Zëvendësministri i Brendshëm: Është kampionat pazaresh
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Stefan Çipa ka shpër thyer në akuza të drejtpërdrejta ndaj skuadrës së Butrintit.
Zëvendësministri i Brendshëm është i bindur se ditën e djeshme sarandjotët kanë pasur pakt me Luftëtarin dhe bënë gjithçka që këta të fundit ta fitonin ndeshjen. Ish-kryetari i Bashkisë së Sarandës, njëkohësisht dhe ish-drejtuesi i skuadrës së Butrintit nuk e ka pritur aspak mirë humbjen që ekipi pësoi në Gjirokastër dhe akuzon drejtuesit aktualë të skuadrës për një pazar me gjirokastritët. Reagimi i Çipës është bërë në një nga faqet në "Facebook".
Gazeta kontaktoi Çipën, i cili konfirmoi se është ai përdoruesi i këtij profili. Gjithashtu ai shtoi se nuk ka asgjë me skuadrën e Luftëtarit që sipas tij e ka merituar fitoren. 57-vjeçari është tifoz i Butrintit dhe ditën e djeshme kishte shkuar në Gjirokastër për të parë ndeshjen. Atij nuk i ka pëlqyer aspak ajo që kishte bërë skuadra e tij, duke lënë jashtë titullarët duke luajtur me rezervat.
Reagimi i Çipës
"Si sarandjot dhe si sportdashës i Butrintit shkova sot në Gjirokastër për të parë ndeshjen Luftëtari-Butrinti. Që në momentin kur rezultati ishte 5-1 u largova nga stadiumi, pasi nuk mund të ndiqja këtë teatër dhe pazar të ndyrë. Më vjen keq që në formacionin me të cilin u paraqit në fushë Butrinti, pjesa më e madhe e lojtarëve të formacionit bazë ishin lënë në stol. Madje, edhe kur Butrinti barazoi dhe gjërat nuk shkonin sipas planit të 'pazarxhinjve', dy lojtarët më të mirë në fushë si Xhuvani dhe Bazaj u zëvendësuan për t'i hapur rrugë Luftëtarit drejt fitores së radhës.
Ndiej neveri që këtë skuadër përfaqësuese të një qyteti e drejtojnë njerëz 'pazarxhinj', të cilët po na çojnë gjithnjë e më tepër drejt fundit të klasifikimit. Turp për drejtuesit e klubit të futbollit Butrinti, të cilët luajnë me ndjenjat e sportdashësve, por mbi të gjitha abuzojnë me lekët e taksapaguesve sarandjotë", shkruan Çipa.
Replikon Luftëtari
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të klubit të Luftëtarit, Gentian Nora, i cili ka komentuar në reagimin e Stefan Çipës dhe ka mohuar në mënyrë kategorike aludimet për një pakt mes klubeve. "Zotëri, ju meritoni respekt për investimin që keni bërë për sportin sarandjot. Luftëtari nuk është ekip pazaresh dhe të humbasësh me një skuadër si Luftëtari nuk është çudi. Faleminderit për pjesëmarrjen, por s'mund të lejojmë njeri të hedhë poshtë meritat e skuadrës tonë.
Ne s'merremi me pazare, por me sport", komenton Nora. Kjo nuk është deklarata e parë në lidhje me trukimet dhe tolerimet e ndeshjeve në Kategorinë e Parë. Gjatë këtyre ditëve, "Panorama Sport" ka zbuluar detaje lidhur me këtë skandal që ka përfshirë futbollin shqiptar.
Çfarë kanë thënë deri tani për skandalin e trukimeve
Klubi i Luftëtarit - Klubi i Luftëtarit denoncoi një rast flagrant të dyshimtë ryshfeti në ndeshjen e së mërkurës së kaluar ndaj Turbinës. "Gjatë ndeshjes kemi parë një person që nuk kishte asnjë lidhje me klubet respektive që qëndronte brenda dhe jashtë dhomës së gjyqtarëve. Kjo nuk është aspak normale dhe ne kemi depozituar provat tona në FSHF. Kërkojmë të merren masa në lidhje me këtë rast, pasi është diçka jonormale në futboll", tha klubi bluzi duke iu referuar drejtorit teknik të Sopotit, Nesti Binishi.
Roland Peqini (Mbrojtës i Dinamos) - "Gjatë të gjithë periudhës së para ndeshjes, zyrtarë të ekipit të Pogradecit kanë marrë në telefon shumë prej lojtarëve të Dinamos dhe u kanë kërkuar që në shkëmbim të parave t'i toleronim për ndeshjen. T'u linim ta fitonin ata sfidën. Madje, kanë arritur që të marrin në telefon duke tentuar të korruptojnë edhe pjesëtarë të stafit tonë në mënyrë të tërthortë. Kur kjo nuk u shkoi dot, pasi askush s'e pranoi këtë ofertë, e gjetën zgjidhjen me arbitrin Kridens Meta, i cili na masakroi në fushë. I uroj ekipet që duan të ngjiten në Superiore ta bëjnë me forcat e tyre dhe të luajnë ndershëm e jo të bëjnë atë që bëri Pogradeci me ne 4 javë para se të luhej ndeshja".
Engjëll Belshi (Drejtori Sportiv i Turbinës) - "Më vjen keq që një ekip si Luftëtari, që pretendon të bëhet pjesë e elitës së futbollit shqiptar, hedh akuza të pabaza karshi nesh që luftojmë për mbijetesë, por me dinjitet. Në analizën që kemi bërë para takimit me Luftëtarin, presidenti Gentian Gjoka ka deklaruar para gjithë skuadrës se ka informacion që katër lojtarë decizivë të formacionit janë kontaktuar nga drejtues gjirokastritë në mënyrë që të tolerojnë ndeshjen në këmbim të ryshfetit. Lojtarët tanë e kanë refuzuar një gjë të tillë dhe për këtë presidenti Gjoka dhe klubi i ka falënderuar publikisht në sy të gjithë kolektivit të ekipit".
Gentjan Gjoka (President i Turbinës) - "Në lidhje me dyshimet për Nesti Binishin, dua të them që ambienti, i cili duket në foto, janë zyrat e klubit dhe e imja. Sa për Binishin, është mik i imi mbi 20 vjet dhe nuk është hera e parë që e ndjek ekipin. Ai ishte edhe në Lushnjë në krahun tim, madje edhe në Fier. Ne po mundohemi ta bëjmë pjesë të stafit tonë. Sa për trukimet, jemi ne që duhet të ulërasim, pasi Luftëtari u mundua të blejë më shumë se pesë lojtarë. Pse nuk dënojnë Sopotin që ia la hapur ndeshjen Elbasanit?!".
Ylli Çekiçi (Drejtori teknik i Pogradecit) - "Dinamo është mësuar që Pogradeci t'i lërë ndeshjet ashtu siç ka ndodhur përpara dy vitesh kur rrezikonin të binin nga kategoria. Unë nuk kam qenë drejtues në atë kohë, por Pogradeci ua ka lënë ndeshjen bluve. Skuadra që unë përfaqësoj aktualisht ishte në avantazh 2-0 në atë takim dhe në fund ka fituar Dinamo 3-2. Ata janë mësuar t'u lëmë ndeshjen dhe me sa duket kërkonin të njëjtën gjë. Unë nuk e di se me kë bën aleanca Dinamo. Ata janë mësuar me këto lloj gjërash. Ne si klub nuk merremi me këto pazare që thotë Dinamo. Ndoshta ata bëjnë pazare me ndonjë tjetër dhe me sa duket u paska dalë gjumi keq".
Klubi i Luftëtarit - "Në dhomën e arbitrave në Cërrik qëndronte drejtori i Sopotit dhe hynte e dilte, ndërkohë që është rreptësishtë e ndaluar të afrohesh aty, jo më të futesh. Mbi këtë mund të hedhësh dyshime, por jo kot në ajër thashetheme si gratë e 'kafes turke'. Të gjitha akuzat ndaj ekipit tonë janë të pabaza dhe të qëllimshme!", thuhet në reagimin e klubit Luftë- tari pas akuzave të Turbinës dhe kjo shoqërohet me një foto ironike ku fjalët e dala nga goja përfundojnë në një kosh mbeturinash. Luftëtari i konsideron thashetheme të pabaza.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI