje. Sikundër ka edhe krenarinë të sfidojë shumë prej nesh gazetarëve për ta konsideruar të pamundur, të mundshmen: sikundër është ulja e avionëve nëpër segmente rrugore apo në fusha-plazhesh në Ultësirën Perëndimore të vendit. Por falë kësaj dijenie sfidante, ish-kryeministri, tashmë meriton të fitojë statusin e personit me informacion dhe mundësi dijeje pranë institucioneve që hetojnë dhe investigojnë skandalin. Në prononcimet e veta në rrjetet sociale dhe sidomos edhe në konferencën e djeshme për shtyp, ish-kryeministri rezulton të jetë personi me dije dhe njohje të një underground-i të cilin ende edhe mediat nuk e kanë eksploruar, madje as po e ndriçojnë. Ky skandal duhet zbuluar në gjithë kohështrirjen e vet nëse ka ekzistuar. Janë të gjitha mundësitë të gjenden gjurmë të ekzistencës dhe kryerjes ose jo të trafikimit të drogës para këtij “rrëzimi” në Divjakë. Kjo zbardhje nuk ka të bëjë vetëm me trafikun apo trafikuesit, kjo është një çështje që fitoi dimension të plotë politik. Me anë të saj po kryhen shumë “punë”. Pesha specifike e saj bie mbi qeverinë e Kryeministrit Rama. Shqipëria për shkak të këtij rasti dhe sidomos për shkak të vokacionit të plotë opozitar në shpalljen dhe propagandimin e tij, duke folur më shumë me atë çka nënkupton dhe shpreh se di, po e rikthen vendin në axhendën e shqetësimit ndërkombëtar, si vend të uzurpuar prej trafikut të organizuar të drogës. Nënkuptimi dhe sidomos rreziku eminent që shfaqet propagandisht, jashtë dhe te partnerët ndërkombëtarë, lidhet me aludimin se qeveria “Rama” është tashmë pjesë e kartelit dhe e grupeve që kanë lidhje me krimin e organizuar të kësaj linje. Kjo është një pistë akuzimi që nuk rëndon vetëm qeverinë, ajo trazon politikisht shumë elemente dhe struktura ligjore të vendit. Politika nuk po i jep kohë askujt për asgjë në këtë aspekt. Ndërsa rasti “Divjaka” është në procedim hetimi dhe zbardhjeje nga Prokuroria, ndërsa është vënë në lëvizje gjithë segmenti i institucioneve kushtetuese, mes të cilëve në krye Presidenti i Republikës, përsëri opozita dhe sidomos ish-kryeministri Berisha nuk kanë asnjë grimë pritmënie. Pse kjo ngutje për ta bërë efektin dhe ndikimin e këtij skandali më të frikshëm se vetë frika ndaj trafikut?!

Ngutja pa përshkallëzim e opozitës që inspiron ish-kryeministri Berisha dhe e drejton zoti Basha, s’do mend që ka të bëjë me motivin dhe përfitimin politik. Në kësi betejash, zoti Berisha po rikthen protagonizmin e vjetër të kryeopozitarit. Gjithçka dhe me çdo mjet në funksion të qëllimit politik të vetes. Kjo është pista që i jep avantazh atij, por shkakton kosto për shtetin dhe sidomos për normalitetin në këtë vend të vuajtur në tranzicionin që ai vetë e dominoi pangopshmërisht.

Nga pozita e të pandëshkuarit (edhe kur pranon faje e provon tragjedi me autorë të pandëshkuar), ish-kryeministri po riaktivizon establishmentin e vet opozitar për një konflikt të ri. Shenjat janë të njëjta dhe po ato. Alarmohet dhe e trumbeton fajin e tjetrit si tragjedi, ndërkohë që vetë dramatikisht ka gjeneruar tranzicion, potere, krime e abuzime, korrupsion dhe degradim etj., etj. E shpall vendin e vet Kolumbi tetë muaj, pasi e ka lënë qeverisjen tetëvjeçare dhe i përbalt pasardhësit e vet në një qeveri me djem e vajza, një pjesë e të cilëve axhami në politikë, si të jenë tejkalues të Eskobarit apo ministrave të serialeve me mafie. Kjo nuk është vetëm një mësymje e protagonistit të regjur, për të shëmtuar dhe për të shembur së pari imazhin e kundërshtarit të vet pasardhës në qeverisje. Kjo është më qëllimmadhe.

Shumica e majtë në qeverisje e ka marrë me mendjelehtësi këtë çështje dhe sidomos strategjinë e opozitës përballë saj. Pavarësisht se sa të vetën e ndien secili deputet i kësaj të majte, qeverinë e zotit Rama, marrëdhënia dhe sidomos situata e re që po gjeneron aksioni opozitar nuk ndëshkojnë apo vënë në siklet kabinetin qeveritar. Akuzat dhe sidomos vokacioni i alarmit opozitar, tejkalojnë rrezikun për rifitimin e një imazhi të humbur. Askush prej të heshturve nuk e eviton pasojën e imazhit që shembet dhe përdhoset. Për këtë arsye një nismë e kësaj shumice për të rritur aktivizimin institucional dhe atë partnerial për hetimin e çështjes që lidhet me “rastin Divjaka” dhe pretendimet për ekzistencën e një trafiku të përsëritur, nuk duhen vonuar. Të heqësh çdo pretekst, do të thotë të çaktivizosh çdo tentativë për tension apo agravim politik. Provën e parë si detyrim dhe nevojë e ka qeveria “Rama”, e cila deri tani gjuhën e injorimit po e shijon si situatë bumerangu dhe si shembje imazhi. Opozita e re përballë saj, po fiton betejën e parë me shembjen e imazhit të qeverisë. Koha po përdoret këto ditë, në favor të opozitës, ndonëse koha nuk punon për këtë opozitë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama