Të gjithë të dhunuar
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga SAIMIR DEMI
Ja se çfarë do të ndodhë pas ngjarjeve rrëqethëse në Ersekë dhe Memaliaj: Do të mblidhet në ditën e tij të zakonshme Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, do të analizojë me nge detajet e incidenteve dhe do t'i dënojë fushat me motivacionin standard, sipas të cilit klubet vendëse nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për organizimin e një ndeshjeje futbolli.
Dhe, pas këtij riti të zakonshëm, gjithçka do të vazhdojë si zakonisht, pasi për institucionin me seli në krah të Ambasadës së SHBA-së çudia më e madhe nuk zgjat më shumë se disa orë.
Ndërkohë që në Ersekë një tufë barbarësh u sulën si çakej drejt një djali të ri dhe ishin të gatshëm ta mbllaçitnin me gjithë lecka, ndërsa në Memaliaj sulmuan gjyqtarin dhe ngjarjet nuk janë të rastësishme, por tregues i kalbëzimit të sistemit të drejtimit të aktivitetit.
FSHF-ja është ajo që organizon dhe nëpërmjet një ushtrie me specialistë duhet të mbikëqyrë futbollin në vend, por në fakt, në të kundërt dhe për fatin tonë të keq, është kthyer në një përzierje midis indiferencës dhe arrogancës.
Askush nuk ka të drejtë të na kujtojë me fytyrë të ngërdheshur se dhunë ka kudo, aq më shumë në Ballkan, pasi është njëlloj sikur të na kujtojë me të njëjtën pamje që të jep avantazh ndaj atij që ke përpara, se "druri ka dalë nga xheneti".
Në Shqipëri nuk është ndjekur asnjë kriter në licencimin e ambienteve ku do të luhet gjatë të gjithë sezonit, gjë që sigurisht është bërë me qëllim, pasi ky lloj masiviteti i stisur nuk mund të shërbejë për tjetër, veçse për vota në ditën e Asamblesë. Kështu që, natyrshëm, përfundimi janë fusha fare të pasigurta, ku të rinj që i shërbejnë një ëndrre për t'u bërë dikushi nëpërmjet futbollit i sheh duke vrapuar në fushë jo për hir të lojës, por prej panikut, sikur të ishin në "Falluxha".
Kush nuk i mban mend pamjet e servirura nga televizionet një javë më parë, ku, për shkak të së njëjtës mënyrë licencimi, u luajtën ndeshje në baltë deri në gju, duke e vrarë me dashje spektaklin, "fair play"-n dhe indirekt duke nxitur dhunën.
Ndërsa disa arbitra të paaftë, apo qëllimkeq, as një procedurë të thjeshtë nuk e zbatuan me rigorozitet, atë për të testuar kërcyeshmërinë e topit në pjesë të ndryshme të terrenit. Meqenëse ra fjala te njerëzit e gjykimit, si mundet të pretendosh për një aktivitet normal kur javë për javë gjyqtarë të të gjitha niveleve gabojnë në mënyrë skandaloze?
Nga ata të kategorive të ulëta dhe deri tek ata me pasaportë ndërkombëtare, që e kanë të ngjitur në gjoks, i kanë përsëritur aq shpesh bëmat e tyre, saqë shprehja "gabime njerëzore" është kthyer në qesharake. Flitet për disa të ndarë dy apo tre në "pronësi" të zotërinjve drejtues, të cilët ose kanë imunitet nga gabimet, ose vërshëllejnë sipas urdhrit. Ndërsa pjesa e ndershme, që në kushte normale duhet të ishte edhe më e vlerësuara, nuk gëzon as privilegjet që i takojnë.
Ja ku është edhe një tjetër shkak dhune. Mjafton pak vëmendje dhe të gjithë mund ta shohin çdo javë sesi kjo Federatë, indiferente vetëm për futbollin, nuk ka gjetur ende një akord të përhershëm me forcat e rendit, duke i lënë herë pas here sportistët dhe ndjekësit e tyre në mëshirë të fatit.
Çfarë ndodh çdo të diel në fushat ku luajnë të rinjtë u kulmua në finalen Partizani - Tirana (U-19), ku pikërisht për shkak të mungesës së pranisë së policisë tifozët u përleshën, u gjakosën dhe u dogjën, aq sa një pjesë u detyruan të hidheshin nga tribuna në pistë nga një lartësi e konsiderueshme.
Veç këtyre, vazhdojnë të vijnë nga UEFA informacione të mbushura me dyshime për ndeshje të trukuara, një tjetër dhunim ky i futbollit të ndershëm. Por nëse merr përsipër të thuash diçka publikisht, si një njeri i futbollit që po të plas shpirti, mund të përfitosh edhe personalisht statusin e të dhunuarit, pasi gjithmonë dikush do të marrë guximin të të telefonojë nga brenda "bunkerit" për të të bërë për një lek.
Arsyeja është se këta nuk janë më organizatorë të aktivitetit, pasi ky i fundit ka filluar t'i interesojë gjithnjë e më pak. Këta janë kthyer në kontrollorë brutalë të gjithçkaje që lëviz dhe kështu që e quajnë veten në të drejtën e tyre nëse të fyejnë, të gënjejnë, apo tentojnë të të marrin nderin.
Pyeti për çfarë të duash rreth këtyre që po ndodhin dhe si përgjigje merr çmimin e biletës në "Velodrom" të Marsejës, pasi e konsiderojnë meritën e tyre që nëpërmjet futbollit tashmë jemi në Europë. Madje, një meritë ekskluzive e marifeteve të tyre "fituese", ndërsa meritat teknike të De Biazit dhe futbollistëve janë thjesht minorancë.
Dhe, në fund, të thonë se është e tepërt të bësh qaramanin, pasi të gjithë jemi pjesë e këtij bataku. Kjo po që është e vërtetë, por gjithsesi një ndryshim thelbësor ekziston... Disa e ndiejnë veten mirë duke u zhgërryer në llucë, ndërsa disa të tjerë mundohen të ecin duke e zgjedhur rrugën, megjithëse jo gjithmonë ia dalin të mos i ndotin këpucët.