e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Turpi i ambasades ne SHBA, i qeverise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Turpi i ambasades ne SHBA, i qeverise
Letra “Galanxhi” për Ministrinë e Jashtme, duket se ka tradhtuar qoftë edhe formalisht të vërtetën e tregimit 8- vjeçar të Shqipërisë së sukseseve të jashtëzakonshme, apo të një vendi që i shpëtoi krizës. Kjo pse, incidenti në fjalë minimalisht ka nxjerrë në sipërfaqe një krizës moral, apo një turp që heq mundësinë për çdo fantazi apo spekulim të mëtejshëm politik mbi gjendjen në Shërbimin e Jashtëm.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, ambasadori Roland Bimo, shprehet në intervistën për gazetën “Shekulli” se ajo çfarë po hapet dita-ditës para shqiptarëve, edhe me diplomacinë, flet mirë se çfarë qëndron në sfondin e krijuar nga kjo qeveri; se kush ka penetruar tek ata që na përfaqësojnë jashtë vendit, se kush janë ata që shpesh flasin në emrin tonë dhe mbi të gjitha çfarë kontingjenti ka përzgjedhur qeveria për ta shpërblyer me një vend në strehën e rehatshme të shërbimit diplomatik.

“Administrata shqiptare po gërryhet përditë e më shumë nga mungesa e zbatimit te ligjit, nepotizmi, korrupsioni”, shprehet Bimo, i cili nuk mungon të sjellë si ilustrim për rrënimin që sundon tanimë, reagimin e vetë ambasadorit Galanxhi, i njohur për qetësinë dhe profesionalizmin e tij.

Z. Bimo së fundmi është publikuar një letër e ambasadorit Gilbert Galanxhi ku zbardhet situata financiare dhe për rrjedhojë zbulohen edhe kapacitetet funksionale të ambasadës sonë në Uashington. Në dijeninë tuaj, a është i vërtetë ky mjerim që po qarkullon si lajm në media?

 Komunikimi i Ambasador Galanxhit dhe pyetjet tuaja ftojnë një debat shumë të gjerë. Shifrat për të cilat bëhet fjalë, një apo dyqind mijë dollarë në vit për një përfaqësi diplomatike, tregojnë kushtet supermodeste në të cilat punojnë diplomatët tanë. Nga ana tjetër dëgjojmë për shifra të rendit disa milionësh që shpenzohen për kompani lobimi në funksion të qeverisë, por jo të Shqipërisë. Për mendimin tim kemi të bëjmë me një situatë tipike të Shqipërisë së këtyre viteve të fundit, ku mungon llogaridhënia dhe përgjegjësia. Tipike kjo e një demokracie ku mungon shteti ligjor.

Për shumë arsye ndjek nga afër situatën në Shërbimin tonë të Jashtëm. Pavarësisht arsyeve, si dhe pse komunikimi i Ambasador Galanxhit me Ministrinë e Punëve të Jashtme është bërë publik, problemi është real dhe shumë preokupant. Kjo situatë në shërbimin tonë diplomatik, që nuk është vetëm në përfaqësimin tonë në ShBA, është produkt i politikave që ndiqen nga qendra, në mënyrë të veçantë nga qeveria, më shumë sesa nga Ministria dhe jo i njerëzve që shërbejnë. Fjalët e kanë humbur kuptimin tashmë në Shqipëri kur flitet për probleme të tilla, por rasti tregon qartë dështimin e plotë të kësaj qeverie në përfaqësimin diplomatik. Shërbimi diplomatik është funksion themelor i një shteti sovran.

Nga përmbajtja e komunikimit kuptohet se MPJ, duke pranuar që turpi t’i mbetet asaj për përfaqësim jo dinjitoz, ka dështuar në misionin e saj themelor, ka humbur ndjeshmërinë dhe nuk ndjen përgjegjësi. Nuk kuptohet se kush i jep të drejtën kësaj qeverie që të turpërojë të gjithë shqiptarët. Në një këndvështrim tjetër ngjarja është tregues i vështirësive financiare që kalon vendi dhe ky është shkurtimi i parë financiar, para se të kalohet në të tjera për shërbime jetike të ditës si ato shëndetësore, policore, arsimore etj. Jetojmë në dy Shqipëri, atë virtuale dhe atë reale; njëra e qeverisë së "sukseseve" dhe tjetra e realitetit turpërues.

Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, kush është përgjegjës dhe a ka precedent për Shqipërinë një situatë e këtillë?

 Jo pak është folur për ata që kanë veshë të dëgjojnë, se administrata shqiptare po gërryhet përditë e më shumë nga mungesa e zbatimit të ligjit, nepotizmi, korrupsioni etj. Ambasador Galanxhi dhe komunikimi i tij vetëm sa e sjellin edhe një herë këtë gjë në vëmendjen tonë. Kjo qeveri e ka të pamundur të shërojë këto probleme, sepse i ka shkaktuar vetë. Jo pak probleme të Shërbimit të Jashtëm janë të trashëguara, por shkelja e ligjit në çdo aspekt të punës së Shërbimit të Jashtëm, është e paprecedent. Mbushja e radhëve të diplomatëve me militantë dhe punonjës partie turpëron çdo shqiptar.

Meqenëse keni qenë diplomat karriere, por edhe drejtues në Ministrinë e Jashtme dini raste të tjera të tanishme ku përfaqësitë diplomatike shqiptare vuajnë mungesa të tilla jetike?

 Megjithë mburrjet alla bolshevike, Shqipëria mbetet një vend i varfër dhe kjo natyrshëm do të reflektohet edhe në Shërbimin tonë të Jashtëm modest. Por për gjithë kohën që kam shërbyer nuk mbahet mend një shkallë e tillë papërgjegjshmërie në trajtimin e problemeve.

Nga cila logjikë udhëhiqet sipas jush, planifikimi i zgjerimit diplomatik në disa vende, kur shohim se edhe në vendin që e quajmë si "partnerin strategjik" përfaqësuesi ynë ankohet për aspekte elementare të funksionimit të ambasadës?

 Shërbimi i Jashtëm prej disa kohësh nuk është më domen i specialistëve, por fushë veprimi e delirantëve dhe militantëve. Nuk ka kurrfarë planifikimi real strategjik dhe bazuar në interesa kombëtare, por vetëm në vullnete lideri. Republika e Kosovës me një të tretën e numrit të përfaqësive që ka Republika e Shqipërisë ka ne dispozicion pothuaj dyfishin e buxhetit.

Kush është përgjegjës sipas jush dhe çfarë duhet bërë për të rregulluar gjendjen?

Pa më të voglën mëdyshje përgjegjës është qeveria, as ministri i Jashtëm dhe as personeli diplomatik. Kur themi qeveria, kam parasysh Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Financave që nuk tentojnë të kuptojnë rëndësinë e përfaqësimit diplomatik. Edhe mbushja e shërbimit diplomatik me militantë dhe njerëz të paaftë, kohët e fundit, natyrisht që e ka ulur reputacionin në sytë e opinionit publik duke bërë që të humbasë një aleat i natyrshëm i atyre që punojnë me përkushtim dhe janë të predispozuar që t’u shërbejnë bashkëkombësve të tyre. Kjo administratë e ka të pamundur që të rregullojë gjendjen.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një aspiratë: integrimin në Bashkimin Europian. E gjithë gjendja është shumë e thjeshtë; mjafton të përdoren kriteret e BE-së si për përqindjen e buxhetit që i duhet MPJ në raport me Ministritë e tjera, për kriteret e punësimit në MPJ, vlerësimit të punës etj. Bashkimi Europian është shpëtimi. Do të më mbetej merak pa thënë një gjë ; kur i ka sosur durimi Ambasador Galanxhit, nga diplomatët më të qetë dhe profesionistë që kam njohur, do të thotë që e gjithë situata vërtetë duhet të jetë shumë serioze. 

Letra 

"Jemi me minus 1 mijë dollarë"

“Ju lutem më autorizoni me shkrim, z. Sekretar i Përgjithshëm, që të mos dal nga zyra, ose më saktë, të mos dal nga rezidenca, pasi në jetën reale, me minus një mijë dollarë, nuk mund të bëhet asgjë”. Kështu i drejtohet ambasadori shqiptar në Uashington, Gilbert Galanxhi titullarit administrativ të Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu.