Terror ne rruge, maskat plagosin dy femije dhe prinderit e tyre
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pukë Maskat rikthehen frikshëm në Pukë, duke plagosur me armë zjarri gjashtë anëtarë të dy familjeve, mes të cilëve edhe dy fëmijë 5 dhe 9 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit të djeshëm, në aksin rrugor Shkodër-Pukë, në vendin e quajtur “Qafë-Qelë”. Familjet Kopani dhe Xhaferri po udhëtonin në drejtim të qytetit të Shkodrës me automjetin tip “Opel”, kur para tyre kanë dalë tre persona të maskuar e me armë, të cilët u kanë kërkuar të ndalonin automjetin. Fillimisht, drejtuesi i mjetit ka menduar se ata ishin pasagjerë, por sapo është afruar ai ka parë se personat ishin të maskuar dhe me armë. Menjëherë, drejtuesi i mjetit Astrit Kopani është larguar me shpejtësi, por agresorët kanë qëlluar në drejtim të automjetit duke mos kursyer as dy fëmijët e mitur që ndodheshin së bashku me prindërit e tyre në makinë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur fëmija 5-vjeçar E. Xhaferri dhe i ati i tij, Zamir Xhaferri, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Po ashtu janë plagosur edhe tre persona të tjerë që ndodheshin në automjet, dy prej të cilëve anëtarë të familjes Kopani. Dy motrat, Valbona Kopani dhe Mirjeta Xhaferri, së bashku me fëmijët dhe bashkëshortët e tyre ndodheshin në makinë gjatë momentit të sulmit me armë, i cili ka qenë në një distancë prej rreth 5 metra nga makina. Të gjithë të plagosurit mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën dhe tre prej tyre po trajtohen në spitalin e Shkodrës. Ndërsa fëmija 5-vjeçar, babai i tij Zamir Xhaferri, si dhe një prej të plagosurve të tjerë po kurohen në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Mjeku i këtij spitali, Dritan Çela tha se gjendja e tre të plagosurve është stabilizuar, por problematike mbetet gjendja e vogëlushit 5-vjeçar përsa i përket parakrahut, pasi ka një plagë plumbi pranë arteries. Ai ka dëmtim të kockave të parakrahut dhe të një ene gjaku, që është çarë nga plumbat. Plaga është e hapur dhe specialistët kanë punuar mbi të, por ai do ketë nevojë për ndërhyrje të tjera në këtë pjesë. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. “Përsa i përket babait të fëmijës, ai ka marrë dy predha në krahun e djathtë, por s’ka dëmtime të organeve jetësore dhe gjendja e tij paraqitej e stabilizuar. Po ashtu, edhe mamaja e fëmijës ka marrë një plumb, por që nuk i ka dëmtuar organet jetësore, ndërsa tezja e fëmijës ka një frakturë në krah”, – tha mjeku Çela. Lidhur me ngjarjen e rëndë, drejtuesi i automjetit, Astrit Kopani tha se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt, edhe pse ai kishte mundur të largohej sapo i kish vënë re grabitësit e armatosur.
“Sapo ngjitja maloren, kur ata na dolën para dhe na qëlluan nga gomat. Kur pashë çfarë ishin, unë nxitova me shpejtësi. Kam ecur me shpejtësi, me gomë të rënë thuajse. Janë plagosur gruaja ime, baxhanaku Zamiri, gruaja e tij dhe fëmijët. Baxhanaku kur i pa më tha ‘ec, se mbaruam!’Ata kanë gjuajtur me breshëri. Unë kam kujtuar se janë pasagjerë”, – tregoi drejtuesi i mjetit. Lidhur me këtë ngjarje policia nisi hetimet dhe vendosi disa post-blloqe në akset kryesore të qytetit të Shkodrës dhe Pukës. Operacioni drejtohet nga kreu i Policisë së Qarkut Shkodër, Aleks Hajdari, ndërsa në përbërje të grupit hetimor janë edhe drejtues të tjerë të policisë lokale. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia nuk mundi të identifikonte apo ndalonte ndonjë prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së rëndë, që plagosën 6 persona, mes të cilëve edhe dy fëmijë.