Tirana miqesore me tifozet e saj
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana ka menduar të bëjë një ndeshja ndryshe nga të tjerat duke zbritur në fushë përballë një formacioni që në përbërje të tij do të ketë tifozët bardheblu. Klubi i Tiranës konfirmon edhe një herë lidhjen e fortë që ka me tifozët e saj, duke programuar një miqësore të shtunën paradite në orën 11:00 në kompleksin “Skënder Halili” me tifogrupin “Fanatics”.
Të dënuar për të ndjekur skuadrën e zemrës gjatë këtij sezoni, ky tifogrup i ka bërë kërkesën stafit teknik për të zhvilluar një miqësore në këtë moment pauze të kampionatit.
Magani kishte bërë të ditur se skuadra nuk do të zhvillonte asnjë miqësore këtë fundjavë, duke qenë se 5 futbollistë janë të grumbulluar me kombëtaren e madhe dhe 21-vjeçarët, ndërsa tre të tjerë janë të dëmtuar. Në këtë mënyrë erdhi propozimi për një miqësore brenda familjes, për t'i dhënë një kënaqësi më shumë tifozëve, të cilët këtë sezon skuadrën e kanë ndjekur më së shumti në transfertë për shkak se në “Qemal Stafa” skuadra ka luajtur me dyer të mbyllura. Për stafin teknik kjo ndeshje vlen për të afruar më shumë tifozët me skuadrën të cilët prej kohësh identifikohen si një grup i vetëm.