e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Vellezrit vrasin babane , s’u dha leket e pensionit per kumar

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Vellezrit vrasin babane , s’u dha leket e pensionit per kumar
Sali Laçi ka tërhequr pensionin dje në mëngjes në Kukës dhe pasdite vonë është kthyer në shtëpi në Bardhoc, ku sipas policisë, e kanë pritur të gatshëm për t’i marrë paratë dy djemtë e tij, Avdiu 36 vjeç dhe Vexhiu 31 vjeç. Policia thotë se kur i moshuari ka refuzuar t’u japë në dorë pensionin, që ishte e vetmja e ardhur familjare me të cilën jetonin 74-vjeçari dhe djemtë e tij, këta të fundit kanë rrëmbyer armën dhe e kanë qëlluar babain duke e lënë të vdekur në vend e më pas janë larguar nga shtëpia.

Ngjarja

Sipas policisë së Kukësit ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:00, në fshatin Bardhoc, komuna Tërthore. “Shtetasit Avdi Sali Laçi, vjeç 36 dhe vëllai i tij, shtetasi Vexhi Laçi 31, dyshohen se në banesën e tyre, për motive të dobëta kanë vrarë me armë zjarri babain e tyre, shtetasin Sali Laçi, vjeç 74”, njoftoi policia. Sipas saj, forca të shumta të antikrimit kanë shkuar në vendin e ngjarjes të njoftuar nga fqinjët, por dy personat që akuzohen për krimin ishin larguar menjëherë nga vendngjarja. Fillimisht policia dyshoi për përfshirjen në krim të vetëm njërit prej vëllezërve. 36-vjeçi që sipas policisë luante kumar dhe ishte shfaqur edhe më herët i dhunshëm, ishte i dyshuari kryesor për krimin, por pas sqarimit të rrethanave dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, duket se ai është ndihmuar edhe nga vëllai më i vogël. Policia ka shpallur menjëherë pas kësaj në kërkim dy vëllezërit, ndërsa ende nuk ka të dhëna nëse ata janë larguar në malet aty rrotull, apo kanë tentuar të kapërcejnë kufirin drejt Kosovës. Sipas policisë, vëllezërit kanë me vete edhe armën e krimit, me të cilën kanë ekzekutuar babain në moshë të thyer.

Motivet

Banorë të zonës thanë se familja Laçi jetonte në varfëri dhe se vëllezërit ishin të papunë, por edhe nuk duket se kërkonin të punonin. Banorët thanë se 36-vjeçari dhe vëllai i tij luanin shpesh kumar dhe duket se i harxhonin të ardhurat e vetme të familjes për këtë qëllim. Ata kanë pasur edhe më herët probleme dhe grindje me babain që nuk pranonte t’u jepte lekët e pensionit, të vetmet të ardhura që kishin në shtëpi. Banorë të zonës gjithashtu treguan se Sali Laçi kishte zbritur dje në mëngjes në Kukës, ku ka tërhequr pensionin mujor, i cili nuk ishte i mjaftueshëm as për të mbajtur me ushqime familjen prej katër vetash. Ndërsa mësohet se djemtë ishin të pamartuar dhe të papunë. Fqinjët kanë thënë se djali i madh i viktimës edhe më herët kishte pasur probleme me dhunën, ndërsa mësohet se ai kishte shfaqur herë pas here çrregullime mendore.