e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Xhevahir Sukaj: Ja si u favorizua Skënderbeu ndaj Tërbunit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhevahir Sukaj: Ja si u favorizua Skënderbeu ndaj Tërbunit

Pas fitores në derbi, të dielën në darkë të kuqtë e kryeqytetit kishin pushtuar studiot televizive, ku në katër rubrikat sportive gjendej nga një pjesëtar i Partizanit.sukaj Në emisionin "Fair Play" në "News 24", të gazetares Enkeleida Zeko ishte i pranishëm sulmuesi Xhevahir Sukaj, i cili në minutën e gjashtë të derbit shënoi golin e parë për Partizanin.

Përpos argumenteve që kishin lidhje me suksesin ndaj Tiranës, shkodrani ka prekur edhe betejën me Skënderbeun, ku, sipas tij, disa detaje të vogla, që konsiderohen pa vlerë, lënë të kuptosh se korçarët po favorizohen në krahasim me Partizanin.

Për këtë, Sukaj jep si shembull përballjet me Tërbunin, ku Skënderbeu nuk e provoi "tmerrin" e stadiumit "Ismail Xhemali", pasi takimi u zhvendos në "Qemal Stafa" duke shkelur edhe rregulloren.

Ndërsa Partizani disa ditë më vonë luajti në Pukë dhe lojtarët duhet të vraponin me nga 1 kg baltë në këpucë. "Skënderbeu dhe Partizani janë rivalët kryesorë për titullin në këtë sezon, por mund të them se korçarët po favorizohen disi në krahasim me ne.

Janë detaje të vogla, që mund të konsiderohen të parëndësishme, por realisht kanë ndikim te kalendari. Pse duhet të luante Skënderbeu me Tërbunin në Tiranë, kur rregullorja e përcakton se klubi pritës duhet të gjejë një fushë brenda perimetrit 100 kilometra?!

Që këtu nis favorizimi, pasi ata anashkaluan terrenin e Pukës dhe erdhën e luajtën në kryeqytet. Ndërsa Partizani disa ditë më vonë luajti në stadiumin e Pukës.

Në atë takim na u desh të luanim me nga një kilogram baltë në këpucë dhe për shkak të atyre kushteve patëm vështirësi në lëvizje dhe qarkullim topi. Nga ai terren erdhi edhe dëmtimi që unë pësova në derbi, dëmtim i cili më lë jashtë ndeshjes me Bylisin dhe rrezikoj edhe për më tej.

Pra kjo është pasojë e fushës së stadiumit të Pukës, ndërsa Skënderbeu e evitoi atë terren. Kam bindje se nëse do të luanin atje, ata do të kishin një ngarkesë më të madhe për takimin e radhës. Gjithsesi, nëse luajmë dhe mobilizohemi si në derbi, kemi mundësi reale për të dalë kampionë", u shpreh mes të tjerave Sukaj në emisionin "Fair Play".