e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Xhevahir Sukaj: Tirana, kush? Une do te flas vetem me gola

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhevahir Sukaj: Tirana, kush? Une do te flas vetem me gola
Vllaznia-Tirana projektohet si supersfida e javës së ardhshme të Kategorisë Superiore. Pragndeshja duket e ndezur, pasi kanë filluar edhe përplasjet e para në distancë. Ishte Arjan Pisha ai që pak ditë më parë deklaroi në media se te Vllaznia nuk llogarit asnjeri, përveç Sinanit, i cili në këtë sezon i ka nisur takimet nga stoli i rezervave. Në këtë mënyrë, mbrojtësi veteran i bardhebluve duket se donte të nënvlerësonte në një farë mënyre dyshen e sulmit Sukaj-Vajushi, e konsideruar deri tani si më e mira e kampionatit. Dhe nga Shkodra nuk ka vonuar kundërpërgjigjja. Xhevahir Sukaj, sulmuesi i Vllaznisë ia ka kthyer me të njëjtën monedhë, apo edhe diçka më “thumbuese”.

“Unë nuk njoh as Tiranën, jo më individët. Në fushën e lojës futemi të barabartë, por ajo që unë njoh më shumë se çdo gjë tjetër dhe është gjuha më e mirë për të komunikuar dhe për t’i dhënë përgjigjen secilit, është se unë njoh golin dhe me gjuhën e këtij të fundit flas gjithnjë. Golat flasin vetë”, ka ironizuar në këtë mënyrë sulmuesi Xhevahir Sukaj, duke shmangur në këtë mënyrë edhe lakimin e emrave të individëve të caktuar në kampin kundërshtar, por edhe duke dhënë një përgjigje të tërthortë edhe për kundërshtarin e javës së pestë. “Gjithmonë ndeshjet Vllaznia-Tirana janë pritur me interes nga publiku, por kësaj here mendoj se nuk do të ketë aspak dilema. Fitorja do të jetë vetëm e jona, pasi nuk ka rrugë tjetër për ne, që e ndiejmë si detyrë dhe obligim për të bërë punën tonë dhe asgjë më tepër. Nuk na intereson fare kundërshtari se kush është, pasi ne jemi përgatitur vetëm për fitore”, kështu ka përfunduar futbollisti i Vllaznisë.