e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tolerimi i vogel sjell gabimin e madh...

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ngjarjet e fundit në kampionatin tonë kombëtar të futbollit, sikurse thamë edhe në shkrimin e kaluar, janë shembulli më i keq për brezat e rinj, për të ardhmen e këtij sporti në vendin tonë. Por, me sa duket, tolerimet e padrejta në garën sportive si dhe dhuna e shfaqur në këto ndeshje, kanë ndikuar edhe te futbolli i femrave, duke e frymëzuar "seksin e dobët" të dhunojë një arbitër. Në rastin më të fundit, para 2 javësh, femrat e ekipit "Dardania" kanë sulmuar arbitrin Hakrama, duke e goditur. Ndoshta në momentet e para arbitri ka ndier kënaqësinë e të qenit i vetëm në një grup femrash në fushën e blertë, por kjo kënaqësi s'ka zgjatur shumë, pasi e ka parë veten nën goditjet e tyre. Vallë çfarë sharjesh përdorin femrat në këto raste, pasi dihet që futbolli njihet si sport burrash? Dhe me të drejtë komisioni i disiplinës pranë FSHF-së i ka dënuar dhunueset e arbitrit Hakrama, duke i dhënë fitoren në tavolinë ekipit kundërshtar. Në ndeshjet e futbollit të meshkujve këto raste të dhunës së lojtarëve me arbitrat, mes njëri-tjetrit apo të tifozëve, duket se janë bërë të shpeshta, pasi dënimet e dhëna janë tepër të zbutura. Edhe kur ka dënime të rënda nga Disiplina, është komisioni tjetër disiplinor i FSHF-së, Apeli, që tregohet më zemërgjerë, duke i amnistuar. Në qoftë se këto raste vazhdojnë të rriten e të transportohen edhe në futbollin e femrave, atëherë problemi qëndron se ku do t'i gjejmë futbollistet e tjera femra për të zëvendësuar ato të dënuarat. Por, me sa duket, edhe femrat duan të ngrenë zërin në këtë sport e të mos qëndrojnë prapa burrave, duke na kujtuar edhe një herë parullat e kohës së diktaturës, "Gruaja, forcë e madhe..."
Duke ditur se Ballkani ka një popull gjaknxehtë, do të ishte më mirë të merreshin me ndonjë sport regbie, pasi ngjarje të tilla po njollosin çdo ditë futbollin tonë. Ndoshta do të ishte më mirë që krahas Universitetit, që qeveria do të hap për edukimin e administratës, do të duhej edhe ndonjë fakultet i veçantë në Universitetin e Sportit, për riedukimin e sportistëve problematikë. Çdo ditë e më shumë këto ngjarje dhune po e bëjnë "dele të zezë" kampionatin tonë, një figurë qesharake në arenën ndërkombëtare. Futbollistë të huaj, që luajnë në Shqipëri, apo media të ndryshme, pyesin me çudinë më të madhe se mos vallë rastet e dhunës dhe tolerimet sportive janë në modë. Më kujtohet një arbitër i huaj ballkanas, në një ndeshje të "UEFA CUP", i cili po më kërkonte t'u komunikoja lojtarëve tanë para ndeshjes që të mos përdornin as edhe një ofendim të vetëm drejt tij, pasi do të ndëshkoheshin direkt. M'u duk pak rast i çuditshëm, pasi në kampionatin tonë arbitrat ofendohen pothuajse pas çdo rasti, pa problemin më të vogël. Pse nuk dënohen këto raste? Kush i ndalon dënimet e tyre? Dihet mirëfilli se në futboll, tolerimi i vogël sjell gabimin e madh. Ndoshta edhe arbitrat kanë frikë nga eprorët, ashtu siç shpeshherë tregohen trima me vendimet e tyre "të drejta", kur rrëzohet tifozi në tribunë e arbitri jep 11 metërsh në fushë, apo kur anësorët nuk arrijnë të dallojnë shpeshherë edhe ngjyrat e fanellave në rastet e pozicioneve jashtë loje, e këto lloj veprimesh sjellin acarimet e lojtarëve e më pas të publikut, i cili në raste të veçanta parapëlqen fundin tragjik. Pavarësisht se pagesat ndaj arbitrave janë të kënaqshme nga federata, duket se edhe këtu problemi qëndron tek mosndërgjegjësimi i "bluzave të zeza", apo edhe tek dënimet e vogla që marrin në raste gabimesh. Dhe si gjithmonë, në përfundim të këtyre gabimeve, ai që dëmtohet është përsëri futbolli.