e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tavo: Vdekja e 11-vjeçarit nga nje komplikacion i rralle. Fjalen e fundit e ka drejtesia

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tavo: Vdekja e 11-vjeçarit nga nje komplikacion i rralle. Fjalen e fundit e ka drejtesia
Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka reaguar për rastin e vdekjes së 11-vjeçarit Denis Alimadhi, i cili humbi jetën dy ditë më parë gjatë një operacioni estetik në sy në një nga spitalet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kreu i shëndetësisë gjatë një vizite në Shkodër deklaroi se vogëlushi dyshohet të ketë gjetur vdekjen nga një komplikacion i rrallë, i njohur si hipetermia malinje, tepër i vështirë për t’u përballuar në rast se ndodh. I pyetur për ekipin e kirurgëve që kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale, Tavo ka sqaruar se ka qenë një ekip i përbashkët me mjekë shqiptarë dhe irlandezë.

“Ndërhyrja është bërë nga mjekë të QSUT-së dhe një ekipi mjekësh vullnetarë tepër i specializuar, që punojnë vullnetarisht në Shqipëri në ndihmë të kolegëve të tyre shqiptarë të fushës së okulistikës”, ka shtuar Tavo.

Gjithsesi, sipas ministrit, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka dërguar ekspertë për të hetuar për rastin, fjalën e fundit në rastin e vogëlushit Denis Almadhi, do e thotë drejtësia. “Ne po hetojmë rastin, ndërkohë pjesa tjetër i takon drejtësisë”, ka përfunduar Tavo.

Vogëlushi Denis Alimadhi ka gjetur vdekjen në një nga sallat e operacionit të spitalit të ORL-së, në QSUT. Ai po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy, për shkak të një problemi të lindur që kishte me qepallat. Në momentin që i është injektuar anestezia, vogëlushi ka shfaqur komplikacione, temperatura trupore ka arritur në 43 gradë dhe zemra e tij ka pushuar brenda pak minutash. Mjekët kanë deklaruar se vdekja e 11-vjeçarit ka ndodhur për shkak të një komplikacioni të lindur, i njohur si hipertermi malinje, një sëmundje kjo tepër e rrallë dhe që shfaqet në momentin që pacienti i nënshtrohet anestezisë.

Nga ana tjetër, familjarët e 11-vjeçarit kanë akuzuar mjekët se e kanë lajmëruar për humbjen e djalit rreth 6 orë më pas, ndërkohë që këmbëngulin se spitali nuk kishte antipiretikun që do të ndihmonte në uljen e temperaturës tepër të lartë të djalit. Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërkohë priten konkluzionet e mjekësisë ligjore për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së papritur të vogëlushit.