Zyrtare Elis Bakaj firmos me Tiranen

Zyrtare, Elis Bakaj firmos me Tiranen

Akordi është bërë zyrtar ditën e djeshme nga ana e klubit bardheblu. Mesfushori prezantohet sot në orën 12:30 dhe do të jetë përforcimi i fundit në këtë merkato vere për kryeqytetasit

Tashmë është zyrtare, Elis Bakaj rikthehet te Tirana. Pas vetëm 2 muajsh në Izrael, fantazisti është rikthyer te bardheblutë. Mesfushori me tipare sulmuese u largua disa ditë më parë nga skuadra e Hapoel Rananas, ndërsa dje, pasi ka mbërritur në vendin tonë është takuar me drejtuesit e klubit më të titulluar në vend. Ashtu siç gazeta “Sport Ekspres” kishte njoftuar më parë, Elis Bakaj do t’i bashkohej Tiranës ditën e sotme, ndërsa më parë, mësohet se do të prezantohet para medieve nën praninë e presidentit Refik Halili.

 

Një gjë e tillë do të zhvillohet sot në orën 12:30 te kompleksi “Halili” përballë “Vila Gold”, që sipas njoftimit nga ana e zyrës për shtyp e klubit kryeqytetas do të ndodhë në pamundësi për t’u bërë në stadiumin “Selman Stërmasi”, i cili është në rikonstruksion e sipër. Elis Bakaj do të jetë afrimi i fundit në këtë merkato vere për Tiranën, që në total ka bërë gjatë kësaj periudhe 11 përforcime të reja. Fantazisti është kështu një forcë më shumë për ekipin e drejtuar nga trajneri Shkëlqim Muça, të cilit i plotësohet edhe kërkesa e fundit për të pasur në ekip edhe një tjetër lojtar me tipare ofensive.

 

Sezonin e kaluar, 27-vjeçari realizoi 11 gola në kampionat, ndërsa u largua në fund të kampionatit drejt Izraelit. Aventura e tij me Hapoel Rananan përfundoi më shpjet seç ishte parashikuar, ndërsa në prononcimin për mediet që lojtari do të bëjë ditën e sotme, mund të mësohet me saktësi se çfarë e ka shtyrë të lërë “tokën e shenjtë” pas vetëm dy muajsh. Gjithashtu, afrimi i Elis Bakaj konsiderohet si “dhurata” e fundit e presidentit Halili për tifozët në këtë merkato vere, që tashmë ka sjellë te kryeqytetasit disa elementë cilësorë dhe me eksperiencë të madhe.


NJOFTIMI– Lajmin për konkretizimin e marrëveshjes së Tiranës me Elis Bakajn e bëri të ditur ditën e djeshme, zyra për shtyp e klubit, që përmes një postimi në faqen zyrtare të facebook-ut njoftonte: “Elis Bakaj është goditja finale e Tiranës në merkaton e verës. Një dhuratë e presidentit Halili për tifozët. Kështu mund të cilësohet ky përforcim i bujshëm. Akordi zyrtar me sulmuesin është arritur vetëm pak minuta më parë. Nesër në orën 12:30, Elis Bakaj, në praninë e drejtuesve të klubit do të prezantohet para medieve. Vetëm dy muaj pas largimit drejt Izraelit, Elisi rikthehet në shtëpi”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama