e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Withers: Mero Baze mori 500.000 euro per projektimin e kazinose

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Withers: Mero Baze mori 500.000 euro per projektimin e kazinose
500 mijë eurot që sollën “frymën opozitare” të Bazes Kabllogramët, ja çfarë mendon Uidhërs për politikën shqiptare. Në kabllogramët e ambasadës amerikane në vend drejtuar Uashingtonit, të bërë publike dy ditë më parë nga platforma “Wikileaks”, u zbuluan disa informacione edhe rreth arsyeve të kriticitetit më shumë se agresiv të gazetës së përditshme “Tema” ndaj ekzekutivit dhe kreut të tij. Duke e referuar komentin e tij për kohën kur kjo gazetë mbylli publikimin e saj, ish-ambasadori amerikan Uidhërs thekson në memon e tij drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit se kthimi i linjës editoriale të gazetës “Tema”, nga një gazetë proqeveritare në një antiqeveritare, erdhi pas një përgjigjeje negative të Kryeministrit Berisha ndaj kërkesës së botuesit të kësaj gazete, Mero Baze, për një licencë kazinoje. “Ndarja, referuar shumë burimeve, ndodhi kur Berisha rrëzoi një marrëveshje të negociuar nga Baze për të mbështetur interesat e biznesit të pronarit të qendrës së argëtimit “Taivan Center”.

 Shumë burime thonë që Baze është paguar 500 mijë euro të çlirojë një licencë kazinoje, por më në fund dështoi që ta bënte këtë. Pronari i “Taivan Center”, Besnik Sulaj, thuhej se zotëronte “Temën”, sipas disa dokumenteve të siguruara nga Ministria e Financave”, citohej në memon e dërguar nga ish-ambasadori amerikan. Në vazhdim të komentit të tij për mbylljen e disa kohëve më parë të gazetës “Tema”, aktualisht sërish në treg, Uidhërs i referohej një deklarate të bërë nga katër organizata të medieve, në të cilat jepeshin dy mendime të ndryshme për këtë gazetë. “…Mero Baze, publicisti i gazetës së përditshme me tirazh të vogël “Tema”, njoftoi më 23 janar që “Tema” po shkonte drejt mbylljes. Në një deklaratë të datës 27 janar të katër organizatave të medieve theksohej se mbyllja e “Temës” ishte shkurajuese për gazetarët. Të tjerë gazetarë të njohur gjithsesi thanë se Baze e ka përdorur gazetën që të kritikojë ashpër qeverinë, pas shumë vitesh mbështetjeje personale dhe politike të fortë ndaj Kryeministrit Berisha, duke hedhur fjalë të këqija ndaj rolit dhe reputacionit të “Temës”. E vërteta është pak a shumë një kombinim i të dyjave. Gazetaria e pavarur në Shqipëri është një përjashtim, jo një normalitet”, nënvizohej në memon e dërguar nga ish-ambasadori amerikan Xhon Uidhërs drejt Departamentit Amerikan të Shtetit.

Uidhërs: Bojkoti i Ramës “nul”, zgjedhja e tij si kryetar shkeli statutin

Një ditë para fillimit të protestave popullore të parashikuara nga Partia Socialiste në shenjë pakënaqësie ndaj qëndrimit të mazhorancës për të mos hapur kutitë e votimit dhe për të mos bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, ambasadori Uidhërs informoi Departamentin Amerikan të Shtetit për situatën politike në Tiranë. Sipas dokumentit të titulluar “Përshkrim për Tiranën”, ish-ambasadori amerikan kritikoi Ramën për bojkotin e Parlamentit, si strategji jo e suksesshme dhe me të cilën “PS nuk do të marrë kurrë atë që kërkon”. Dokumenti është dërguar në DASH më 9 tetor 2009, pikërisht një ditë para fillimit të protestave nën moton “Hap kutitë”.

“Fillimisht njerëzit ishin të bindur se Rama kishte krijuar perceptimin e një partie të kërcënuar nga armiq të jashtëm, në të vërtetë një strategji që kishte qëllim të luftonte kundërshtarët brenda Partisë Socialiste. Gjatë kongresit post-zgjedhor të Partisë Socialiste, në fund të gushtit, anëtarët e Partisë Socialiste zbuluan se çdo përpjekje për të larguar Ramën nga kreu i PS-së ishte pothuajse e kotë. Me objeksione sporadike dhe në minorancë, të gjithë forumet e partisë, strukturat dhe kryetarët lokalë të PS mbështesnin Ramën të rikandidonte edhe pse kjo ishte qartësisht në kundërshtim me statutin e PS. Rama justifikoi vendimin për rikandimin e tij “si shkak i situatës së jashtëzakonshme të një qeverie ilegjitime që vodhi votat e shqiptarëve”, - thuhet në dokumentin e dërguar nga Uidhërs drejt Uashingtonit. Më tej, ish-ambasadori amerikan theksonte në raportin e tij se vendimi për të bojkotuar bazohej në një afat kohor të paqëndrueshëm, për tezën e “luftës kundër së keqes” dhe sipas tij, ai u kushtëzua nga një listë me kërkesa që ndryshonin në mënyrë të vazhdueshme. “Askush në Partinë Socialiste nuk e dinte se kur do të fillonte. Askush, tani nuk e di se kur do të mbarojë dhe për sa kohë do të zgjasë. Ajo çfarë është e qartë është se PS-ja nuk do të marrë kurrë atë që kërkon dhe Rama nuk disponon një strategji për të dalë nga skema e bojkotit. Me luftën që Rama kishte kundër tre kryeministrave (Berisha, Meta e Nano) çdokush në vend po kryqëzonte gishtat duke shpresuar që Rama të mos vendosë të bojkotojë zgjedhjet vendore. Një gjë është e qartë, vijat tashmë janë vizatuar dhe “lufta kundër së keqes” mund të vazhdojë për një kohë gjatë”.

“Wikileaks”, Uidhërs: 5 gratë më të pushtetshme në Tiranë

Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Arta Dade, gazetarja Sonila Meço dhe ish-kryetarja e Kontrollit të Pasurive, Fatmira Laskaj (në detyrë në kohën kur janë hartuar letrat) ishin 5 gratë më të fuqishme dhe më të pushtetshme në vend, sipas një informacioni që ambasada amerikane në Tiranë ka dërguar në Departamentin e Shtetit në 2007-n.

“Wikileaks”: Zgjedhjet mbeten problem për Shqipërinë

Në kabllogramët e bërë publikë të ambasadës amerikane në vend gjatë kohës kur në krye të saj ishte ambasadori Uidhërs, kritikohej në tërësi procesi i zgjedhjeve në vend. Në shumë prej tyre analizohet fushata elektorale dhe shprehet një shqetësim i theksuar për skenën politike tepër të polarizuar. Çështjet e Kodit Zgjedhor dhe marrëveshja e dy partive të mëdha për të përjashtuar më të voglat nga garat, shfaqen si shqetësime të mëdha të ambasadës amerikane. "Vetëm tri ditë para zgjedhjeve, çështja e pushtetit të ardhshëm ka marrë shumë rëndësi dhe po diskutohet me shqetësim. Nëse asnjë parti apo koalicion nuk fiton shumicën e 71 vendeve më 28 qershor, palët do të kenë 2 muaj kohë deri më 3 shtator, kur do të jetë mbledhja e parlamentit të ri, për të krijuar shumicën e re qeverisëse. Por kjo nuk duket e thjeshtë", - citohet në një memo të dërguar nga ambasada amerikane në vend drejt DASH.

Kabllogramët e ambasadës: Tom Doshit “nuk ia ndien” për SHBA-në

Një raport i posaçëm për deputetin socialist Tom Doshi i është dërguar Departamentit të Shtetit nga ambasadori i mëparshëm Xhon Uidhërs. Në fakt, në raportin dërguar qendrës në Uashington DC, z. Uidhërs nuk ka bërë komente, por ai është mjaftuar vetëm me dërgimin e citimeve që fyenin atë drejtpërdrejt si ambasador, incident i ndodhur pak para se Uidhërsi të largohej nga Shqipëria. “Kam ndjekur nga afër raportimet për sulmin frikacak ndaj gazetarit Besar Likmeta nga Tom Doshi, në praninë e Arben Isarajt. Këto raporte janë më të tmerrshme, për faktin se të dy janë anëtarë të Parlamentit”, - kishte deklaruar ambasadori i SHBA-së, Xhon L. Uidhërs II, i cili ka dënuar sulmin mbi anëtarin e shtypit të lirë nga dy deputetët shqiptarë. Në raport, Uidhërsi ka cituar Doshin: “E pastaj çfarë? Kush është ambasadori i SHBA-së!”, - ishte përgjigjur Tom Doshi ndaj pyetjes për komentin e ambasadorit të SHBA-së për sulmin ndaj gazetarit”.

“Wikileaks”, Uidhërs: Ruçi nuk do t’ia dijë për ambasadën amerikane

Ish-ambasadori amerikan në vendin tonë, Xhon Uidhërs, ka raportuar në Uashington edhe në lidhje me një deklaratë të bërë nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ku ky i fundit shprehej: “…Koha kur Shqipëria vendoste duke u bazuar mbi atë që një person apo dikush tjetër thotë, ka përfunduar... Demokracia, liria e fjalës, liria e pronës, janë të gjitha gjërat që ndërkombëtarët na mësuan 20 vjet më parë dhe tani ato janë në pronësi të shqiptarëve, prandaj dhe nuk do të ndikohemi nga shprehjet, kërkesat apo ultimatume, nuk ka rëndësi se nga ku ato vijnë”, - ky është citimi i shkëputur nga fjalimi i Gramoz Ruçit në Asamblenë Kombëtare dy vite më parë. Në shënimin e ambasadorit Uidhërs, theksohet se me këtë gjuhë, “Ruçi u është përgjigjur thirrjeve të bëra nga disa ambasadorë të huaj në Tiranë për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit”.