e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Urbanistet paralajmerojne rrezikun: Ka objekte te ndertuara pa projekte te miratuara

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Urbanistet paralajmerojne rrezikun: Ka objekte te ndertuara pa projekte te miratuara
Specialistët e sektorit të Urbanistikës dhe ndërtimit në Durrës  kanë dhënë alarmin se mund të ngjasë katastrofa, pasi veç objekteve të ndërtuara, po shihen edhe pallate 15 kate e sipër, që për këtë qytet, mbetet absurdi më i madh nga pikëpamja ndërtimore. Sipas tyre, ka një numër të madh ndërtesash të ndërtuara përgjatë kodrave të Durrësit, të cilat rrezikojnë të shemben për shkak të formacionit të rrëshqitshëm të terrenit të ndërtimit të tyre, pa projekte inxhinierike. Nga ana e saj edhe ALUIZNI, pas një studimi të kryer qysh në shtator 2010, s’kualifikoi një numër të madh prej këtyre banesave nga procesi i legalizimit. Kodrat e Durrësit të cilat shtrihen në një vijë prej 7.5 kilometrash, përbëhen nga formacione toke të krijuara nga shtresa dheu të butë dhe të pa stabilizuar,  të cilat krijojnë vështirësi për ndërtime e megjithatë, përgjatë kodrave, pas viteve ’90 e në vazhdim janë ndërtuar rreth 4200 banesa pa leje.

Durrësi ka të evidentuara mbi 120 shtëpi banimi e pallate,  të cilat kanë pësuar dëmtime të strukturës së tyre, të cilat manifestohen me çarje muresh dhe me deformime të konstruksionit të tyre. Ato ndërtesa ndodhen përgjatë kodrave të qytetit dhe lagje të ndryshme të tij. Sistemi kodrinor zgjatet nga qendra e qytetit dhe përfundon në Porto Romano. Shtëpitë janë pjesë e numrit gjigant të ndërtimeve pa leje të ndërtuara pas viteve ’90 në Durrës. Sipas një vëzhgimi të realizuar nga Shoqata e Arkitektëve, më të rrezikuarat janë ndërtesat e ngritura përgjatë faqeve të kodrave, pasi bazamentet e tyre janë të pa stabilizuara. Sipas arkitektit Hysen Ishmaku “të gjithë pronarët e këtyre ndërtimeve kanë aplikuar për t’i legalizuar ato, por ligjërisht ato duhen parë dhe kontrolluar”. Edhe pse banesat e ish-Kodrës tek vila e Zogut, nuk janë miratuar ende si një zonë informale, specialistët e ALUIZNIT , kanë studiuar pjesën më të madhe të banesave dhe kanë evidentuar banesat më problematike. Në bazë të këtij studimi rezultojnë gati 120 shtëpi që rrezikojnë të shemben.

Ato kanë pësuar plasaritje të mureve dhe deformime të kolonave që mbajnë banesat për shkak të shkarjes së dherave. Nga ky proces janë përjashtuar për legalizimin për vitin 2011, edhe dhjetëra banesa të ngritura në këtë sistem, pasi kanë bllokuar kolektorin e ujërave të larta. Sipas specialistëve të ndërtimit, “shkaqet më kryesore prej të cilave banesat kanë pësuar dëmtime të rrezikshme, është ndërtimi pa kryer studimin gjeologjik në trojet mbi të cilat janë ngritur dhe ndërtime pa projekte”. Pjesa më e madhe e objekteve të tilla janë ngritur nga ndërtues amatorë të pa licencuar për këtë aktivitet. Sipas urbanistëve të Durrësit, të cilët e njohin mirë strukturën e kodrave, ndërtimi i këtyre objekteve duhej të ishte realizuar me pilotë të thellë deri në 10 metra. Një masë e tillë do të evitonte deformimet e kolonave nga shkarjet e dherave. Banesat e dëmtuara ndodhen më dendur në zonën e spitalit, si dhe tek Vila e Zogut.