Velozo helmon Shqiperine ne minuten e fundit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fati nuk ishte me ne këtë herë. Ishte e pamundur që të fitonim. Zoti nuk deshi, sepse kështu ishte e thënë. Por dalim nga stadiumi me kokën lart. Një gol në sekondën e fundit është tepër për ëndrrën tonë kuqezi që vazhdon, sepse kemi edhe dy ndeshje për të luajtur dhe shansi që Danimarka barazoi, matematikisht na lë të ëndërrojmë për Europianin nga dera direkte. Kuqezinjtë nuk ia dalin këtë herë që të marrin qoftë edhe një barazim, sepse ishte e pamundur. Gjithsesi me kokën lart. Humbasin, por do të provojmë në 180 minutat e mbetura. Kuqezinjtë kanë luajtur një ndeshje perfekte, por vetëm për pak sekonda nuk ia dalin. Një ndeshje e luajtur pothuajse në perfeksion, veç disa sekondave në fund të lojës.
Përsa i përket formacionit, trajneri De Biazi ka surprizuar të gjithë. Në fushë të gjithë ata që luajtën në Danimarkë, ndonëse vetëm tre ditë pushim. Nga ana tjetër, Santos ka surprizuar shtypin portugez me Silvën, Velozon. Stadiumi është mbushur plot që 40 minuta para se të fillonte loja, i pikturuar kuqezi e me qeleshe në kokë. Ronaldo qendërsulmues.
Loja fillon e qetë, me një rast për tanët, pa shumë pretendime. Portugezët kontrollojnë lojën, ndërkohë skuadra jonë kërkon kundërsulmin. Rasti i parë është një goditje nga 20 metra e Ronaldos, grushton Berisha. Nga goditja e këndit, Nani godet, por shtylla nderon Shqipërinë, ndonëse është pozicion jashtë loje. Ronaldo ka mundësi të bëjë aktorin, por stadiumi ia kthen duke i përmendur në kor Mesin. Loja është pa ritëm dhe të dyja skuadrat gabojnë shumë në kombinime. De Biazi është i shqetësuar në stol, pasi skuadra nuk po bën një aksion të rrjedhshëm deri në fund. Të dyja skuadrat duan të mos rrezikojnë dhe të shënojnë, duke përdorur gabimin e tjetrit. Pas disa minutash prapa, kuqezinjtë shtyhen përpara, ndonëse manovra jonë sulmuese nuk funksionon. Në minutën e 40, Nani godet, por topi kalon pasqyrën e portës së Berishës. Pjesa e parë mbyllet me një goditje të Shkëlzen Gashit, por që pritet nga Rui Patricio. Një 45-minutësh shumë i dobët nga të dyja skuadrat, ndonëse ekipi ynë në fazën sulmuese nuk ka qenë në ditën e tij më të mirë.
Pjesa e dytë nis pa ndonjë ndryshim nga të dyja skuadrat. De Biazi i beson 11-es së pjesës së parë. Gjithsesi, skuadra është shumë mbrapa. Rast për tanët në minutën e 52-të, teksa Cikalleshi godet nga 20 metra, por është Patrisio që e çon në fundore. Ronaldo me kokë në minutën e 56-të godet, por vetëm jashtë. Ritmi i kuqezinjve është rritur, ndonëse në mesfushë është futur edhe Basha. Minuta të mira për Shqipërinë, që ka marrë kontrollin e lojës. De Biazi vendos të hedhë një forcë të te në mesfushë Roshin. Dh menjëherë vinë rezultatet. Cikalleshi godet nga 20 metra, por mallkimi quhet shtylla që ndal golin.
Roshi në zonë pengohet nga Karvajo, por nuk është penallti. Ronaldo një minutë më vonë godet, pro grushton Berisha. Kuqezinjtë kanë vënë përpara Portugalinë, duke presuar. Gjithsesi, në minutën e 80-të portugezët kanë rastin e ndeshjes. Eliseu del i vetëm para Berishës dhe godet, por sfera çuditërisht vetëm jashtë, sigurisht për fatin tonë të mirë. Loja është nën kontrollin e Shqipërisë. Minuta e 92-të. Cana nuk nxjerr dot një top nga zona dhe goditje këndi. Pikërisht nga këndi Velozo i lirë në zonë me kokë godet dhe 0-1 për Portugalinë. Kuqezinjtë në disavantazh, pikërisht kur kishte edhe pak sekonda lojë.
E hidhur, sepse nuk kemi mundësi as të reagojmë. Humbasim një ndeshje të luajtur shumë mirë. Po kështu e ka futbolli. Tani duhet të reagojmë. Të tregojmë veten, me Serbinë dhe Armeninë. Europiani është ende në dorën tonë. Mjafton që të marrim katër pikë dhe jemi në Francë. Matematika na e lejon ende që të mendojmë për Parisin. Gjithsesi, më parë duhet të mundim ekipin serb në Tiranë dhe të luajmë në Erevan me armenët. Shanse kemi më shumë se Danimarka dhe mund t’ia dalim. Në të kundërt do të luajmë në “play-off”, një arritje që asnjëherë nuk e kemi prekur. Por edhe për skeptikët, edhe pse humbëm, sërish me kokën lart. Jemi ende në lojë për çdo gjë, edhe pse të gjithë, duke filluar nga lojtarët, janë të pikëlluar...
Armenia bllokon Danimarkën
Ekipi i Armenisë i ka bërë një nder të madh Shqipërisë, teksa ka ndalur Danimarkën në Erevan. Skuadra armene ka mundur të bllokojë ekipin e Olsenit, përgjatë 90 minutave. Një rezultat i jashtëzakonshëm që gjithsesi, i shkon për shtat kuqezinjve, pasi skuadra ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Momenti i rezultatit zyrtar ka bërë që presidenti Duka dhe zëvendëspresidenti Nuri të ekzaltohen. Madje ky i fundit ka thyer edhe telefonin nga gëzimi.
Ndeshje e blinduar
Nga Haki Çako, te Qato, e 1000 forca policie kanë siguruar dje “Elbasan Arenan”. Helikopterë, forca speciale, në çdo tarracë një polic. Kudo kontrolle. Asnjë nuk mund të hyjë pa u kontrolluar kokë e këmbë. Edhe forca civile policie kontrollojnë çdo cep të Elbasanit. Jo vetëm sepse është Portugalia, por sepse e gjithë Shqipëria ka patur sy e veshë në “Elbasan Arena”.
13.000 tifozë
Si anjëherë tjetër stadiumi “Elbasan Arena” ka qenë kaq plot. Stadiumi në çdo cep vezullon kuqezi. Mes ushtrisë së shqiptarëve edhe disa tifozë portugezë. Jo më shumë se 20 vetë, të vendosur në tribunën qendrore. Tifoz special në stadium ishte kryeministri Edi Rama me bashkëshorten, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Por ky i fundit, ndryshe nga të tjerët, nuk ka qenë në tribunën Vip, por mes qytetarëve të thjeshtë.
Xhaka: Futbolli është i pamëshirshëm
“Kemi treguar se dime të luajmë si të barabartë ndaj çdo ekipi, por për fat të keq sot humbëm, por ja që futbolli i tillë është. Edhe ne kishim mundësitë tona duke kërcënuar disa herë, por nuk arritëm të shënonim. Tashmë na pret një ndeshje e vështirë si ajo ndaj Serbisë, por ne do të japim maksimumin për të fituar dhe do të hyjmë në fushë vetëm për fitore, pasi 3 pikët ndaj tyre mund të na kualifikojnë në Europian. Ronaldo nuk ishte në një ditë të mirë sot, kjo edhe për meritën tonë, por ai vazhdon të mbetet një nga lojtarët më të mirë në botë”, tha Taulant Xhaka.
Santos: Shqipëria, kafshatë e vështirë
Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, ka vlerësuar Shqipërinë, por ka mbetur i kënaqur nga fitorja në Elbasan. ”Mund të shënosh në fillim, por mund të realizosh në fund. Pasi ndeshja ka 90 minuta e rëndësishme është tëvfitosh ndaj një ekipi të fortë si Shqipëria, pasi trajneri De Biasi ka bërë një punë të shkëlqyer, siç e thashë para takimit. Shqipëria ishte e fortë në mënyrë kolektive dhe mund të them që Cikaleshi, Xhaka apo Lenjani ishin lojtarë të aftë teknikisht. Ne e merituam fitoren, por Shqipëria e meriton të jetë në Europian”, është shprehur portugezi.
Cana: Tani nuk ka gabime
“Me skuadra të tilla duhet të dish… kur mendon se më herët e ke fituar ndeshjen, në atë moment mund ta pësosh dhe në atë moment ndodhi. Trajneri e tha edhe në atë moment. Duke marrë edhe eufori më shumë seç duhet kemi rrezikuar. E pësuam në fund kur nuk mund ta pësonim, por aty është një skuadër si Portugalia dhe më vjen keq për këtë. Më parë mund ta kishim pësuar, por në fund është e vërtetë se mund ta kishim fituar. U mundova të mos ta largoj topin për të parë një shokun tim, por ndodhi goditja e këndit dhe aty isha duke bërtit që ta mbajmë përqendrimin dhe s’kemi treguar mjaftueshëm mençuri për ta evituar këtë gol. Tani duhet të përqendrohemi totalisht te dy sfidat e mbetura pasi janë vendimtare dhe jemi kaq pranë ëndrrës. Duhet të japim maksimumin pasi e kemi vetë në dorë kualifikimin dhe dhe nuk na lejohen gabimet”, tha kapiteni Cana.
Cikalleshi: Nuk di si të thyej shtyllat
“Nuk kam fjalë për shtyllat e njëpasnjëshme. Pavarësisht rezultatit të sotëm (djeshëm), unë jam krenar për këtë ekip, pasi tani luajmë si të barabartë ndaj çdo kundërshtari. Më vjen keq që ende nuk po shënoj, por shpresoj që të vijnë golat në dy ndeshjet e mbetura, pasi janë më vendimtare se të gjitha sa kemi luajtur deri tani. Duhet të përqëndrohemi maksimalisht dhe të japim maksimumin për të arritur synimin tonë të madh”, deklaroi pas ndeshjes Cikalleshi.
De Biazi: Serbia vendos kualifikimin
Trajneri i kuqezinjve, i mërzitur për rezultatin e ndeshjes së djeshme, por pranon fatin
Trajneri Xhani De Biazi ka qenë shumë i mërzitur pas ndeshjes. Në konferencën për shtyp e ka shprehur zhgënjimin dhe frikën për kualifikimin. “E dimin forcën e Portugalisë dhe duhej të ishim të kujdesshëm deri në fund. Fola për 3 minuta me lojtarët pas ndeshjes. Është një humbje që u ‘djeg’ të gjithëve. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë se në të parën. Mendoj se është një humbje që do të na shërbejë edhe në të ardhmen. Nuk duhet të rrëmbeheshim nga publiku, por duhet të bënim lojën tonë. Në pjesën e parë vuajtëm cilësinë e Portugalisë dhe të kushtëzuar edhe nga rezutati që kërkuam. Në pjesën e parë luajtëm më ulët se mundësitë tona për të shënuar.
Me hyrjen e Bashës ndryshoi loja jonë duke rrezikuar. Golin e pësuam pasi ishim të përgjumur në mbrojtje. Jam i nevrikosur, pasi ishte një lojtar i joni që nuk reagoi duke shpresuar se nuk do të shënonte. U përpoqëm të shënonim, edhe pse e pranoj se ekipi kundërshtar rrezikoi më shumë dhe kjo është normale. Ne nuk arritëm të merrnim objektivin tonë më të vogël. Duhet të mendojmë për veten tonë, pasi kemi edhe 6 pikë në lojë. Në tetor kemi një ndeshje të vështirë në shtëpi me Serbinë dhe në fund me Armeninë në Erevan. Por të shohim se cili do të jetë rezultati në takimin Portugali–Danimarkë", është shprehur Xhani de Biazi pas ndeshjes.
Kukeli: Tani mendojmë tetorin
“Nuk është fundi i botës, por kam besuar deri në fund, pasi po luanim mirë për disa minuta rresht. Mendoj se tani është mirë për ne pasi kemi vetë në dorë në këto dy ndeshje që kanë mbetur. Duhet ta tregojmë veten. Në pjesën e dytë kemi luajtur shumë mirë dhe e kishim merituar një barazim. E pranoj që u zgjuam vonë, dhe vetëm pjesën e dytë dolëm në lojën tonë. Tashmë e gjithë vemendja shkon në dy ndeshjet e Tetorit”, tha mesfushori pas ndeshjes.
Renditja
1 – PORTUGALI 15 pikë
2 – DANIMARKE 12 “
3 – SHQIPERI 11 “
4 – ARMENI 2 “
5 – SERBIA 1 “