e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tirana në drejtim të paditur

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana në drejtim të paditur

Nga SAIMIR DEMI

Pyetje për 100 pikë: Sa i duhet Tiranës që të shfigurohet, aq sa të bëhet për të ardhur keq? Dhe përgjigjja është e gatshme, pasi nuk është hera e parë që ndodh: Shumë pak.demiPor më e keqja është se nuk nevojitet ndonjë arsye e madhe që pothuajse i gjithë grupi, që përbën 24 herë kampionët e vendit, të bëhet gazi i botës, sikur papritur të kesh lëvizur gabimisht një buton. Një humbje e pamerituar në Korçë, më pas derbi si zakonisht në edicionet e fundit dhe më pas ata nuk dinë të fitojnë më, madje rrezikojnë të hedhin në koshin e plehrave të gjithë sezonin.

Mbi të gjitha, kjo është një "déjà vu", pasi pikërisht i njëjti skenar ndodhi edhe një vit më parë. Të njëjtat humbje të njëpasnjëshme, largimi nga Kupa e Shqipërisë dhe në fund u lutën për këmbët e kuksianëve në finale e këtij kompeticioni, por që verilindorët nuk ua bënë dot nderin.

Përfundimi... jashtë edhe nga Europa Ligë. Por ndryshe nga atëherë, tani ka një rrethanë lehtë- suese, pasi të gjitha prapësitë kanë ndodhur nëntë javë përpara se të përfundojë kampionati.

Por gjithsesi nevojitet një ndryshim në nivelin e fanellës, në të kundërtën nuk do t'u mbetet tjetër, veçse të fitojnë garën me Teutën dhe të vazhdojnë të luten sërish për këmbët e kuksianëve, gjë që është fyerje për këtë "Zonjë" të dikurshme të futbollit shqiptar, e cila në total në të tre eventet (Kampionat, Kupë dhe Superkupë) ka fituar 49 herë.

Por çfarë do të thotë të ndryshosh në këtë situatë që të ngre nervat? Është fare e thjeshtë... do të thotë që të gjithë faktorët të sillen si kampionët e dikurshëm, të cilët kanë veshur kohë pas kohe të njëjtën uniformë. Do të thotë që i ndodhur në këtë udhëkryq, të gjesh inteligjencën dhe vullnetin për të rihyrë në korsinë e duhur.

Është e qartë, që tashmë në skuadër nuk mund të ndërhyhet më, por ata që drejtojnë e kanë ende mundësinë për ta mbledhur grupin aktual. Futbollistët më në fund duhet të tregojnë se çfarë dinë të bëjnë mirë, pra t'i japin kuptim rrotullimit të topit, sepse nuk besoj që ndonjë të ketë talent detyrat e matematikës.

Dhe në fund të bëjnë një pakt qoftë edhe provizor me tifozët, pasi nëse vazhdon trysnia e tyre, nuk kanë asgjë në vijë. Kthesa mund të vijë vetëm nëse e ndien humbjen si ata që protestojnë jashtë stadiumit dhe nuk e kalojnë pragun megjithëse u qan zemra, por po fillove ta shpërndash shkakun duke tentuar të gjesh sabotatorë, nuk ka asnjë gjasë të rifitosh kohën e humbur. Në këto javë ka humbur vetëm Tirana, pra nuk ka ndikuar as Federata dhe ndoshta as arbitrat.

Nuk është absolutisht faji i Lut Nurit, i cili është përgjigjur sa herë që është thirrur për ndihmë, ndërsa tani konsiderohet nën zë si "armik". Ai burri ka qenë dikur kampion, duke shpenzuar para që sigurisht nuk i kishte të vjedhura dhe mjafton të përmendësh, që vetëm një vit më parë thuhet se ka paguar privatisht futbollistë të rëndësishëm dhe kush e di se sa i ka vajtur fatura e pasionit. Ndërkohë që ka kërkuar si rimbursim vetëm një FALEMINDERIT.

Po ku ka më mirë ta kesh sërish bashkëpunëtor, aq më shumë kur flitet për një njeri, që për Tiranën është i gatshëm t'i hedhë paratë si "ahengut" në një dasmë ku shkon për qejf. Pra, edhe ai apo të tjerë, që kanë të njëjtin karizëm me të, nevojiten tani më shumë se kurrë. Nëse jo, nuk ndreq asnjë punë, as duke i treguar me gisht. "Nëntë javë e gjysmë", kaq kanë mbetur pak a shumë për një histori të re dashurie, ose dështimi është te porta. Dhe nëse ndodh përsëri... në djall me gjithë futbollin tuaj!