Tirana paqe me tifozët, derbi vendoset si kusht
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana zyrtarizon "paqen" me tifozët. "Fanatics & Co" kanë pranuar ftesën e presidentit Refik Halili për t'u takuar dhe vetëm dje pasdite janë mbledhur në "Selman Stërmasi", ku për afro dy orë kanë diskutuar për zgjidhjen e ngërçit.
Në pamundësi për t'u dhënë zgjidhje halleve pikërisht tani, duke ditur që kanë mbetur vetëm 7 javë nga mbyllja e këtij sezoni, presidenti u ka garantuar tifozëve se në fund do të bëhet bilanci.
Dhe, pasi të dilet në konkluzione se ka përgjegjës për dështimin e sezonit (gjithnjë nëse skuadra nuk merr pjesë as në Kupat e Europës), do të merren masa konkrete. Por një tjetër kusht që kanë vendosur unanimisht krerët e grupimeve kryesore, është derbi.
U bën 8 ndeshje që Tirana nuk arrin që të fitojë ndaj rivalit të përjetshëm, ndaj "ultimatumi" është që ndaj Partizanit (në ndeshjen që luhet pas 3 javësh) të fitojnë me çdo kusht. Ky është ndoshta edhe borxhi më i madh që bardheblutë kanë, triumfin në derbi.
Një tjetër pikë që është prekur lidhet edhe me etikën e lojtarëve karshi tifozëve, ku Halili ka premtuar se në rast shkeljeje, ndaj të tijve do të merren masa të menjëhershme. Pra, të gjitha këto diskutime janë bërë për të sjellë edhe "pajtimin" e shumëpritur, që do të formalizohet me prezencën e tifozëve ("Tirona Fanatics", "Ultras Tirona", "West Boys 1986" etj.,) në transfertën e së dielës në Ballsh