Vrau gruan, gjykata i komunikon ne spital arrestin
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ilirjan Cani, akuzohet për vrasjen e Alketa Canit, ndërsa Gjykata vendosi për të masën e sigurisë burg pa afat, deri në fund të hetimeve, me akuzën e vrasjes për shkak të mardhënieve familjare
Reparti i reanimacionit në Spitalin Ushtarak për pak minuta është kthyer në një sallë gjyqi të improvizuar. Gjyqarti, prokurori, një avokat, sekretarja dhe disa punonjës policie kanë qenë të pranishëm në komunikimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ilirjan Canit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij katër ditë më parë në kryeqytet. Pas vrasjes së bashkëshortes, 40-vjeçari me profesion ushtarak tentoi të vriste veten por mbeti i plagosur rëndë dhe tashmë ndodhet në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Sipas mjekëve, ai është në gjendje të vetëdijshme, por në pamundësi për të folur. Ky ishte dhe shkaku që salla e gjyqit të Krimeve të Rënda për disa minuta u zhvendos në Spitalin Ushtarak, ku i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes me tetë plumba ruhet nga forcat e policisë.
Rreth orës 12:00 të mesdiës së djeshme gjyqtari Ardit Mustafaj i komunikoi të arrestuarit masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e vrasjes me dashje të bashkëshortes së tij Alketa Cani, nënë e dy fëmijëve. I arrestuari, në pamundësi për të folur ka reaguar me gjeste duke lënë kështu të kuptohet se është i vetëdijshëm dhe në gjendje të kuptojë vendimin e gjykatës, ndonëse gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbetet e rëndë. Ai ka dy plagë tejshpuese në trup pas tentativës së vetëvrasjes. Mjekët thonë se 40-veçari ka një plagë na bark dhe një tjetër në kraharor pranë zemrës. Po dje, i dyshuari për vrasjen e bashkëshortes është vizituar në spital edhe nga disa të afërm të tij, të cilët kanë para nga afër gjendjen shëndetësore të 40-vjeçarit. Ilirjan Cani me profesion ushtarak dhe i punësuar në repartin e forcave speciale të “Zall Herrit” akuzohet se ka vrarë katër ditë më parë bashkëshorten e tij Alketa Cani.
Krimi ndodhi rreth orës 18:00 të së hënës në banesën e çiftit në lagjen “Kodra e Priftit” në Tiranë, kur 40-vjeçari qëlloi me armë zjarri “kallashnikov” bashkëshorten e tij Alketa Cani. Më pas ai tentoi t’i jap fund jetës por mbeti i plagosur rëndë. Familjarët e viktimës thanë se Alekta kishte paralajmëruar se do të denonconte bashkëshortin në polici në rast se do të vazhdonte të ushtronte dhunë mbi të.