e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tri deshmi per shtatzenine e Florijes, asnje informacion per atesine

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tri deshmi per shtatzenine e Florijes, asnje informacion per atesine
Hetimet për shtatzëninë e Florije Peçit, vajzës që mbeti e dëmtuar rëndë në aksidentin e Himarës nuk kanë zbuluar asgjë të re, edhe pse në këtë çështje janë angazhuar disa hetues dhe një prokuror. Në kuadër të mbledhjes së informacioneve, prokuroria mori dje dëshminë e vëllait të Florijes, Gazmend Peçit, i cili bëri denoncimin tronditës për shtatzëninë e të motrës gjatë kohës që ndodhej për mjekim në Austri. Mesditën e djeshme hetuesit kanë marrë në pyetje edhe motrën e 22-vjeçares, Erida Peçi, e cila ka shoqëruar Florijen gjatë kohës që ndodhej për kurim në klinikën ‘Gmundnerberg’ në Austri.

Si vëllai, ashtu dhe motra e të dëmtuarës i kanë qëndruar versionit të shtatzënisë gjatë kohës që Florija ndodhej për mjekim, pasi testet tregojnë se fëmija është konceptuar në shtator të vitit të shkuar, kohë gjatë së cilës 22-vjeçarja ndodhej duke u trajtuar jashtë vendit. Asnjë prej tyre nuk ka mundur të japë të dhëna të dobishme rreth ngjarjes së rëndë, por gjithçka kanë referuar në prokurori ka qenë itinerari që Florija ndiqte gjatë kohës që ndodhej në klinikë.

Sipas motrës që ka shoqëruar të dëmtuarën gjatë kohës që ndodhej për mjekim jashtë vendit, të vetmet lëvizje të Florijes ishin seancat e fizioterapisë dhe vizitat në një familje kosovare, që ishte vetofruar për të ndihmuar të aksidentuarën.

Familja kosovare është përjashtuar automatikisht nga familjarët e të dëmtuarës, pasi ata janë treguar shumë dashamirës me Florijen. Ndërsa vëllai i 22-vjeçares, Gazmend Peçi mësohet të ketë shpjeguar mënyrën se si ka mësuar lajmin tronditës për shtatzëninë e të motrës, por asnjë prej familjarëve të saj nuk ka mundur të japë detaje të vlefshme.

Ky fakt pohohet edhe nga burime zyrtare të prokurorisë, të cilat thanë se është ende herët për të folur për të dhëna konkrete që do të çonin ngjarjen drejt zbardhjes. “Po punojmë për mbledhjen e informacioneve të nevojshme, pasi është ende herët për të folur mbi të dhëna konkrete”, – pohoi një burim i prokurorisë. Sipas të dhënave nga akuza mësohet se në pyetje është marrë dhe vetë e dëmtuara, e cila prej disa ditësh qëndron në një dhomë të posaçme në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Florije Peçi është pyetur nga prokuroria mbrëmjen e së martës, në prani edhe të një psikologeje, por edhe kjo dëshmi duket se nuk ka nxjerrë të dhëna konkrete për hetimin për atësinë e fëmijës.

Mësohet se e dëmtuara është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe për hetuesit ka thënë se nuk kujton momentin e përdhunimin. Sipas prokurorisë, vepra penale për të cilën po hetohet është ajo e marrëdhënies seksuale me dhunë me persona të pazotë për t’u mbrojtur, ndërsa pas hetimeve që do të kryhen në Shqipëri, prokuroria pritet të kërkojë ndihmën e autoriteteve austriake për zbardhjen e rastit.

Pak ditë më parë, vëllai i Florije Peçit denoncoi në prokurori, shtatzëninë e të motrës dhe dyshimet se ajo ishte përdhunuar gjatë kohës që ndodhej në spital. “Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur nga një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur, motra ime në aksidentin e Qafës së Vishës në Himarë pësoi dëmtime të rënda shëndetësore.

Ajo u dërgua për mjekim në Austri, ku për më shumë se 55 ditë qëndroi në koma. Në 11 tetor motra jonë u kthye në Shqipëri dhe për shkak të shqetësimeve të shumta specialistët konkluduan se ajo është shtatzënë. Konceptimi i shtatzënisë ka ndodhur nga data 20 deri në 25 shtator 2012, periudhë në të cilën Florija ka qenë e shtruar në klinikën “Gmundnerberg Almunster” në Austri, në periudhën e rehabilitimit”, – thuhet në denoncimin e Gazmend Peçit.