e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama: Meta nuk ishte pergjegjes per 21 janarin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama: Meta nuk ishte pergjegjes per 21 janarin

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama flet në “Hardtalk” për aleancën me Ilir Metën, për fatin e gjyqit të 21 janarit dhe si do t’i realizojë premtimet ambicioze. “Nuk jemi zgjedhur për të shpikur rrotën. Rrota është tashmë e shpikur e na mbetet të ndjekim rrugën e vendeve të suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe zhdukjes së tij”

Shqipëria është vendi i vetëm më i korruptuar i Evropës, sipas Transparency International. I ftuari im i sotëm, Edi Rama, ka premtuar se do ta ndryshojë këtë, kur të bëhet Kryeministër i vendit në shtator. Një artist modern, ai mori lavdërime ndërkombëtare për shndërrimin e kryeqytetit, Tiranës, kur ishte kryebashkiaku i saj, e jo më pak për shkak të lyerjes së ndërtesave gri me ngjyra të ndezura. Tashmë, ai ka premtuar një rilindje për të gjithë vendin. Pra, a mund t’ia dalë një ish-artist, aty ku politikanët e mëparshëm kanë dështuar?

Përse pretendoni të jeni më i suksesshëm se politikanët e mëparshëm në pastrimin e Shqipërisë?

Kjo mbetet për t’u parë, por besoj se është koha për një pastrim të vendit.

Flasim për një vend me probleme të jashtëzakonshme. Siç ju thashë, Transparency International deklaron se, jo vetëm ju jeni vendi i vetëm më i korruptuar i Evropës dhe po zbrisni në renditje, por ju jeni edhe një prej vendeve më të varfra në Evropë. Si do t’i përballoni këto sfida?

Është një vend me reputacion të keq dhe sigurisht, jo tërësisht të pamerituar, por në të njëjtën kohë, është një vend me potenciale të jashtëzakonshme e me talent të pamata, që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Për t’ju dhënë një shembull, pas fitores në zgjedhje, ju kam bërë thirrje të gjithë atyre, që janë të rinj e të talentuar, që janë brenda dhe jashtë vendit, të cilët dëshirojnë të bashkohen me skuadrën e re për Shqipërinë. Përgjigjja ka qenë tejet pozitive. Tashmë, kemi rreth 10 000 njerëz, të cilët kanë paraqitur aplikimet e tyre për t’i shërbyer vendit. Natyrisht, kjo do t’i nënshtrohet konkurrimit dhe një sërë procedurave, por reagimi është jashtëzakonisht pozitiv dhe kjo nënkupton se ka shpresë dhe një vullnet shumë të fortë për të ndryshuar.

Dikur e keni përshkruar si imazhin e një toke prostitutash dhe emigrantësh të paligjshëm. A mendoni se ky vijon të jetë ende perceptimi për vendin? 

Kjo është diçka që e kam thënë në vitet ’90, kur…

E keni thënë në vitin 2003…

Ndoshta, por është shumë kohë më parë, kur kishte një stereotip konstant, që ish mjaft shqetësues për shqiptarët e për një popull, që nuk e meriton të përshkruhet si një vend prostitutash e kështu me radhë.

Duhet të më shpjegoni… I keni kërkuar tri herë Komisionit Evropian ta konsiderojë Shqipërinë si kandidate, vetëm si kandidate dhe ai i ka rrëzuar secilën prej të tria kërkesave, secilën prej herëve dhe efektivisht nuk keni arritur as të hyni në proces, pasi reformat nuk kanë qenë mjaftueshmërisht domethënëse.

Është e vërtetë, ashtu siç është gjithashtu e vërtetë se një nga problemet kryesore, ndoshta më shqetësuesi për bashkësinë ndërkombëtare kanë qenë zgjedhjet dhe integriteti i procesit zgjedhor. Më në fund, pas një kohe të gjatë, një morie përpjekjesh e sakrificash, nga ana e popullit shqiptar dhe opozitës, të cilën kam privilegjin t’a udhëheq, ne arritëm të zhvillonim zgjedhje normale dhe mendoj se, pasi e kemi kaluar këtë provë, tashmë mund të kemi arsye për të qenë optimistë, që më në fund të marrim një përgjigje pozitive për statusin tonë të kandidatit.

 Që e prisni të ndodhë, kur?

Shpresoj se do të ndodhë në dhjetor ose pranverën që vjen.

Nuk është e qartë se publiku domosdoshmërisht mendon se jeni njeriu i duhur për këtë punë, sepse në fund të fundit, keni qenë tetë vjet në opozitë dhe sërish, në këto zgjedhje fituat vetëm një mandat më shumë krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve. Partneri juaj në koalicion, Ilir Meta doli me rezultate mjaft të mira nga këto zgjedhje, si rezultat i rritjes së mandateve të partisë së Ilir Metës nga katër mandate në 16. Tani, ky është njeriu me të cilin, për të qenë të qartë, keni zgjedhur të qeverisni. Ai ka qenë pjesë e qeverisjes së mëparshme dhe për të cilin vetëm dy vjet më parë, keni thënë se personifikonte çdo gjë të kalbur në Shqipëri.

Është e vërtetë se kemi pasur një të shkuar të vështirë në kuptimin e marrëdhënieve brenda familjes së majtë. Partneri i tashëm i koalicionit është një parti që ka lindur nga ndarja e Partisë Socialiste disa vjet më parë…

Gjykata e Lartë rrëzoi akuzat ndaj Metës dhe ju sërish deklaruat për median vendase se ky vendim ishte një tallje me qytetarët shqiptarë dhe se qëndronte në thelb të një hapi të mëtejshëm drejt një regjimi të padrejtë. 

Është e gjitha e vërtetë, ashtu sikurse është në të njëjtën kohë e vërtetë, se na duhet të bëjmë përpara e t’i ofrojmë popullit shqiptar një alternativë për ndryshim, çka e bëmë dhe i fituam zgjedhjet në bazë të një programi për Rilindjen Shqiptare, me premtime mjaft të hollësishme dhe gjendemi tashmë në provë përpara popullin shqiptar…

Ajo video shkaktoi mjaft shqetësim. Pati demonstrata anti-korrupsion në të cilat katër persona u vranë nga Garda Kombëtare… E gjithë kjo e pati fillesën nga diçka e dy vjetëve më parë dhe vështirë të kuptohet sesi mund të mos merreni me këtë.

Mua më takon të marr përsipër sfidën për problemet e vendit, së bashku me çdokënd të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë dhe siç e thashë, kemi marrë angazhime. Një prej tyre është për të ndjekur me gjithë vullnetin tonë procesin, që duhet të vendosë përpara drejtësisë dhe duhet të marrë vendimin e duhur kundër të gjithë atyre, që ishin përgjegjës për 21 janarin…

Në rregull, pra Ilir Meta nuk ishte përgjegjës edhe pse në atë kohë ishte në qeveri dhe zëvendëskryeministër, ai nuk ishte?

Jo! Vrasjet kanë përgjegjësi të qartë dhe përgjegjësitë duhet të përcaktohen nga gjykata.

Do të dal edhe aty për pak, por ky person me të cilin keni vendosur të hyni në qeverisje do të ketë poste në qeverinë tuaj, ju jeni i bindur se ai është i pastër. Ky person është një njeri me të cilin ju mund të punoni, sepse është i pastër dhe ju jeni i bindur për këtë?

 Sërish, besoj fort se kur duhet të merremi me korrupsionin dhe me problemet e thella të krijuara nga korrupsioni, duhet pasur gjithnjë parasysh se është sistemi që i korrupton njerëzit dhe jo e anasjellta. Unë besoj fort se lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me modernizimin e sistemit dhe me bërjen gjithnjë e më pak të mundur për njerëzit, që të përfitojnë nga një sistem i rrënuar.

Një nga gjërat që thatë ishte se do të kishte një proces gjyqësor të udhëheqësit të PD-së, Sali Berisha, në atë kohë Kryeministër, proces që do të fillonte pas këtyre zgjedhjeve. A po propozoni që të çoni në gjyq Sali Berishën?

Jo. Po them vetëm se këto ngjarje nuk mund të harrohen dhe as mund të gjykohen në mënyrën e vjetër me të cilën jemi mësuar, ku proceset shndërrohen në farsë. Ndaj do të marrim të gjitha masat që mundemi për t’iu ofruar ndihmesë reale familjeve të viktimave, për të ofruar një ndihmë reale për një proces që duhet të jetë i pavarur nga qeveria.

 …dhe pavarësisht nga ajo që keni thënë asokohe e deri tani, Sali Berisha nuk do të gjykohet apo nuk do të ketë një proces gjyqësor të asnjë lloji kundër tij për këtë?

Po kjo s’ka të bëjë me atë çka mendoj apo dua unë. Ka të bëjë me një proces të sistemit të drejtësisë dhe kur folëm për Sali Berishën, ju thashë se ai mban të gjithë përgjegjësinë, në kuptimin e përgjegjësisë morale e politike, dhe kur vjen fjala…

Le të vijojmë me korrupsionin.. Një prej gjërave që kolegu juaj aktual në qeveri, Ilir Meta, ka thënë për ju pak vjet më parë ishte se ju e kishit shndërruar Tiranën në një lavatriçe të madhe për të pastruar paratë e pista. Sa të pastra janë duart tuaja në këtë sistem për të cilin thoni se korrupton këdo?

Jetojmë në një qytetërim, ku janë akuzuesit ata që kanë barrën të provojnë akuzat e tyre dhe jo të akuzuarit që të vërtetojnë se nuk i kanë bërë ato për çka akuzohen. Shumë thjesht, do të thosha se ne kemi jetuar për shumë kohë në një proces politik të ngritur kryesisht mbi akuza, një lloj politike e vjetër që dua ta lë pas krahëve dhe që shqiptarët duan ta lënë pas krahëve, pasi është koha…

Çfarë do të thotë kjo? Çfarë do të bëni ju për këtë, sepse ju thoni që është problem i sistemit dhe thatë më parë se nëse e çoni një nëpunës civil shqiptar në Gjermani ata nuk do të korruptohen, pasi nuk kanë hapësirë për këtë, por nëse i vendos gjermanët në Shqipëri, ata do të bëhen të korruptuar për pak muaj?

Sigurisht…

Atëherë, nëse ky është problem i sistemit shqiptar dhe ky është një sistem në të cilin ju jeni brenda, a jeni edhe ju, për pasojë, i korruptuar?

Jo, jo, po them diçka kryekëput ndryshe dhe kam dhënë prova përgjatë drejtimit për 11 vjet të Bashkisë së Tiranës se me modernizimin e sistemit të administratës, mund ta luftosh korrupsionin. Unë shpresoj që i gjithë vlerësimi që kam marrë edhe ndërkombëtarisht ka qenë dëshmi e funksionimit të kësaj. Pra, modernizimi i sistemeve…

Atëherë na shpjegoni çfarë ndodh? Për çdo gjë që ke nevojë të bësh në Shqipëri duhen paguar para, që të shkojë mirë?

Po dhe ka përvoja shumë të rëndësishme të vendeve të tjera më parë, se korrupsioni nuk do të mbetet i pandëshkueshëm përgjithmonë. Ai është diçka që mund të luftohet e të zhduket. Më lini t’ju jap një shembull. Ne kemi një problem të madh me administrimin e doganave dhe mbledhjen e taksave, ku ka shumë korrupsion dhe për këtë arsye po punojmë fort për krijimin e një procedure të re. Ne do të kërkojmë ndihmë nga organizma ndërkombëtare, si për shembull, Croën Agents, agjencia britanike që ka pasur histori të suksesshme në Bullgari, Ukrainë, Slloveni, Maqedoni dhe të tjera duke i shndërruar doganat bullgare, asokohe tejet të korruptuara, në dogana që funksionojnë normalisht.

Njerëzit thonë se po kështu flisni për gjyqësorin dhe për ringritjen e policisë. A do të bëni ju një pastrim masiv të njerëzve brenda qeverisë dhe administratës shqiptare?

Jo! Nuk kemi nevojë ta bëjmë një gjë të tillë. Unë besoj fort se ka njerëz me shumë vlerë edhe brenda sistemit të rrënuar dhe siç e thashë, ajo çka na duhet është të transformojmë sistemin. Ne nuk jemi në pozitën ku na duhet të shpikim çdo gjë nga e para. Na duhet vetëm të ndjekim historitë e suksesit jashtë. Ka mjaft histori të suksesshme, edhe në situata tejet të vështira, madje edhe më të vështira se në Shqipëri, që tregojnë se mund të fitosh kundrejt korrupsionit dhe ne do triumfojmë mbi të. Patjetër, kjo kërkon reforma shumë të thella, duhet një vullnet shumë i fortë. Ne i kemi të dyja. Kemi platformën për reformat dhe vullnetin.

Sërish, këto janë gjëra që kushtojnë dhe ju po thoni që këto para do të vijnë nga spastrimi i korrupsionit. Prej këtej do t’i merrni paratë? 

Kjo është një prej mënyrave për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Në të njëjtën kohë, spastrimi i korrupsionit do të thotë të krijojmë një mjedis më të mirë për investime, të kemi më shumë investime, të mbledhim më shumë të ardhura e kështu me radhë. Nuk jemi zgjedhur për të shpikur rrotën. Rrota është tashmë e shpikur e na mbetet të ndjekim rrugën e vendeve të suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe zhdukjes së tij.

Dhe ju keni marrë këshilla për këtë nga ish-kryeministri britanik Tony Blair?

Kemi filluar ta diskutojmë, po. 

Për çfarë…

Kemi diskutuar se si ai mund të na ndihmojë për ngritjen e të gjithë skemës. Si edhe për vendosjen e përparësive dhe për ecjen përpara në bazë të disa përparësive, për të mos humbur fokusin dhe për të kryer reformat.

Që do ta shndërrojnë Shqipërinë në çfarë? Ne folëm nëse ishte një tokë prostitutash dhe emigrantësh të paligjshëm, por cili duhet të jetë perceptimi për Shqipërinë? 

Ai i një vendi mesdhetar të këndshëm, normal dhe shumë tërheqës; vend i vogël, por funksional. Kjo është absolutisht e mundur, pasi siç e thashë, nuk kemi një shtet funksional, por kemi njerëz që kanë dëshmuar se kur vendosen në pozita pune, ata ia dalin në mënyrë të shkëlqyer, ashtu si këtu, ashtu si në Itali, Greqi. Janë të njëjtët njerëz, janë po ata shqiptarë, që kur janë këtu respektojnë rregullat, kur janë atje, përpiqen t’i shmangin, sepse rregullat janë të shkruara, por nuk zbatohen.