Vallja e Pleshtit, mediat boterore ngrene ne qiell Messin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga Argjentinë në Japoni, nga Cape Town dhe deri në fjordet e Norvegjisë, të gjithë flasin për njeriun që në raundin e fundit shtriu me dy goditje të vetme Bayernin e Mynihut.
Lionel Messi është një simfoni që frymëzon gjithë botën dhe veçanërisht atë të futbollit.
Pep Guardiola nuk mundi të bënte asgjë për ta ndalur talentin që e njeh ndoshta më mirë se kushdo tjetër.
Numri 10 bëri të ëndërrojë një qytet të tërë dhe jo vetëm sepse mediat në mbarë botën i rezervuan faqe të tëra dy magjive që zhbllokuan sfidën e luajtur në “Camp Nou”, duke i hapur rrugën finales së madhe të Berlinit.
Përveç entuziazmit të parashikuar të gazetave spannjolle “Marca” dhe “AS”, “Messi-Mania” është kthyer në një fenomen global. “L’Equipe”ia dedikon faqen e parë yllit të Barcelonës, ndërsa “The Guardian” hapet me titullin “Messi drejton spektaklin dhe fundos Bayernin”.
Në Gjermani, “Bild” ironizon me shprehjen “Vallja Bavareze e Pleshtit”.
Në Brazil, “Globoesporte” flet madje për një pikturë, ndërsa në Argjentinë duken më pak të lumtur pasi gazetat e vendlindjes së Messit ndihen keq që nuk admiruan një lojtar të tillë edhe gjatë Botërorit.
“Nuk ka asnjë lidhje me Messin e Botërorit”, shkruajnë në kor gazetat argjentinase.
Lionel Messi është rikthyer dhe ndoshta ai do të jetë orkestruesi i Argjentinës në Kupën e Amerikës Latine, të paktën kështu shpresojnë në Argjentinë, aty ku emrat e mëdhenj të futbollit botëror kanë lidnur dhe ndoshta në të ardhmen do të vazhdojnë të rriten./SuperSport