e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ambasadat, Panariti: Buxhet i kufizuar, por s’ka vend per panik

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ambasadat, Panariti: Buxhet i kufizuar, por s’ka vend per panik
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, u shpreh dje se ky institucion do të garantojë funksionimin normal të ambasadave. I pyetur për letrën e ambasadorit tonë në SHBA, Gilbert Galanxhi, i cili shprehu shqetësimin lidhur me buxhetin e pamjaftueshëm që ka në dispozicion, kreu i diplomacisë shqiptare tha se shumë vende të tjera kanë mbyllur ambasadat. “Më lejoni që t’ju siguroj se Ministria e Jashtme, përpos buxhetit të saj të kufizuar, për arsyet që përmenda pak më përpara, do garantojë funksionimin normal të ambasadave dhe shërbimin diplomatik në të gjitha vendet ku ajo përfaqësohet, natyrisht duke pasur më përparësi qendrat tona kryesore në SHBA, në Bruksel në Kombet e Bashkuara.

Më lejoni t’u siguroj se nuk ka vend për panik”, tha Panariti. Sipas tij “Shqetësimet për pamundësi të buxhetit unë i kam bërë  prezente prej kohësh në Komisionin e Jashtëm, në qeveri, në Ministrinë e Financave. Pa dyshim që në Komisionin e Jashtëm kam pasur përkrahjen e të dy kaheve politike, qoftë pozitës, qoftë opozitës në raport me kërkesat e mia. Këto çështje kërkojnë një zgjidhje ndërinstitucionale.

Në këtë kuptim duhet lexuar edhe ajo deklaratë e jona që e konsideron këtë si një problem të brendshëm, jo nga pikëpamja e mungesës së transparencës, por nga pikëpamja e zgjidhjes, kërkon një zgjidhje ndërinstitucionale”. Nëpërmjet një letre drejtuar sekretarit të përgjithshëm, Gazmend Turdiu, ambasadori Galanxhi shprehej se Ambasada që ai drejton ka ngelur pa shofer dhe pastruese dhe nuk ka fonde as për të paguar qiratë.