e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Xhani de Biazi eshte me kembe ne toke

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani de Biazi eshte me kembe ne toke
Trajneri e sheh të vështirë ndeshjen e kthimit me nordikët e sapomposhtur në shtëpi

Fitorja historike në stadiumin “Ullevaal” të Oslos ka ngjallur ëndrrën e shqiptarëve për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Botëror “Brazil 2014”, por për ta arritur këtë qëllim madhor ka ende shumë punë për t’u bërë. Këtë e ka të qartë më shumë se kushdo tjetër trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, i cili përtej entuziazmit, që nuk arriti ta fshehë në momentin e shënimit të golit të Salihit, por edhe pas fërshëllimës së fundit të gjyqtarit Blom, po vret mendjen se si mund t’i mposhtë sërish nordikët në ndeshjet e radhës në Tiranë, në muajin qershor.

“Fitoren ndoshta nuk e prisnin, sepse do të luanim me një kundërshtar shumë të vështirë, megjithatë ne kishim bindjen se do ta arrinim një rezultat pozitiv. Morëm tri pikë të vyera, që na mbajnë në garë për një kualifikim të mundshëm. Problemi im i madh është se pas 75 ditësh, pak a shumë, do të luajmë sërish me Norvegjinë dhe do të kemi tri mungesa të sigurta, Lilën, Roshin dhe Canën dhe unë jam i shqetësuar për këtë. Ne mund t’i mundin përsëri, por gjithçka varet nga dëshira jonë për të bërë gjithçka mirë. Duhet të jemi të përqendruar, dhe ta përgatisim ndeshjen ashtu siç duhet, si në nivelin fizik dhe në atë taktik”.

E shmang euforinë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili këmbëngul se është herët për të folur për një kualifikim të mundshëm të ekipit tonë kombëtar në Botërorin e Brazilit.

Barazimi mes Zvicrës dhe Qipros në takimin e mbrëmjes së djeshme në Nikosia e ka bërë edhe më të ngjeshur garën në krye të grupit tonë, duke e lënë në vetëm dy pikë diferencën mes vendit të parë, Zvicrës, dhe dy ndjekësve, Shqipërisë dhe Islandës. Vendi i dytë në klasifikim pas përfundimit të gjysmës së ndeshjeve është një sukses i paprovuar më parë për Shqipërinë, por edhe më optimistët ndër analistët sportivë që e shohin të vështirë pjesën e mbetur të ndeshjeve.

Dje, me të mbërritur në Rinas, ekipi kombëtar është drejtuar sërish drejt Durrësit, ku do të vijojë përgatitjet për miqësoren me Lituaninë, që shihet edhe si një shans për të mbajtur gjallë entuziazmin e fitores historike në transfertë ndaj Norvegjisë.