e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Themelet e ligjshme te Kosoves

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Themelet e ligjshme te Kosoves
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte dje stacioni i radhës, në rrugëtimin e gjatë e plot sfida të shtetit më të ri në Europë; pra ai i Kosovës. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një sfidë, e cila mund të rrezikojë apo dëmtojë të ardhmen e këtij shteti. Dhe aq më tepër të ndryshojë realitetin politik të Kosovës.

Ky i fundit është tashmë prodhuar nga vetë Kosovarët dhe pranuar gjerësisht nga shumica e shteteve demokratike të botës. Me sa duket dhe me sa është thënë nga shumë të tjerë, dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ishte për palën Serbe më tepër, një mjet i fundit, më shumë për të ngadalësuar, njohjet e reja të këtij vendi të ri sesa, rikthimi në gjendjen e mëparshme - duke synuar në të njëjtën kohë shfajësimin para opinionit publik serb për humbjen përfundimtare.

E megjithatë, shqyrtimi i çështjes nga kjo gjykatë ishte gjithaq një sfidë, e cila duhej kapërcyer. E vërtetë, dukej sikur "hallet" për këtë shtet të ri në zemër të Europës, nuk kishin të sosur, por pavarësisht nga kjo edhe kësaj radhe, populli më i vuajtur i Europës, shqiptarët, nuk janë mesa duket vetëm. Ata kanë me vete mbështetjen e shteteve më të rëndësishme demokratike, të cilët e konsiderojnë pavarësinë e Kosovës si një kusht pamohueshëm i stabilitetit në rajon në krahasim me Serbinë që në përgjithësi mbrohet nga demokraci të dyshimta. Pas vendimit tw djeshwm tw GJND-sw, shqiptarwt kanë me vete edhe ligjin ndërkombëtar, të cilit, Serbisë i pëlqen t'i referohet aq shumë, në trajtimin e kësaj çështje.

Në të vërtetë, pavarësia e Kosovës, si një fakt, mund të konsiderohet dhe argumentohet në dy këndvështrime të ndryshme, për sa i takon vlefshmërisë së këtij akti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Njëri nga këto këndvështrime ka të bëjë me justifikimin dhe argumentimin e pavarësisë së Kosovës si zbatim i të drejtës së vetëvendosjes së popullit të Kosovës, ndërsa tjetri si rezultat i një fakti kryesisht politik, siç është ai i shkëputjes. Për realizimin e kësaj analize janë marrë dhe përdorur pjesë nga artikulli "Pavarësia e Kosovës: si do të vijë ajo", botuar në dhjetor 2005.

Për sa i përket këtij rasti të dytë, mund të thuhet se, pavarësia e Kosovës, mund të konsiderohet si rast shkëputjeje, tamam atëherë kur "sovraniteti" i Serbisë, mbi të kish kohë që nuk ekzistonte realisht. Vetë rindërtimi i Kosovës nga UNMIK, rindërtimi institucionalo-politik dhe, së fundi, vetë Plani i Ahtisaarit, i pranuar si nga Kosovarët ashtu edhe nga ndërkombëtarët që shoqëruan procesin e negociatave, mund të çonin veçse në një konkluzion; pavarësinë.

Duhet të pranojmë se "shkëputja" nuk njihet në të drejtën ndërkombëtare. Ajo konsiderohet si një fakt politik dhe se e drejta ndërkombëtare mjaftohet me pasojat, nëse ajo çon në ardhjen në fuqi të një autoriteti shtetëror të qëndrueshëm dhe efektiv, kritere këto që plotësohen, më së miri nga rasti Kosovar. Duke vazhduar në të njëjtën linjë, pavarësia e Kosovës, sipas Michel Roux, mund të realizohej vetëm nëpërmjet "vazhdimit të procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, nëpërmjet transformimit të kufijve të brendshëm administrativ në kufij ndërkombëtare", sikurse ndodhi me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.

E parë në mënyra të ndryshme, qoftë si një zgjidhje e sforcuar nga rrethanat, apo si një vazhdim i një procesi dekompozimi të ish-Jugosllavisë, shkëputja reale e ish-Krahinës Autonome të Kosovës, (autonomi e hequr nga regjimi i Millosheviçit në mënyrë ilegjitime) mundi të çojë drejt pavarësisë nga Serbia.

Le të ndalemi tani në rastin e dytë, pra të drejtën e vetëvendosjes. Parashikuar nga neni 1, paragrafi 2 i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe neni 55 i saj, kjo e drejte është formuluar kështu: "Qëllimet e Kombeve të Bashkuara janë këto; të zhvillojnë midis kombeve marrëdhënie miqësore të bazuara në respekt të parimit të barazisë, të të drejtave të popujve për t'u vetëvendosur dhe të marrjes se të gjitha masave për të konsoliduar paqen në botë".

Duke filluar që nga sesioni i V, Asambleja e Përgjithshme filloi të insistojë mbi rendësin e këtij parimi dhe me 1954, Këshilli Ekonomik vendosi që ky parim te përbëjë objektin e nenit të parë të të dy Pakteve Relative të të drejtave të njeriut. Me kalimin e kohës, kjo tendencë u pasurua me një sërë dokumentesh e rezolutash, duke e transformuar në një rregull të së drejtës zakonore ndërkombëtare.

Në radhë të parë, kjo e drejtë aplikohet në rastin e "popujve që i janë nënshtruar një dominimi kolonial "ose racist", që dëshirojnë të lirohen nëpërmjet fitimit të pavarësisë". Rezoluta 1514 e përforcon këtë ide, kur përcakton se "shtrëngimi i popujve nën nënshtrim, dominim dhe një shfrytëzim të huaj, përbëjnë shkelje të të drejtave themelore të njeriut, janë në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe komprometojnë çështjen e paqes dhe bashkëpunimit botëror".

Së dyti, kjo e drejtë u njihet popujve që "i janë nënshtruar një dominimi të huaj", e thënë ndryshe të pushtuar nga një vend i huaj. Në radhë të tretë, Kombet e Bashkuara mbështesin konceptin, sipas të cilit popujt kolonialë dhe popujt nën një dominim të huaj, pavarësia e të cilëve është konfiskuar me forcë nga fuqia pushtuese, kanë të drejtën "të fitojnë pavarësinë nëpërmjet forcës".

D.m.th., duke "proklamuar të drejtën e popujve të kolonializuar ose nën një dominim racist ose të huaj, për të përdorur forcën, Kombet e Bashkuara afirmojnë që këta popuj kanë jo vetëm jus ad bellum, d.m.th., të drejtën të përdorin forcën, por gjithashtu edhe jus in bello, që do të thotë të gjitha të drejtat dhe obligimet që rrjedhin nga e drejta e luftës" (Cassese 1985).

Për hir të së vërtetës, me kalimin e viteve, Kombet e Bashkuara i përqendruan forcat që të vendosnin një raport sa më të drejtë midis kësaj të drejte dhe të drejtave dhe lirive të njeriut "sidomos në Paktet për të drejtat e Njeriut 1966) dhe të frenonte me këtë rast ushtrimin abuziv të forcës. Megjithatë, duhet pranuar se në të gjitha rastet, thelbi i këtij principi qëndron në parimet antikolonialiste, antiraciste dhe të lirisë kundër shtypjes nga një shtet i huaj. Në ç'raport ndodhej Kosova në lidhje me këto koncepte teorike që përmendëm? Krahasimi midis situatës në Kosovë dhe qëndrimit të Kombeve të Bashkuara, do të mund të bëhet i mundur nëpërmjet analizës më parë të disa karakteristikave specifike që shfaqi çështja kosovare.

Si fillim, e drejta e vetëvendosjes mund të ushtrohet vetëm nga një "popull", pasi kjo e drejtë nuk parashikohet për minoritetet dhe kombet. Të tretët për nga numri në ish-Jugosllavi dhe për shumë arsye të tjera është e kotë të ndalemi më tej, për të argumentuar tezen, sipas së cilës kosovarët janë një popull. Mund të shtohet këtu fakti se, doktrina i konsideron jo rrallë herë si ekuivalente konceptet "popull" dhe "komb" kur bëhet fjalë për gëzimin dhe ushtrimin e të drejtës së vetëvendosjes. Kushti i dytë për t'u plotësuar, për të gëzuar dhe ushtruar këtë të drejtë është që populli në fjalë të jetë një popull kolonial, nën një dominim racist ose një popull nën një dominim të huaj.

Sipas rezolutës që përmendëm pak më lart (1514), e drejta në fjalë mund të aplikohet veçse për popuj të shtrënguar nga një nënshtrim, dominim apo shfrytëzim i huaj, formulë kjo, që e thjeshtëzuar apo interpretuar nga Patrick Dailler dhe Alain Pellet, parashikon që, "nëse karakteri gjeografikisht i shkëputur dhe etnikisht apo kulturalisht i ndarë të një territori janë të dhënat e një situate të caktuar, vetëm ekzistenca e një regjimi politik, juridik apo kulturor diskriminues, përbejnë kritere të qenësishme që popullsia e një territori të tillë të mund të konsiderohet një popull i kolonializuar që aspiron pavarësinë".

Duke pranuar përveç të tjerave, që një "popull kolonial" nuk mund të jetë veçse produkt i një përkufizimi politik, konstatohet që, përveç të qenit gjeografikisht të pandarë, të gjitha kriteret e tjera na çojnë në konkluzionin se, shqiptarët e Kosovës kanë qenë një "popull kolonial". Të dalluar nga serbët nga pikëpamja etnike dhe kulturore, deri disa vite më parë, por jo për herë të parë në histori, ata kanë qenë viktima të një regjimi të pashembullt, që iu mohonte të gjitha të drejtat e liritë, përfshi edhe atë të jetës.

Duhet ditur që, në rastin e një populli që jeton nën një sistem demokratik, që njeh jo vetëm ekzistencën e tij, por që sanksionon gjithashtu pjesëmarrjen dhe shprehjen e vullnetit politik në qeverisje, është më se normal përdorimi i asaj që quhet "vetëvendosje e brendshme".

Por, si mund të veprohet kur një popull është i privuar jo vetëm nga një e drejtë e tillë, aq më tepër në mënyra dhe procedura të paligjshme (autonomia e Kosovës, u hoq në kundërshtim me nenin 402, të Kushtetutës Jugosllave të 1974, sipas të cilit çdo ndryshim statusi do të duhej të realizohej pas " aprovimit të shprehur të të gjithë njësive të federatës"), por në të kundërt rrezikon seriozisht shfarosjen e tij, nga politika e një populli tjetër, etnikisht i ndryshëm, në brendësinë e shtetit në të cilin ndodhet? Dy përgjigje interesante mund të përmendim me ketë rast;
Sipas autorëve të sapopërmendur "e drejta e popujve për vetëvendosje përfshin të drejtën për pavarësi në të gjitha rastet kur një popull është i privuar nga ushtrimi i kësaj të drejte (vetëvendosjes së brendshme), por ekskluzivisht në këtë rast".

Përgjigjja e dytë vjen nga vendimi historik i 20 gushtit 1998, të Gjykatës Supreme të Kanadasë, në lidhje me çështjen e Kebekut, sipas së cilës "e drejta e vetëvendosjes në të drejtën ndërkombëtare është e hapur ndaj vetëvendosjes së jashtme (e drejta për të krijuar shtet të pavarur) në të gjitha rastet e kolonive të vjetra, në rastin e popujve të shtypur nga një pushtim ushtarak i huaj ose në rastin kur një grupi të përcaktuar i refuzohet një akses real në qeverisje, për të siguruar zhvillimin e tij politik, ekonomik, social dhe kulturor. Në të tre këto situata, populli në fjalë gëzon të drejtën e vetëvendosjes së jashtme, pikërisht sepse i refuzohet vetëvendosja e brendshme". Pa dashur të shtojmë asgjë, le të vazhdojmë analizën tonë mbi një moment tjetër të rëndësishëm, siç është ai i lëvizjes çlirimtare të Kosovës.

A kemi të drejtë që ta cilësojmë si të tillë? Nuk mendoj se ka vend për t'u zgjatur për të gjetur përgjigjen e një pyetjeje të tillë. Gjatë luftës së Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shndërrua shpejt, jo vetëm në një përgjigje adekuate ndaj dhunës, si një simbol i vërtetë lirie, por edhe si një bashkëpunëtore të afërt të NATO-s dhe organizmave të tjerë të përfshirë në çështjen kosovare.

Në Rambouillet, përfaqësuesi i saj, drejtoi delegacionin shqiptar dhe pas një vendimi të përbashkët të administratës ndërkombëtare të Kosovës dhe palës shqiptare, ajo u shndërrua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, duke përberë në të njëjtën kohë embrionin e një ushtrie të ardhshme të një shteti të pavarur (sipas Planit Ahtissaari). A nuk ka në këtë rast, "shenjat" e mjaftueshme të njohjes dhe "certifikimit" ndërkombëtar të rezistencës së popullit kosovar, si një lëvizje çlirimtarë? Sigurisht qe po dhe e plotë madje.

Në përfundim të këtij argumentimi edhe në këtë rast, është më se e kuptueshme se, populli kosovar mundi të arrijë pavarësinë e tij, nëpërmjet një të drejte të njohur nga ligji ndërkombëtar, elementet përbërës të së cilës janë të pranishëm në mënyrë të plotë në këtë rast. I gjendur, deri pak vite më parë nën një dominim të pastër racist, i privuar nga e drejta e vetëvendosjes së brendshme dhe për më tepër të së drejtës për të jetuar, i pambrojtur nga askush, përgjigjet me një lëvizje tipike çlirimtare, të njohur dhe drejtpërsëdrejti të mbështetur nga NATO-ja, BE-ja, Grupi i Kontaktit, më pas nga Administrata Ndërkombëtare në Kosovë, populli i Kosovës gëzonte të gjitha arsyet, për të fituar pavarësinë nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së vetëvendosjes, të njohur dhe sanksionuar nga ligjet që rregullojnë akoma sot mbarëvajtjen e botës.

Dhe në fakt, pavarësia erdhi, e bazuar në ligj dhe në moralin ndërkombëtar, e mbështetur nga shumica e vendeve demokratikë të botës, si shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të popullit Kosovar dhe, së fundi, si zgjidhja më e përshtatshme për paqen dhe stabilitetin e një rajoni si Ballkani. Dhe koha ka treguar se ishte zgjedhja e duhur nga shumë pikëpamje, e drejtë dhe e ndershme e mbi të gjitha, e mbështetur në themele të ligjshëm.