e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Masakra e gruas, 20 vjet pas vdekjes aksidentale te te birit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Masakra e gruas, 20 vjet pas vdekjes aksidentale te te birit

Vdekja aksidentale e djalit 3-vjeçar ka tronditur thellë jetën e Genci dhe Valbona Çarçanit në vitin 1993. Njëzet vjet më vonë, gruaja 46-vjeçare u masakrua në mes të rrugës nga ish-bashkëshorti, për konflikte që e kanë zanafillën tek kjo tragjedi e hershme familjare. Hetuesit e policisë së Tiranës kanë verifikuar jetën e dy bashkëshortëve para dhe pas divorcit, për të arritur në një konkluzion për ngjarjen e rëndë të së shtunës. Sipas dëshmive të familjarëve, dy bashkëshortët kanë pasur konflikte të shpeshta që pas vdekjes së djalit, boshllëk i cili nuk u mbush edhe me lindjen dhe rritjen e dy vajzave. “Në vitin 1993, atyre u ka vdekur djali. Ka rënë aksidentalisht nga ballkoni. Që prej asaj kohe, pavarësisht përpjekjeve të tyre, marrëdhëniet nuk u rregulluan. Kjo situatë vazhdoi edhe pse çifti pati dy vajza, të cilat lindën gjatë qëndrimit të tyre në Itali”,- tha për MAPO-n një burim i grupit hetimor. Përgjatë martesës së tyre, Genci kërkonte vazhdimisht shpjegime për mënyrën se si djali i kishte shpëtuar vëmendjes së nënës së tij. Nga ana tjetër, jeta në emigracion dhe problemet ekonomike kanë shtuar mosmarrëveshjet mes tyre, duke sjellë edhe vrasjen tragjike të Valbonës në afërsi të gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë. Babai i autorit të krimit, Selfo Çarçani tha dje për ‘News 24’ se është i tronditur nga akti i të birit, që sipas tij nuk ka qenë njeri problematik. “Shkaku i veprimit të tij kanë qenë mbingarkesa e madhe, depresioni, puna dhe lodhja.

Asnjëherë nuk na ka dhënë ndonjë shenjë se do të arrinte deri këtu. Të gjitha të ardhurat që merrte ua jepte vajzave, plus që u paguante qiranë”,- thotë babai i Gencit. Ai tregoi më tej edhe historinë e jetës së të birit dhe marrëdhënien e tij të komplikuar me viktimën. “Më përpara Genci ka mbaruar Liceun, Institutin e Arteve për skulpturë. Iku në Itali, lindën dy fëmijë atje. Njëherë iu sëmurë e ëma e Valbonës dhe e solli këtu bashkë me djalin e vogël, e dërgoi në Shqipëri për t’i shërbyer asaj. Ato nuk patën kujdes dhe djali i Gencit ra nga ballkoni dhe vdiq”,- thotë ai. Megjithatë, familjarët e autorit thonë se konflikti mes tyre kishte të bënte me mënyrën se si rriteshin dy vajzat. “Ata kishin grindje mes njëri-tjetrit për çështjen e vajzave. Genci interesohej për vajzat sepse ishte shumë i lidhur me to. Preokupohej për vajzat që të ecnin në rrugë të drejtë në kuptimin moral dhe të mësimeve. Këto ishin mosmarrëveshjet kryesore. Drejtësia të shikojë motivet reale të ngjarjes, pasi Genci nuk ishte njeri i lig, nuk ishte as aventurier apo hajdut”,- tha Selfo Çarçani. Dy bashkëshortët ishin divorcuar në vitin 2011, afërsisht dy vite pas rikthimit të tyre nga Italia. Ishte Valbona ajo që bëri padinë për divorc, ndërsa babai i Gencit thotë se ajo ka vuajtur edhe nga çrregullime mendore. “Më përpara në Itali, Valbona ishte shumë e sëmurë nga çrregullimet mendore, madje dhe nuk pranonte të mjekohej. Genci e shpëtoi në Itali Valbonën nga vetëvrasja, sepse ajo tentoi të vriste vetën duke prerë damarët”,- tha dje babai i autorit që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Dëshmitarja: E qëllonte me thikë kasapi

Xhuljeta Voka, fqinje me Valbona Çarçanin, ka parë tmerr me sy të shtunën në mesditë. Gruaja e moshuar, ish-punonjëse e policisë tregon se edhe në momentin e fundit të jetës Genci Çarçani vazhdonte ta godiste të shoqen me një thikë të madhe. Ajo rrëfen se kishte qenë duke punuar në lokal kur kishte dëgjuar thirrjet e njerëzve në rrugë, ndërsa gruaja kërkonte ndihmë duke folur italisht. “Fillimisht ne menduam se ishte një grabitës, pasi mbante në duar një thikë të madhe, si hanxhar, si thikë kasapësh, ndërsa ai i tërhiqte asaj vazhdimisht çantën”. Sipas dëshmitares, personi e shtrëngonte dhe më pas e goditi disa herë në trup, në bark dhe një herë në fund në zemër, ndërsa ajo ishte e rrëzuar. “Askush nuk mundi të hynte, pasi ai kishte në dorë një thikë të madhe. Një mbledhës kanoçesh iu afrua dhe burri me thikë ia ktheu: ‘Ik zhduku ti more, apo do të hash ndonjë thikë’. Ajo thërriste për ndihmë në italisht, por askush nuk iu afrua pasi kishin frikë. Kur ajo u rrëzua, ai e goditi edhe një herë dhe i mori çantën”. Sipas dëshmitares, pasi e goditi në zemër kur gruaja u rrëzua, ai iku poshtë. Vetëm pak momente pas kësaj aty erdhi policia. Dëgjova që një polic po thoshte se personi që e kishte qëlluar kishte qenë jo një grabitës, por pikërisht bashkëshorti i saj. “Di që e kishin kapur pak më poshtë ndërsa ai kishte tentuar të ikte”.