e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ujkani enderron fitoren me Interin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ujkani enderron fitoren me Interin
Samir Ujkani kërkon të shijojë fitoren e parë në Serinë A për këtë sezon. Portieri shqiptar ëndërron që 3 pikët e para të Novarës të vijnë pikërisht përballë një prej “big”-ëve të kampionatit italian, Interit. Kjo do të jetë ndeshja e parë për piemontezët në shtëpi (duke qenë se ndeshja e javës së parë me Palermon nuk u zhvillua) dhe 23-vjeçari mendon se kundër yjeve zikaltër mund të shfrytëzohet faktori fushë. “Kemi luajtur dy ndeshje në transfertë me Kievon dhe Kaljarin e tashmë na pret një tjetër sfidë mjaft e vështirë, në shtëpi kundër Interit. Jashtë fushe kemi marrë vetëm 1 pikë, e për këtë arsye kërkojmë një rezultat që do të na ngrinte moralin. Me zikaltërit duhet të japim maksimumin dhe të marrim sa më shumë që të mundemi nga kjo sfidë”, - deklaroi Ujkani për “SuperSport”.

“Gardiani” kuqezi cilësohet si një prej lojtarëve që janë paraqitur më mirë në këtë start të sezonit për Novarën. Sipas “goal.it”: “Ujkani është një portier i vlefshëm për kampionatin elitar. 23-vjeçari ka kaluar 4 vitet e fundit në Itali dhe ka një rendiment konstantat në rritje nga Kategoria e Tretë deri në Serinë A. Portieri shqiptar ka justifikuar më së miri besimin e dhënë nga klubi i Novarës dhe trajneri Teser”. Rritja e Ujkanit lidhet edhe me besimin që ai ka krijuar pavarësisht emrave të kundërshtarëve. Ai nuk shfaq asnjë mentalitet inferiori përballë Interit me sulmues të nivelit botëror si Diego Forlan, Milito apo Pacini. “Të gjithë këta janë lojtarë shumë të fortë. Duhet të theksoj se Interi është një sfidë shumë e vështirë për ne, por fusha jonë është pika jonë e fortë. Megjithatë, objektivi ynë është të marrim tri pikët, duke përfituar nga mbështetja e tifozëve. Për më tepër që Interi po kalon një moment të vështirë; ky është një element të cilin duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë”. Portieri mund ta kishte nisur sezonin 2011-’12 pikërisht kundër Palermos, skuadrës që e solli në Itali në vitin 2007 dhe që zotëron gjysmën e kartonit të tij. Madje, Ujkani ka debutuar në Serinë A pikërisht me sicilianët në 26 prill të vitit 2009. Por, gjithçka u shty prej grevës së futbollistëve në kampionatin përtej Adriatikut, që shkaktoi shtyrjen e javës së parë të kampionatit. “Do të më pëlqente ta nisja këtë sezon duke luajtur kundër Palermos. Kjo, edhe për faktin se Palermo ishte në krizë rezultatesh, ndërsa ne ishim në formë optimale. Megjithatë, tashmë duhet të përqendrohem te ndeshja e nesërme (sotme) me Interin. Luajmë në shtëpinë tonë dhe kjo na jep edhe më tepër forcë”, - shtoi Ujkani.

Në fund, numri 1 foli edhe për gjendjen e skuadrës, mbi të gjitha në fazën sulmuese, ku gjatë verës u larguan dy “bombera” si Gonzales dhe Bertani. Ai nënvijëzoi: “Këta ishin lojtarë shumë të fortë, të cilët i përshtateshin stilit të lojës të Novarës. Por kemi Morimoton e Xhedan, të cilët janë lojtarë të rinj dhe duhet të përshtaten me taktikat e trajnerit, që të jenë edhe më efektivë. Në këtë start kampionati na ka penalizuar mungesa e besimit në ndeshjet jashtë fushë. Kjo gjë ndryshon në fushën tonë, me mbështetjen e tifozëve tanë”.