e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Vlorë, 4 fierakë plagosin me armë 4 vlonjatë për pronat.

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Vlorë, 4 fierakë plagosin me armë 4 vlonjatë për pronat.
Të katër personat janë qëlluar në pjesën e poshtme të trupit dhe mesa duket nuk kanë pasur objektiv jetën e tyre, por për t’i trembur.

 

VLORË - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës me pasojë plagosjen e katër personave.
Rreth orës 20:45 minuta të mbrëmjes në afërsi të pallatit të sportit “Flamurtari”, dhe pikërisht pas pallatit të sportit në një lokal janë grindur për çështje pronësie rreth tetë persona.

 

Të shtënat

Pasi janë grindur me fjalë të tetë, një nga personat, i cili është i përfshirë në këtë konflikt, në gjaknxehtësi e sipër ka nxjerrë armën tip pistoletë pa leje dhe ka shtënë  në drejtim të katër të tjerëve, duke i lënë të plagosur në pjesët e poshtme të trupit.

Ndjekja dhe arrestimi

Pasi kanë qëlluar me armë, katër personat janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fierit, ndërkohë që edhe makinat e tyre kanë pasur dhe targa të Fierit. Policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje, ka bërë rrethimin e zonës dhe ka shoqëruar të katër të plagosurit drejt spitalit të Vlorës. Më pas ka identifikuar edhe mjetet, të cilat ishin nisur në drejtim të Fierit. Pas një punë të mirorganizuar dhe të shpejtë, policia e Vlorës ka verifikuar automjetet që ishin dy, bashkë me katër personat, që ishin nisur në drejtim të Fierit, dhe ka bërë të mundur ndjekjen e tyre. Sipas policisë automjetet janë ndarë, njëri ishte drejtuar nga autostrada Vlorë-Levan dhe tjetri në drejtim të rrugës së vjetër, e cila të çon në Fier.

Për kapjen dhe arrestimin e tyre, shërbimet e policisë së rendit dhe asaj rrugore kanë bërë ndjekjen e dy automjeteve dhe kanë ngritur postoblloqe në zonën e Novoselës dhe një në Levan. Autorët e krimit iu kanë shpëtuar postoblloqeve dhe janë larguar duke përplasur disa herë automjetet e tyre me ato të policisë, të cilat kanë qenë në postoblloqe. Por ndjekjes nuk i kanë shpëtuar dot në autostradën Levan-Tepelenë, ku mjetet e policisë kanë mundur të ndalojnë dy automjetet dhe katër personat, si dhe armën që kreu krimin. Sipas policisë, të katër personat janë nga Fieri dhe sipas hetimeve paraprake të katër autorët kanë deklaruar se gjithçka ka ndodhur për motive pronësie.

Goditjet, për t'i trembur

Ndërkohë, katër të plagosurit janë banorë të Vlorës dhe pasi iu është dhënë ndihma kirurgjikale në spitalin e Vlorës ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka sekuestruar në vendngjarje gëzhojat e dala nga arma, e cila i përkiste një personi tashmë të arrestuar. Sipas mjekëve të Vlorës, të katër personat janë qëlluar në pjesën e poshtme të trupit dhe mesa duket nuk kanë pasur objektiv jetën e tyre, por për t’i trembur. Ndërkohë, policia dhe prokuroria e Vlorës po marrin në pyetje të arrestuarit, si dhe të plagosurit në spitalin e Vlorës.