Zbutet Gjici, 20 mln lekë ekipit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zbutet" Safet Gjici. Presidenti, edhe pse deklaroi publikisht se nuk do të jepte asnjë shpërblim për të tijtë, ka vepruar ndryshe. Ai dje ka hapur "thesin", duke shpërndarë jo pak, por 20 milionë lekë (të vjetër) për fitoren e arritur me Skënderbeun.
Në fakt, ashtu sikundër pat publikuar gazeta, pas takimit me korçarët kreu i klubit ishte futur në dhomat e zhveshjes dhe, në rast triumfi, kishte premtuar këtë shumë të majme.
Por pati një lloj hezitimi në lidhje me këtë çështje, pasi vetë Gjici në "Rubrika Sportive" në TVSH tha se nuk do të kishte kurrfarë shpërblimi. "Nuk do të ketë premio për ndeshjen me Skënderbeun, pasi lojtarët më " kanë thënë që të mos e publikoj premion. Sepse ndoshta ata (futbollistët) nuk i çojnë të gjitha lekët në shtëpi", pat deklaruar presidenti.
Por deri sa ai dje ka dhënë 20 milionë lekë (të vjetër), dëshmon se premtimin ua kishte bërë. Kreu i klubit ndoshta ka ndërruar mendje, ose deklaratën e dhënë në televizion e ka bërë vetëm për humor. E rëndësishme është që, dy ditë para ndeshjes me Teutën, lojtarët kanë mbushur xhepat. Burime pranë "Panorama Sport" zbulojnë se titullarët kanë marrë afro 800 mijë lekë (të vjetër) për kokë, ndërsa pjesa tjetër gjysmën e kësaj shume.
Pasi janë ndarë paratë, presidenti ka përfituar për të zhvilluar edhe një mbledhje të shkurtër. Ai ka vendosur kushtin e radhës. Gjici, përveçse i ka përgëzuar të tijtë për ecurinë, ka kërkuar vazhdimësinë, duke filluar nga ndeshja e së shtunës në "Niko Dovana".
Situata - Kukësi është fokusuar i gjithi te Teuta, ndeshje që është tejet e rëndë- sishme për zonën "Euro". Objektivi sezonal i verilindorëve është fitimi i Kupës së Shqipërisë dhe njëherësh blindimi i vendit të tretë. Nisur nga kjo, ekipi i drejtuar nga Klodian Duro, do të udhëtojë drejt Durrësit vetëm për pikët e plota. Në këtë formë jo vetëm konsolidon pozitat në renditje, po likuidon edhe një rival direkt, që gjithashtu pretendon që të presë një biletë për Kupat e Europës.