e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Trajneri: Synimi eshte i qarte: Te kemi nje skuader sa me te ekuilibruar

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri: Synimi eshte i qarte: Te kemi nje skuader sa me te ekuilibruar
Trajneri italian i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, nisi sot punën në krye të kuqezinjve, edhe pse dita e parë e punës së tij kishte të bënte me një seleksionim të lojtarëve të Kategorisë Superiore. “E nis punën si trajner i Kombëtares shqiptare me një grumbullim të lojtarëve më të spikatur të kampionatit vendas, duke mos pasur njohjeje direkte me lojtarët, por as paragjykime për ta”, u shpreh De Biazi. “Gjërat në ekipin kombëtar do të funksionojnë në demokraci dhe meritokraci të plotë. Pra, ai që ka vlerat dhe potencialin e duhur, pak rëndësi ka nëse luan në kampionatin shqiptar apo jashtë, do të bëhet pjesë e Kombëtares. Synimi ynë është i qartë: të përftojmë një skuadër sa më të ekuilibruar. Nuk paragjykoj nivelin e kampionatit shqiptar, por dua të them se Shqipëria do ta ketë derën e hapur për të gjithë ata që kanë cilësitë dhe dëshirën për të kontribuar drejt rrugës për në Brazil 2014”, shtoi më tej tekniku italian.

“Po punoj për të siguruar edhe dy apo tri miqësore të tjera, përveç Gjeorgjisë, para se të nisim zyrtarisht eliminatoret e Kampionatit Botëror”, theksoi 55-vjeçari. Pasuesi i kroatit, Josip Kuzhe, e di se është përballë një misioni shumë të vështirë, sidomos për sa i përket aspektit të rinovimit të Kombëtares. Trajneri i gjashtë i huaj i epokës “Duka” qartësoi idetë e tij në konferencën e zhvilluar dje në hotel “Adriatik” në Durrës, në orën 11:30. De Biazi, i cili më parë ka drejtuar Udinezen, Torinon, Breshian, Modenan, Vicencën etj., është në përvojën e tij të parë si trajner i një ekipi kombëtar dhe miqësoret do ta ndihmojnë atë të njohë më mirë realitetin me ekipin të cilin do ta udhëheqë deri në fund të vitit 2013. Kombëtarja do të zhvillojë një zbor pesëditor, nga data 21-25 janar.