e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Zidan-Luis Enrike, sherri që ndez El Clasico-n (FOTO)

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zidan-Luis Enrike, sherri që ndez El Clasico-n (FOTO)

Pak vite më parë, kur u pyet për rivalitetin e acaruar midis Realit të Murinjos dhe Barcelonës së Guardiolës, "spartani" Arbeloa u përgjigj: "Unë kam parë Zinedin Zidanin që të kapë prej fyti Luis Enriken.

luis_enrique_zidaneNuk ka lindur sot rivaliteti i ashpër apo jo?! Gjëra të tilla në një ndeshje 'El Clasico' nuk janë bërë sot për herë të parë, por edhe në të shkuarën nga futbollistë prestigjiozë".

Arbeloa ka pasur të drejtë. Reali e Barcelona mund të jenë shumë të qetë deri në momentin që futen në fushë, por mjafton një shkëndijë që të ndezë një zjarr të madh.

Çmenduria e Zizusë

Në mbrëmjen e 19 prillit 2003, Zinedin goditi me shqelm Pujolin, shtyu me duar Tiago Motën dhe, më pas, kapi prej fyti dhe gërvishti në fytyrë Luis Enriken.

zidane-vs-luis-enrique-2003

Të gjitha brenda pak sekondash dhe në sytë e të voglit dhe të riut Ksavi, njeriu që në kulmin e tensionit Murinjo-Guardiola polemizoi ashpër dhe më pas bëri paqe me Kasijasin, në emër të qetësisë së Kombëtares spanjolle. Ai djalosh që pa nga afër shpërthimin e Zidanit kundër shokëve të tij u mundua që të kthente reston vite më vonë.

Mbrëmje magjike

Në atë ndeshje të 2003-it, Zidan u ndëshkua me karton të verdhë, duke i shpëtuar mrekullisht të kuqit.

Një javë më parë ata kishin barazuar dhe në "El Clasico" shkonin me hijen e ndjekësve të Sociedadit dhe Deportivos në renditje, që ishin vetëm një pikë larg kreut. Ndërkohë, Barcelona që kishte 24 pikë diferencë, e konsideronte më shumë se ndeshje titulli, sepse mund t'u shkaktonte dëm rivalëve të tyre të përjetshëm. Ia dolën që t'u heqin pikë, duke e mbyllur ndeshjen 1-1 në "Santiago Bernabeu". Gjithsesi, në fund madrilenët dolën kampionë, i vetmi titull i Zidanit si futbollist i tyre.

Aktualiteti

Këtë fundjavë, Reali është në kushte të kundërta. Kanë dhjetë pikë diferencë ndaj kryesuesve dhe më shumë se sa u duhet fitorja për të hapur garën e titullit, mund t'u shkaktojnë katalanasve dëm në klasifikim, për të mos ngritur trofeun e kampionit. Më mirë madrilenët e Atletikos, se sa Barça për ekipin e Zidanit. Por, a do t'ia dalin dot mbanë?!

Luis Enrike

Në Madrid e urrejnë. Trajneri i Barcelonës ka një arsye të fortë, që tifozët e Realit e kanë në listën e personave "non-grata". Ai e nisi karrierën pikërisht me fanellën e tyre, duke luajtur plot 11 ndeshje në "El Clasico". Fitoi tri herë si kundërshtar i Barcelonës, barazoi katër dhe humbi katër të tjera.

Madje, në fitoren e paharrueshme 5-0 në "Bernabeu", shënoi edhe një gol në portën katalanase. Por, në vitin 1996 bëri lëvizjen, për të cilën nuk e falën kurrë. I përfundoi kontrata dhe refuzoi rinovimin duke u larguar te rivalët e përjetshëm.

Firmosi me Barcelonën dhe luajti 16 ndeshje kundër Realit, me një bilanc akoma më pozitiv (8 fitore, 6 barazime dhe pesë gola të shënuar).

Ajo që i bëri madrilenët ta urrejnë teknikun aktual të Barçës ishte pikërisht mënyra se si u largua. Një ditë pas eliminimit të Realit në çerekfinalet e Champions-it, kundër Juventusit, ai u fotografua në Barcelonë, duke biseduar në mënyrë sekrete.

Madje, aq keq reagoi kur u kap për tradhtinë që po kryente, sa sulmoi fizikisht fotografët, duke u shkatërruar edhe makinën. Një arsye më shumë pse në Madrid duan ta mundin. Këtë fundjavë. Në "Kamp Nou"...