'Topi i Arte' 2013: Ronaldo, Riberi apo Mesi? Sot shpallet fituesi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kristiano Ronaldo - “A meritoj ta fitoj? Ndoshta se po, ashtu siç duhej një vit më parë apo dy vite më parë. Mendoj se e meritoj ta fitoj ‘Topin e Artë’ në çdo vit.”
Lionel Mesi - “Është kënaqësi të jesh mes tre finalistëve, jam shumë krenar dhe ndihem i vlerësuar. Por nëse nuk e fitoj ‘Topin e Artë’, nuk do të jetë fundi i botës.”
Frank Riberi - “Do të vazhdoj të jem i lumtur, pavarësisht nëse fitoj apo jo këtë trofe. Unë thjesht ndihem i lumtur që gjendem përkrah Kristiano Ronaldos dhe Mesit.”
Kristiano Ronaldo, Frank Riberi dhe Lionel Mesi janë tre protagonistët absolutë të pasdites së sotme, kur FIFA dhe revista “France Football” do të publikojnë emrin e fituesit të “Topit të Artë” për vitin 2013. Ceremonia që do të zhvillohet në Zyrih pritet të tërheqë vëmendjen botërore, pasi ky edicion i trofeut ka qenë ndër më të diskutuarit e dekadave të fundit.
Shkak është bërë pikërisht prania e këtyre tre yjeve në finale. Kristiano Ronaldo vjen në këtë mbrëmje si “mbreti i golave” të vitit kalendarik, pasi ka shënuar 69 të tillë, një më shumë se Mesi e Riberi të kombinuar së bashku. Është e vërtetë që me Realin nuk ka fituar asgjë në këtë vit, por në planin individual, ai ka qenë i pagabueshëm, duke shënuar me vazhdimësi dhe duke ndihmuar gjithashtu edhe kombëtaren portugeze të kualifikohet në Kampionatin Botëror. Nëse magjitë individuale i kanë siguruar Ronaldos pjesëmarrjen në finale dhe e kanë kthyer atë në pretendentin kryesor për fitoren, triumfet kolektive kanë bërë rival të tijin francezin Frank Riberi. Ky i fundit nuk mund të krahasohet në fazën realizuese me portugezin, por ka në mbështetje të tij faktin se me Bajern Mynih ka fituar gjithçka gjatë vitit 2013. Bundesliga, Kupa e Gjermanisë, Liga e Kampioneve, Superkupa e Europës dhe Botërori i Klubeve ishin të gjithë trofe që kaluan në duart e francezit gjatë këtij sezoni, falë një marshimi të jashtëzakonshëm të bavarezëve. Ndaj Riberi me të drejtë pretendon që si një përfaqësues i denjë i një skuadre që ka fituar gjithçka, të ketë mundësinë të ngrejë lart një tjetër trofe, ndonëse këtë radhë do të jetë individual, ashtu siç ishin gjatë vitit 2013 edhe “Lojtari më i mirë UEFA”, “Lojtari më i Mirë i Bundesligës” dhe “Lojtari më i vlefshëm” i Botërorit të Klubeve. Finalisti i tretë, por jo më pak i rëndësishëm, është Lionel Mesi, fituesi për katër edicionet e kaluara radhazi të këtij trofeu. Çuditërisht, argjentinasi nuk shihet si favorit për fitoren në krahasim me dy finalistët e tjerë, edhe pse në vitin 2013 fitoi kampionatin spanjoll. Shkak janë dëmtimet e njëpasnjëshme që kanë kufizuar disi praninë e tij në fushën e lojës dhe ndikimin në sukseset e Barcelonës, të paktën për vitin 2013.
Opinioni publik është ndarë mes këtyre tre finalistëve, edhe pse pavarësisht preferencave personale, shumëkush mendon se Ronaldo është fituesi i këtij edicioni. Fakti se ai do të udhëtojë drejt Zyrihut me të gjithë familjen e tij dhe jo vetëm me kolegët e tjerë të Real Madridit, ka përforcuar idenë se portugezi e ka bërë të tijin këtë trofe. Megjithatë, çdo gjë do të mësohet vetëm në këtë mbrëmje gala në Zyrih, pasi FIFA është munduar në të gjitha mënyrat që të ruajë sekretin e emrit të fituesit, duke arritur deri aty sa t’i besojë procesin e numërimit dhe të mbikëqyrjes së votimeve një kompanie audituese prestigjioze si “PwC”.
Por mbrëmja gala pritet të dhurojë edhe emocione të tjera. Ceremonia që do të prezantohet nga ish-futbollisti holandez Rud Gulit dhe modelja braziliane Fernanda Lima, pritet të shohë mes të ftuarve emra të njohur të futbollit botëror, ish-kampionë të Brazilit që në vitin 2014 organizon Botërorin. Pele (kampion bote në vitet 1958, 1962 dhe 1970), Amarildo (kampion bote në vitin 1962), Karlos Alberto Torres (kampion bote në vitin 1970), Bebeto (kampion bote në vitin 1994), Kafu (kampion bote në vitet 1994 dhe 2002) dhe Ronaldo (kampion bote në vitet 1994 dhe 2002), janë gjashtë legjendat braziliane mes të ftuarve. Ashtu si emra të tjerë të njohur si Bekenbauer apo Zidan, do të ketë detyrën e dorëzimit të çmimeve të tjerë që do të shpërndahen në këtë mbrëmje gala, pasi nuk duhet harruar që në këtë aktivitet do të shpërndahen edhe çmimet për “Topin e Artë” për femra, “Trajnerin më të mirë” për meshkuj dhe femra, trofeun “Presidencial”, trofeun “Fair Play” dhe “Skuadrën e vitit”.
Finalistët
“Topi i Artë” (meshkuj)
Kristiano Ronaldo (Portugali)
Frank Riberi (Francë)
Lionel Mesi (Argjentinë)
“Topi i Artë” (femra)
Marta (Brazil)
Ebi Uambah (SHBA)
Nadin Angerer (Gjermani)
“Trajneri më i mirë” (meshkuj)
Jup Heinkes (Bajern Mynih)
Jurgen Klop (Borusia Dortmund)
Aleks Ferguson (Mançester Junajtid)
“Trajneri më i mirë” (femra)
Ralf Kelerman (Volfsburg)
Silvia Naid (Gjermani)
Pia Sandhexh (Suedi)
Trofeu “Pushkash”
Neimar (Brazil)
Zlatan Ibrahimoviç (Suedi)
Nemanja Matiç (Serbi)