e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Van Persi: Januzaj? Si une para 10 viteve! Mojes: Do te behet yll!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Van Persi: Januzaj? Si une para 10 viteve! Mojes: Do te behet yll!

Lista e gjatë e tifozëve personalë të Adnan Januzajt, tani është pasuruar edhe me shokët e tij të skuadrës te Mançester Junajtid. Talenti 18-vjeçar shqiptar po lë gjithnjë e më shumë gjurmë në radhët e skuadrës angleze dhe një shpërthim i tillë nuk mund të kalonte pa u vlerësuar nga disa prej yjeve të ekipit legjendar, që shohin djaloshin të bëjë hapa gjigantë nga dita në ditë.

I pari në listën e adhuruesve është Robin Van Persi, sulmuesi i “djajve të kuq”, i cili nuk ngurron ta vlerësojë Januzajn si një prej talenteve më të mëdha përkrah të cilëve ka luajtur në karrierën e tij. “Gjatë viteve, unë kam parë kaq shumë lojtarë të rinj dhe mund të them me sinqeritet se mes të gjithë këtyre të rinjve, ai është në majë të listës, i pari apo i dyti”, deklaroi sulmuesi holandez për “Het Laatste Nieuws”. “Ai është një lojtar special. Do t’i dhurojë Mançester Junajtid shumë gola dhe ndeshje të mëdha. Ai ka shumë vetëbesim, të llojit pozitiv. Nuk është se shqetësohet shumë me atë që po ndodh rreth tij apo nga trysnia e ndeshjeve. Unë shoh pak nga vetmja ime e 10 viteve më parë te Januzaj. Por ai nuk është Van Persi i ri, është Adnani i ri”, deklaroi sulmuesi holandez që në karrierën e tij ka luajtur përkrah disa prej yjeve më të shndritshëm të futbollit botëror.

Ndërkohë, talentit shqiptar nuk ka ngurruar t’i thurë elozhe edhe trajneri David Mojes, i cili vlerëson firmën me futbollistin si një hap të rëndësishëm para që ka bërë klubi për të siguruar suksese në të ardhmen.

“Firmosja me Adnan Januzajn e një kontrate të re pesëvjeçare tregon dëshirën e klubit për t’u munduar të firmosë me lojtarët më të mirë në qarkullim”, u shpreh Mojes. “Lojtarët e rinj kanë mundësinë të bëjnë progres këtu te Mançester Junajtid dhe nuk kam dyshime që në të ardhmen, Adnani do të bëhet një yll. Ai është 18 vjeç, ka aftësi të mira dhe është më i pjekur se vitet që ka. Të gjitha aspektet e lojës së tij do të vazhdojnë të përmirësohen, sa më shumë që të luajë. Por ai ka dhënë që tani kontribute të rëndësishme për skuadrën duke ndërtuar dhe shënuar gola”, ishin fjalët e teknikut të Mançester Junajtid.

Këtyre elozheve të fundit për Januzajn i shtohen ato që janë bërë më parë nga lojtarë të tjerë të rëndësishëm të Mançester Junajtid si Uejn Runi, Majkëll Kerrik apo Rio Ferdinand, të cilët janë shprehur të sigurt se futbollisti ka një të ardhme të shkëlqyer përpara tij. Sipas mediave angleze, tani futbollisti shihet si një titullar i mundshëm nga trajneri i Mançester Junajtid, duke kaluar në hierarkinë e skuadrës emra si Nani e Kagaua, pa harruar këtu talentin Zaha, që pritej të ishte zbulimi i sezonit.

Statistika

Januzaj, lojtari që pëson më shumë faulle

Adnan Januzaj është futbollisti i cili pëson më shumë faulle në kampionatin anglez, pasi ka mesataren më të lartë të faulleve për ndeshje të luajtura. 18-vjeçari ka pësuar 17 faulle në 5 ndeshjet që ka luajtur me fanellën e “djajve të kuq”, duke pasur mesataren 3.4 për çdo takim. Ai ndiqet nga Stefan Sesenjo i Uest Bromuiç, i cili ka mesataren 3.2 faulle për ndeshje në 5 paraqitjet që ka bërë me fanellën e skuadrës së tij në këtë kampionat. Mesfushori i Aston Vilës, Fabian Delf, ka pësuar një total prej 28 faullesh në këtë sezon, por mesatarja e tij është vetëm 3.1, pasi ai është aktivizuar në të 9 ndeshjet e zhvilluara nga ekipi i tij.