Zguri: Ndarja e mandateve, nga Kolegji Zgjedhor
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë sot fazën e miratimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo zonë zgjedhore. Kjo në detyrim të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se KQZ, 48 orë nga mbyllja e procesit të numërimit për çdo zonë zgjedhore bën miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo qark. Por, megjithëse procesi i numërimit të votave në disa qarqe ka përfunduar dy ditë më parë, ende KZAZ-të e tyre nuk kanë dorëzuar në KQZ materialet zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ duhet të hartojë tabelën përmbledhëse të një qarku në bazë të të dhënave të sjella nga çdo KZAZ. Mbi bazën e tyre, KQZ duhet të llogarisë dhe ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, çka në rastin konkret e ka të pamundur për shkak se një vendimmarrje e tillë kërkon një shumicë të cilësuar prej 5 votash, e cila nuk gjendet aktualisht në këtë komision.
Ndaj vendimi për të ndarë mandatet pritet të merret nga Kolegji Zgjedhor pas një ankimimi që pritet të bëhet në kohën e duhur nga një prej subjekteve të interesuara pjesëmarrëse në zgjedhje, për pamundësi të marrjes së vendimit në kohë nga KQZ. Këtë procedurë e konfirmoi dje dhe anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, i cili duke iu referuar kësaj problematike të shkaktuar nga fakti se ky komision funksionon me 4 anëtarë, tha se “nëse KQZ nuk arrin të marrë një vendim brenda afateve ligjore, subjektet zgjedhore të cilat pretendojnë se janë shkelur të drejtat e tyre, mund t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor. Dhe për të gjithë kategorinë që ka të bëjë me ndarjen e mandateve me pranimin e ankimimeve, Kolegji Zgjedhor ka të drejtën për shkak të ligjit që t’i shqyrtojë ato në themel dhe të dalë me një vendim të caktuar”. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme KQZ vendosi të bëjë disa rregullime në tabelën e rezultateve në ZAZ-në 42 për saktësimin e rezultatit në bazën elektronike të të dhënave, si dhe të detyrojë KZAZ-në 89 në Sarandë që të numërojë dy kutitë e fundit të votimit që ka bllokuar.