Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Si t’ia bëjmë, zoti ministër i Sporteve?!

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 13 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Si t’ia bëjmë, zoti ministër i Sporteve?!

Për dijeni, Kryeministrit!

Për t’i rënë shkurt. Më 14 deri më 30 nëntor të këtij viti, në Tiranë do të bëhet matçi për titull “Kampion i Botës” midis përfaqësueseve të Kinës dhe Indisë në shah. Nuk ka nevojë të kuptosh se në historinë tonë sportive nga krijimi i shtetit të ketë pasur eveniment të këtij lloji. Në ceremoninë e tij pritet të jetë një nga figurat më të mëdha historike të botës, Mikail Gorbaçovi,  apo dhe aktori i njohur, Arnold Shvarceneker. Për gati tri javë Shqipëria do jetë në qendër të vëmendjes sportive të të gjithë botës së shahut, edhe pse në matç do të jenë përfaqësuesit e dy kombeve më të mëdha të saj. Matçi do të transmetohet nga Federata Botërore për çdo lëvizje me orë të tëra. Nuk e di sa duhet për të bërë këtë propagandë me lekë shteti. Sa mirë, sa mirë! Po a do ta organizojmë dot, thua? Do të na e bëjë dot këtë të mirë zoti ministër i Sporteve?

Po t’i besoj një deputeti të PS-së, Fidel Yllit, do ta bëjmë. Kjo sepse qeveria e zotit Berisha, tani që president i Federatës së Shahut është Rezart Taçi, ka hedhur miliona për këtë sport. Realisht, kapsallita sytë kur e dëgjova deputetin dhe e kuptova se kemi rënë nga shiu në breshër dhe më duket sikur duhet t’i lajmë duart nga ministri dhe deputeti njëherësh, dhe bashkë me ta dhe nga ky aktivitet i përmasave botërore. Çfarë ka ngjarë realisht?

Dy vjet më parë, një grup shahistësh i elitës sonë, mes të cilëve Muço dhe Dervishi, m’u lutën për shkak të profesionit të tanishëm dhe të qenit dikur shahist, të gjenim një kontribuues për këtë sport. Iu drejtova mikut tim dhe industrialistit të vetëm shqiptar, Rezart Taçi. Kish qenë dikur shahist dhe për shkak të biografisë së tij, ashtu si dhe unë, ishte detyruar ta linte avash-avash këtë pasion. Ai e pranoi kërkesën dhe me një mbledhje të rregullt, të njohur dhe nga përfaqësuesit e qeverisë, u zgjodh president i Federatës. Natyrisht, kur zgjidhesh në këtë post duhen edhe ca organe të tjera.

Për këtë, zoti ministër i atëhershëm, Ferdinand Xhaferi, duhet të lironte nga detyra ca hallka që lidhen me shtetin, praktikisht sekretarin e Federatës etj. Jo vetëm që nuk e bëri, por shtoi dhe ca të tjera me këtë rast. Presidenti i ri u tërhoq nga kjo skenë duke na lënë të kuptonim se ftesën e pranonte pasi të zgjidhnim hallet e brendshme, që në këtë rast po i krijonte vetë Ministria; e cila ka kohë që këto punët e sportit dhe të administratës së tij i sheh si ca vrima ku mund të plotësojë vende me militantë a dreqi e di se çfarë. Rast tipik dhe ky i yni. Iu lutëm disa herë ministrit të vjetër të na e hiqte këtë barrë nga shpina, por më kot. Iu drejtuam Komitetit Olimpik që me proces gjyqësor na dha të drejtë.

Po a mendoi kështu Ministria? As i hyri dhe as i hyn në punë se ç’u tha e ç’do thuhet. Këtë pozicion mbajti ministri i vjetër dhe këtë bën dhe i riu. Thua të bëjmë sikur nuk dëgjojmë e të zhvillohet aktiviteti me dy lloj presidentësh? Apo të bëjmë sikur nuk kuptojmë, ashtu si bën edhe Ministria a i zoti i saj? Po t’i besojmë ministrit, as ka ndonjë vlerë të zhvillojmë aktivitetin; po t’i besoj deputetit, do t’i japë paratë Kryeministri, prandaj nuk duhet të shqetësohemi. Unë që e di mirë këtë histori, një pjesë të së cilës sapo e rrëfeva, që paratë i ka vënë presidenti i Federatës së Shahut, Rezarti, i cili jo vetëm nuk ka marrë asnjë qindarkë nga qeveria, por duhet të mbajë edhe ca barra që nuk i takojnë.

A do ta bëjmë aktivitetin? Po nuk u bë, do kisha vetëm një pyetje? Për çfarë duhet ministri i Sporteve? Pse e them këtë? Vërtet më hyn në punë ai? Natyrisht jo. Shqipëria ka ndërruar nja 300 ministra këto njëzet vjet dhe një pjesë e mirë e tyre nuk dihet nga kanë përfunduar dhe as ua di njeri emrin. Problemi qëndron diku tjetër dhe nuk më ha vërtet meraku i një ministri në do ngrohë karrigen edhe ca ditë a ca muaj.

Kohë më parë, në Olimpiadën e 1972-shit, Shqipëria u përjashtua nga shahu botëror nja dhjetë vjet të mira. Nuk luajti në Olimpiadë me Izraelin se ishte armik i popullit palestinez. Vetë palestinezët luajtën me ta. Tani, për shkak të shakave të ministrave tanë dhe frikës që futi deputeti, nuk do ta bëjmë dot aktivitetin. Me shumë të drejtë do na përjashtojnë edhe ca vite nga ky sport. Ndërkaq, e di mirë se skandali do të jetë i përmasave ca më të mëdha se ato që bëjmë këtu rrotull. Mirë me Izraelin e kuptoj se kështu e donte “lufta” e madhe e Partisë që kërkonte armiq ngado e kudo, po në rastin e Rezartit si do kualifikuar puna? Ta shpallim edhe industrialistin armik, megjithëse është donatori i vetëm i këtij sporti, duke mbajtur mbi kurriz edhe nja ca mijëra punëtorë? Si t’ia bëjmë, zoti ministër, ta bëjmë aktivitetin, apo jo? Unë them më mirë ta shpallim Taçin zyrtarisht mik të Berishës dhe të na përzënë nga shahu, se kështu u ngjajmë të parëve. Besoj edhe ju jeni dakord. Fundja, vendi kështu ka qenë gjithnjë. Ka pasur drejtori pyjesh pa pyje, drejtori blegtorie pa dele etj. Pse të mos kemi dhe ministri Sportesh pa sporte?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama