Ylli Çekiçi: Dinamo është mësuar me ndeshje të toleruara
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nuk kanë të ndalur akuzat dhe kundërakuzat për korrupsion dhe tolerime të ndeshjeve në Kategorinë e Parë.
Mbrojtësi i Dinamos, Roland Peqini, në emër të skuadrës akuzoi një ditë më parë në gazetën "Panorama Sport" drejtuesit e Pogradecit se kishin tentuar të korruptonin me para lojtarë të bluve për të fituar ndeshjen.
Reagimi i liqenorëve ka qenë i menjëhershëm dhe me të njëjtën monedhë. Drejtori teknik i Pogradecit, Ylli Çekiçi, akuzon blutë se janë mësuar gjithmonë që të fitojnë ndeshje të toleruara, ashtu siç ka ndodhur dy vite më parë.
Çekiçi "Dinamo është mësuar që Pogradeci t'i lejë ndeshjet, ashtu siç ka ndodhur përpara dy vitesh, kur rrezikonin të binin nga kategoria. Unë nuk kam qenë drejtues në atë kohë, por Pogradeci u ka lënë ndeshjen bluve.
Skuadra që unë përfaqësoj aktualisht ishte në avantazh 2-0 në atë takim dhe në fund ka fituar Dinamo 3-2. Ata janë mësuar t'i lemë ndeshjen dhe me sa duket kërkonin të njëjtën gjë. Unë nuk e di se me kë bën aleanca Dinamo. Ata janë mësuar me këto lloj gjërash", shprehet fillimisht drejtori teknik i liqenorëve në prononcimin e tij.
I pyetur për faktin se blutë akuzojnë se drejtuesit e Pogradecit kanë kontaktuar me lojtarë e drejtues të Dinamos dhe a ka ndonjë të vërtetë në këtë akuzë, Çekiçi përgjigjet: "Sigurisht që nuk është aspak e vërtetë kjo.
Por, duke qenë se u mundën në minutat e fundit, siç duket iu ka dhembur shumë. Madje, ne ishim superiorë edhe me lojë dhe shikojini statistikat se sa goditje kemi bërë dhe sa ata. Dinamo nuk meritonte asgjë.
Të vetmen gjë që nuk e kemi bërë të ditur gjatë javës ishin tetë mungesat që kishim për këtë ndeshje. Në këtë mënyrë e kemi mundur Dinamon pa tetë titullarë që na mungonin. Ne si klub nuk merremi me këto pazare që thotë Dinamo.
Ndoshta, ata bëjnë pazare me ndonjë tjetër dhe me sa duket u paska dalë gjumi keq", përfundon reagimin e tij për gazetën "Panorama Sport" drejtori teknik i Pogradecit, Ylli Çekiçi.
Skuadra Për sa i përket ekipit, dje zhvilloi seancën e fundit stërvitore. Pas fitores 2-1 në mesjavë në Tiranë ndaj Dinamos, Pogradeci do të presë sot në fushën e vet Shkumbinin. Në këtë takim, ekipi i drejtuar nga Gentjan Stojku do të kërkojë fitoren e radhës për të ruajtur vazhdimësinë.
Akuza/ Dinamo: Pogradeci na ofroi para për ndeshjen
Një ditë më parë, në gazetën "Panorama Sport", mbrojtësi i Dinamos, Roland Peqini, deklaroi: "Gjatë të gjithë periudhës së para ndeshjes, zyrtarë të ekipit të Pogradecit kanë marrë në telefon shumë prej lojtarëve të Dinamos dhe u kanë kërkuar që në shkëmbim të parave t'i toleronim për ndeshjen. T'i linim ta fitonin ata sfidën. Madje, kanë arritur që të marrin në telefon duke tentuar të korruptojnë edhe pjesëtarë të stafit tonë në mënyrë të tërthortë. Kur kjo nuk u shkoi dot, pasi askush s'e pranoi këtë ofertë, e gjetën zgjidhjen me arbitrin Kridens Meta, i cili na masakroi në fushë. Ka dhënë 50 faulle kundër nesh. Nuk na dha penallti në rastin e Buzit që ishte flagrant. I uroj ekipet që duan të ngjiten në Superiore ta bëjnë me forcat e tyre dhe të luajnë ndershëm e jo të bëjnë atë që bëri Pogradeci me ne 4 javë para se të luhej ndeshja. Në emër të gjithë skuadrës i shpreh këto gjëra me bindje të plotë dhe të thellë se shumë duhet të ndryshojnë dhe institucionet kompetente të marrin masa".