Trump emëron një gjeneral si ambasador fuqiplotë të SHBA në Shqipëri

14 Prill 2026
Nga: Rigels Seliman
Presidenti amerikan Donald Trump ka përzgjedhur emrin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Tiranë. Ambasada e SHBA në Tiranë ka afro 3 vite pa ambasador dhe dje Trump ka zgjedhur gjeneralin e pensionuar, Eric Wendt si pasues të Yuri Kim. Emri i tij është dërguar në Senat dhe nëse miratohet aty, gjenerali pritet të stacionohet në Tiranë. Njoftimi u bë nga Shtëpia e Bardhë. Wendt është një ish-gjeneral i lartë amerikan ndërsa figura e tij konsiderohet e një profili me përvojë të gjerë në diplomaci ushtarake dhe operacione ndërkombëtare, çka e bën atë një emër të rëndësishëm në politikën e sigurisë së SHBA.
Kush është Eric Wendt?
Gjeneral-lejtnanti i pensionuar amerikan Eric P. Wendt i cili është porpozuar nga Donald Trump për tu emëruar si Ambasador i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Shqipëri është një nga figurat e njohura të ushtrisë amerikane, me një karrierë mbi tre dekada në fushën e sigurisë dhe operacioneve speciale. Wendt shërbeu për herë të fundit si komandanti i 5-të i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO, detyrë që e mbajti deri më 29 janar 2021. Gjatë karrierës së tij si oficer i lartë, ai ka mbajtur disa poste kyçe, përfshirë rolin si Koordinator i Sigurisë së SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019), si dhe pozicione drejtuese në Komandën e Paqësorit të SHBA dhe në strukturat e operacioneve speciale në Kore dhe Afganistan. Ai u diplomua në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara për drejtësi dhe shoqëri dhe më pas përfundoi studimet master në çështjet e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare.
Wendt u gradua si toger i dytë në vitin 1986 dhe doli në pension më 1 mars 2021, pas mbi 34 vitesh shërbimi, ku përfshihen edhe 30 vite në Forcat Speciale si “Beretë e Gjelbër”. Përveç karrierës ushtarake, ai zotëron edhe gjuhët arabe dhe koreane, duke reflektuar angazhimin e tij në rajone të ndryshme strategjike. Në vitin 2020, në mandatin e parë të tij, Donald Trump e nominoi Wendt për ambasador të SHBA në Katar, por kandidatura e tij nuk u shqyrtua nga Senati para përfundimit të mandatit të Kongresit, duke mbetur pa vendim. Figura e Wendt konsiderohet si një profil me përvojë të gjerë në diplomaci ushtarake dhe operacione ndërkombëtare, çka e bën atë një emër të rëndësishëm në politikën e sigurisë së SHBA.
Ndërkohë kujtojmë se prej gati 3 vitesh, ambasada amerikane në Tiranë nuk ka një ambasador në krye të saj. Në qershor të vitit 2023, Yuri Kim u largua nga Shqipëria dhe prej asaj kohe, ka pasur vetëm të dërguar të posaçëm. Gjatë kohës që Biden ishte president, ai nominoi në këtë post David J. Kostelancik. Por kandidatura e tij u zvarrit derisa u “dogj”. Ai doli para Senatit, por emri nuk arriti të hidhej për votim. Që në verën e 2023, politika shqiptare ka “hedhur valle”, pasi të gjithë e dimë rëndësinë e ambasadës së SHBA. Të gjithë vinin në rresht para ambasadores Yuri Kim apo paraardhësve të saj. Por gjatë kohës që ka pasur të dërguar, pesha e ambasadës ka rënë. Por duket se situata do të ndryshojë. Trump ka caktuar një gjeneral në këtë post dhe prezenca e tij në Tiranë pritet të jetë shumë e fortë.
